Vepra krijuese e Dr.Hajri Mandrit në tre dimensione

Poeti, dramaturgu dhe studjuesi i shembëlltyrës në folklor dhe letërsi, në proces të mbrojtjes së Titullit Profesor i associuar.

Nga Halil Rama

Para  tre dekadash, në konkursin kombëtar të teatrove të Njësive të Ushtrisë, si  metodist i punës kulturore në ish – Shtëpinë e  Ushtarakëve të Divizionit të Bulqizës, për t’iu përshtatur tematikës, zgjodha për të konkuruar me dramën “Bregdrinasit”.  Autori, Hajri Mandri,  ishte i njohur për kohën, pasi kishte botuar edhe drama  të tjera. Madje, drama e tij  “E fejuara”, e inskenuar nga trupa amatore e Pallatit Kulturës Bulqizë, pati një numër rekord shikuesish. Për interpetimin e arrirë artistik dhe veçanërisht për faktin se drama “Bregdrinasit” kishte si subjekt historinë e “gjeneralit me shajak”, Elez Isuf Ndreu, trupa e Shtëpisë së Kulturës të Divizionit të Bulqizës zuri vendin e parë në rang kombëtar.  E solla në vëmendje të lexuesit këtë fakt për të evidentuar një talent të “fshehur”  të Dr.Hajri Mandrit, atë të dramaturgut. E dëshmon këtë talent qoftë edhe vetëm drama “Bregdrinasit”, me paraqitjen impozante dhe burrërore të  Elez Isufit, që rrezatonte ngjashmëri me heronjtë antikë. Ngritja në art e aktivitetit të tij atdhetar, është një vlerë e shtuar për dramaturgun Mandri. Nëpërmjet dialogimit të personazheve, heroit kryesor Elez Isufi dhe bashkëkohësve të tij, Sufë Xhelili, Osman Paci etj, vjen jehona e asaj kohe të largët kur kryengritësit dibranë mbrojtën me stoicizëm trojet e tyre kundër pushtuesit serb. Fjala artistike në dramën e Hajri Mandrit e sjell “gjeneralin e veshur me shajak” në të njëjtin nivel të atdhetarisë së gdhendur me gërma të arta në historinë tonë kombëtare. Mandri ka meritën e ngritjes në art të këtij biri besnik të atdheut, luftëtar i shquar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Kësisoj, dramaturgu H.Mandri, që para tri dekadash, e  shihte  këtë përzgjedhje si një mundësi e mirë që drama e tij të mund të ndikonte në edukimin atdhetar të shoqërisë shqiptare, ndërkoi që krijoi dhe botoi në Revistën “Teatër” edhe dramat “Mjeku i ri”, “Në rrjedhën e jetës dhe “Joana”.

Model i ri vjershërimi dhe….

Hajri Mandri, fillimet e veta letrare i ka në poezi. Që kur ishte gjimanzist në Peshkopi dhe më vonë pas mbarimit të studimeve të larta, si mësues i letërsisë në shkollat e  Bulqizës (dhe si Drejtor i Pallatit të Kulturës të qytetit minator), ai do të ishte fitues i disa konkurseve letrare të Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artististëve të Dibrës. Por gjithsesi, poezia e tij do të bëhej e njohur për lexuesin pas viteve ’90 kur ai do të mund të botonte vëllimet poetike “Prag mijëvjeçari” e “Zjarret e ditëveres”. Në të dyja vëllimet dallohet poezia liriko-filozofike. Këto veçori të poezisë së tij i ndeshim qoftë dhe vetëm  tek vjershërimi i porosësë së babait: M’u zgjuan ca fjalë të kyçura në zemër/ M’i tha babai që nuk është më sot/ M’i tha e iku pa m’i ngopur sytë/ Duke më lënë një detë me mall të ngrohtë….”. Në këto dy vëllime H.Mandri krijon një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërsheton natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Në përgjithësi në poezinë e tij mbizotëron natyra lirike, si  te “Kroi i Verës” : “Mos ma prishni Kroin e Verës/ Kroi i Verës pikon mjaltë/ Tek ai krua, ajo hije/ Mrizon ëndërra prej fëmije/ Vijnë kujtimet më mbajnë gjallë,/ Kroi – leitmotiv i rrallë/ Mos ma prishni Kroin e Verës/ Musht e mjaltë në buzë e kam…..”.

Lirika është mbizotëruese edhe në disa poezi të tjera të Mandrit, por më evidente ajo është tek ajo me titullin “Lirike”: “I rashë hënës me një grusht/ Hëna shkau dhe ra n’humnerë/ Atë natë ishte gusht/ Binte shi dhe frynte erë…/Desha, që veç unë e ti/ Ta sundojmë tërë errësirën/ Qënia jote qe magji,/ Luminishonte natyrën”. Ndërkohë konstatojmë se lirika në poezinë e këtij poeti shfaqet si vazhduese e vlerave më të mira të poezisë lirike shqipe, si psh tek poezia e titulluar: “Ti më pret…” : “Mos më ndal sonte në rrugë/ Eshtë e shtunë, ajo më pret/ Vijëzon në ballë një rrudhë/ Dhe nga sytë, loti i shket…/Nuk ka forcë që më ndal sonte/ Ti ditëlindjen ke në fshat/ Po t’mos vijë ai merak nëne,/ Të shqetëson, s’të lë rehat!”. Dhe duke e vështruar në tërësi krijimtarinë poetike të H.Mandrit mund të konkludojmë se ajo është mbartëse e tipareve moderne që shfaqen në sistemin letrar shqiptar, ndërkohë që thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.

…..Shembëlltyra në folklor dhe në letërsi

Në krijimtarinë e tij, Hajri Mandri është mbështeur thuajse tërësisht në traditën folklorike shqiptare. Librin “Shembëlltyra në folklor dhe letërsi” e ka shkruar fillimisht si tezë për shkallën “Master”, me titull pune “Shembëlltyra në tregimet alegorike dibrane”. Por kësaj teze iu përkushtua për vite të tëra deri sa arriti të marrë titullin Doktor i Shkencave në Studime Letrare. Siç është shprehur udhëheqësi i kësaj teme, Prof.Dr.Shaban Sinani: “Studimi i Hajri Mandrit, për qëllimin që u hartua, mund të mjaftohej edhe vetëm me një paraqitje panoramike-anatomike të formave të ligjërimit me shembëlltyra në tregimet alegorike dibrane, në të folurit me rrotulla të Kosovës, në kallëzimet popullore të viseve të tjera veriore të Shqipërisë, që përbëjnë dukuri folklorike me përhapje tejet të gjerë deri në ditët e sotme”. Por, duke e rilexuar tashmë si një monografi që u drejtohet studiuesve, lexuesve me interesa në fushë të letërsisë, folklorit, etnografisë, ligjërimeve gjuhësore, jo thjesht për ta paraqitur me dinjitet para një komisioni specialistësh, vlerat e këtij libri mund të çmohen në një kontekst më të gjerë. Analiza gjuhësore e Studimit “Shembëlltyra në folklor dhe letërsi” hedh dritë jo vetën në pasqyrimin dhe dokumentimin e vlerave foklorike të Dibrës dhe krejt Verilindjes, por edhe për çështjet që lidhen me fushat e onomastikës, krijimtarinë popullore folklorike, dialektologjike etj. Ky studim paraqet frymëzim shpirtëror jo vetëm për studentët e sotëm të Folkorit shqiptar, por edhe për gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar në përgjithësi, sepse aty pasqyrohet historia, mendësia popullore, doket, ritet, besimet etj. Përveç synimit për të qenë një ndihmesë në studimin e tipologjisë dhe karakteristikave të veçanta të mjeteve kohezive në gjuhën shqipe, punimi është motivuar dhe mbështetur edhe nga një qëllim tejgjuhësor, për të vënë në qendër veprën e mbledhësve të folklorit, si përfaqësues të prirjes realiste kombëtare në letërsinë shqiptare, që bosht të krijimtarisë së vet pati vlerat dhe vyrtytet njerëzore të njëmendëta dhe të përhershme, që shqiptarin e djeshëm dhe të sotëm, pa se i lidh vazhdimësia e traditës, e urtësisë, e virtytit moral por edhe tragjiciteti, ky shoqërues i përhershëm i ekzistencës së tij, i cili ka përcaktuar edhe kalitjen e shpirtit të tij të qëndresës. Qoftë edhe më këtë botim shkencor mund të arrijmë në përfundimin se Dr.Hajri Mandri është tashmë nga ata personalitete me kontribut të rëndësishëm që u ofron  studentëve njohuri parësore për një dukuri të pastudiuar, vetë bartësve të fundmë të ligjërimit me shembëlltyra një mënyrë të interpretuari të stilit të tyre të të folurit, specialistëve të letërsisë e të folklorit një varg problemesh të nevojshme për të gjykuar drejt për gjuhën, folklorin, letërsinë dhe marrëdhëniet midis tyre dhe mbi teoritë e evolucionit të zhanreve dhe të figuracionit; studiuesve të një niveli më të lartë formimi tema të hapura që presin njerëz të zellshëm dhe të formuar për t’u shpënë më tej. Dr.Hajri Mandri është pedagog në “ALBANIAN UNIVERSITY”, Tiranë, ku kryesisht jep lëndët: pedagogji dhe shkrim akademik. Në botimet e fundit ka kontribute të çmuara në pedagogjinë speciale, ku më evident ky kontribut shfaqet te libri i tij shkencor “Tiflopedagogjia”. Është në proces të mbrojtjes së Titullit Profesor i associuar.

SHKARKO APP