Veprimtaria e Fan Nolit, më e fuqishme se fati

Nga Rashit Alidema*

 

Më 13 mars 1965, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shua ylli që nuk kthehet më. Ai ishte Mësuesi, Ai ishte Mbrojtësi, Ai ishte Ideologu – me ide të larta përparimtare, largpamëse, të përgjithmonë frymëzuese për kombin e vet, kombin shqiptar. Ky ishte Fan Noli, nota e lartë me motive tingëlluese, krahasuar me një instrument muzikor, ndrisë e pashuar e yllit. Njeriu i figurës retorike, me orkestrinë të plota që na ishte më i madhi nga të gjithë…

 

I lindur në İbrik-Tepe, një fshat shqiptar në Trakë, jo larg Edrenesë, prej prindërve shqiptarë, të ardhur nga Kolonja e jugut të Shqipërisë, teksa shqiptarët kishin ardhur në këtë anë gjatë Perandorisë Bizantine. Sipas Nolit, Ibrik-Tepe ishte një vend-qëndrim ushtarak i Perandorisë, i zgjedhur prej afrisë me Kostandinopojën. Shumë shqiptarë udhëtuan andej për t'u bërë ushtarë dhe ngelën aty me rënien e Kostandinopojës më 1453; në rrethana krejtësisht antishqiptare, por në asnjë grimcë Nolit nuk mundi kush t’ia luhatë shqiptarizmin. Shumë i guximshëm e i përparuar. E tërheqim këtu një paralele me Arkimedin (287 – 212), të ditur edhe për filloristët frazën: “Mos i prek rrathët e mi”… Në qershor të vitit 1924, F. S. Noli, me mbështetësit e tij udhëhoqi Revolucionin Demokratik të Qershorit, i cili pati premtuar se do të bënte Reformën Agrare. Por nuk i zgjati shumë gëzimi i fitores, vendi shpejt u shndërrua në anarki. Fuqitë e Mëdha nuk e njohën qeverinë e re, pos Bashkimit Sovjetik. Ahmet Zogu, pas kësaj ngjarjeje, i ikur në Jugosllavi, përgatiti planin e rikthimit në pushtet me Nikola Pashiçin. Në këtë mënyrë, në dhjetor të vitit 1924, ai hyri në Tiranë. E në Kosovë, xhandarmëria dhe ushtria serbe vazhdonin ekspeditat ndëshkimore, shfarosjen masive të shqiptarëve; më 15 korrik, në moshën 35-vjeçare vritet edhe Azem Bejta, me një prej të cilëve identifikohej rezistenca e shqiptarëve në Kosovë kundër ndarjes e pushtimeve të padrejta që iu bënë tokave shqiptare 12 vite më parë. A. Bejta, më parë kishte bashkëpunuar me Serbinë kundër Austro-Hungarisë, që ishte një gabim i madh i tij. Ndërkohë, Fan Noli, ende në punët e tij të pandërprera në rezidencën e vet: “… S’guxon kush të më prekë Revolucionin tim të drejtë Demokratik”. Por, kyNol i mençur përvidhet, shpëton disi; ndërsa shkencëtarin e madh, Arkimedin në atë moment i pakujdesshëm e mbyt një ushtar romak…

Njeriu që mund të mendojë logjikisht, vjen në përfundim se Noli ishte njeri i madh i kombit, përkundër vështirësive e rreziqeve të kohës, sidomos nga përçarjet fetare, ndërnacionale, asimilimi, fërkimet e ngricës së marrëdhënieve në mes tyre,varfërisë; sa qe i mitur Noli lëngoi nga sëmundje të rënda, dhe për këtë arsye shkollën e nisi me vonesë, i gjallë, ashtu e donte jetën, është e pamundur të paramendojmë që nuk është në mesin tonë, po dhe nuk duam të besojmë, kurrsesi nuk duam, ai rron me ne, me veprat e veta, që sollën ndihmesa të madha, jo vetëm në pasurimin e gjuhës letrare shqipe dhe për formimin e stilit publicistik, por edhe në shumë lami të tjera të shkencës e artit…

Mihail Lermontov: “Çfarë jete është e poetit pa pësime?”. Elegjitë e tij, p.sh. për Bajram Currin, siç dihet, më 29 mars 1925, poeti e nderoi fisin. Dëshmoi, se deri në çfarë gjendje dritësie të brendshme ishte ngritur shpirti i shumanshëm i tij, duke ushqyer përparimin e të ardhmen e shqiptarëve që kudo jetonin dhe e nderonin tokën e nënës. Ishte vetëtima, ose siç e quanin disa autorë, “bariu” i tërë popullit, atdheut, të kaluarës, të tanishmes dhe te ardhmes, të kulturës së tij të vetme, gjuhës së tij, karakterit të tij, qëllimit të tyre të kryer revolucionar. P.sh., “Konferenca e fshehtë e Londrës”, e vitit 1915, e aleatëve: Francës, Anglisë, Italisë, Rusisë, që patën sjellë vendimin për shkatërrimin e plotë të Shqipërisë, fshirjen e saj nga harta gjeografike botërore. Noli i tronditur thellë nga ky tmerr, së bashku me Faik Konicën, të shqetësuar, të vluar nga revolta kundër këtij vendimi, menjëherë marrin rrugëtimin diplomatik drejt presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Uoodrou Uilson,i cili i motivuar nga ata, për tradhtinë e këtij vendimi të kësaj Konference e stopon këtë padrejtësi ndaj popullit shqiptar. Këtu ndikonte edhe testamenti (kujdesi për shqiptarët) i “Babait” të kombit amerikan, George Uashington, me prejardhje shqiptare, ngaqë nëna e tij, Maria Balaj, ishte shqiptare nga Isniqi i Deçanit. Vepra të tilla të ngjashme, me sakrifica të mëdha, ndërtuar pa ndërprerë për kombin, këta dy mendimtarë të mëdhenj ia ngarkonin qëllimet dhe barrën vetes, kur të tjerët shprehnin dëshirat. Në majën e oratorisë mjeshtërore të Fan Nolit, qëndron padyshim edhe fjalimi i tij historik në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, më 10 shtator 1924…Sot a ka kombi shqiptarë të tillë? Sigurisht, ende jo …

 

*Kryetar i Lidhjes së Intelektualëve të Kosovës

 

 

FJALIMI

 

Botuar në gazetën “Dielli” të Bostonit më 17 Mars 1965

 

 

Shqiptarë a dëgjuat? Imzot

Noli nuk është më mes nesh!

 

Nga Dr. Athanas Gegaj*

 

Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare, si kryetar fetar, si shkrimtar, si studioz, si poet, si udhëheqës nuk është më! Ati i shqiptarëve, që kishte përsonifikuar të gjitha gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq më 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për komunitetin tonë në Amerikë dhe në Botën e Lirë, si edhe për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastërt përulet përpara trupit të Kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puth ato duar të bukura që lartësuan kombin shqiptar dhe Vatrën tonë. Komisioni Qendror i Vatrës urdhëron një jazë prej 40 ditësh për të gjithë vatranët. Pusho në paqe, At i Dashur!. Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrojsh edhe Ti në zemrat e popullit tonë. Vatra do të qajë me lot, por do të mburret në çdo kohë që pati fatin të ketë si At, Ty, Atin e shqiptarëve. 

 

Nën rrezet e ngrohta të Floridës në tokën e bekuar dhe të lirë të Amerikës, më 13 Mars 1965 në mëngjesin e ditës u nda prej nesh At Noli, kryepeshkopi i Kishës sonë kombëtare, kryetari i Vatrës, themeluesi i “Diellit” me të tjerë burra të gjakut tonë, Ati i fundit i popullit shqiptar nga Prizreni në Vlorë. Ai që themeloi Vatrën e Diellin me Peçin e Konitzën nuk është më. Aj që bashkoi e lartësoi komunitetin tonë në Amerikë, u nda nga toka dhe fluturoi në Botën e të Drejtave, duke pikëlluar zemrat e të gjithë shqiptarëve! Ai që me kristianë dhe muslimanë bëri një komunitet shqiptar, përpara se të ishte një Shqipëri e lirë dhe indipendente, u nda nga bijët e Tij, duke e futur në zi tërë komunitetin tonë të gjakut e të traditave shqiptare. Ai që nga asgjë themeloi Kishën tonë Kombëtare për të cilën dhanë me të dyja duart të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim feje, nuk është më mes nesh! Ai që organizoi çeta në rrethet e Bostonit për të bërë një Shqipëri edhe me gjak të bijve të saj në Amerikë. U shua kandili për të derdhur dritë e hire nga bota e pavdekshme përmbi bijtë e Tij në halle dhe në robëri. Iku na la, fluturoi drejt qiellit për të lutur Perëndinë që të bijtë e gjakut shqiptar, me ndërhyrjen hyjnore, të gjejnë bashkim, liri e dashuri për nën krahët e shqipes së zezë dykrenare që fluturoi përmbi një fushore të kuqe, simbole të pavdekshme e të atij flamuri  të Skënderbeut të Konicës, të Kuvendit të Vlorës e të gjithë shqiptarëve që me gjak dhe me lot brumosën Shqipërinë dhe shpresuan se do të ua lënë trashëgim bijëve të tyre po me atë Flamur e po me ato ndjenja fisnike, që ata diftuan me armë  dhe me burrëri në Prizren, Kaçanik, ne Deçiç, në Shkup, në vise të Matit, në Korçë, në Mashkullorë e më në fund në Vlorë. At Noli ynë që lartësoi racën shqiptare me poezitë e tij, me studimet e botimet e Tija, me shkrimet e Tija nga më të bukurat, sot nuk është më për të na kqyrur me ata sy si rrufe e për të na dhënë kurajo të vazhdojmë udhën e vështirë që ai me shpatë e me pendë në dorë, e çau pa u frikësua asnjëherë! Por At Noli jeton në zemrat tona! Ai nuk mund të ndahet nga ata bijtë e Tij, të cilët i deshi dhe për të cilët punoi tërë jetën e Tij. Aj jeton dhe do të jetojë në zemra të popullit shqiptar, i paharrueshëm, i pavdekshëm, siç jetojnë Naimi dhe Fishta, Abdyl Frashëri e Ismail Qemali e shokët të tjerë, që bënë Shqipërinë në Vlorë dhe krijuan letërsinë shqipe, duke e lartësuar në radhët e letërsive tjera botërore. Vdiq At Noli, Ati ynë, por burrat si At Noli nuk vdesin kurrë, sepse hija e Tij, veprat që lënë pas, ato nuk vdesin kurrë. Vatra jonë është në zi, por me Vatrën tonë është në zi i tërë populli shqiptar. Kjo Vatër e adhuruar është si një kandil që nuk fiket kurrë, shënderit dhe sot, e do të shënderise edhe nesër. Sepse është vepër e Nolit e Peçit e Konicës, që trashëgim sot ua lanë të bijve të tyre, që kurrë e kurrë të mos fiket kandili kombëtar, që nga Amerika shndrit përmbi tokën e ëmbël për të cilën At Noli me shokë  punoi dhe ua la trashëgim të bijëve të Tij, që ta mbajnë përherë të ndezur për të mirën e popullit shqiptar dhe për të mirën e komunitetit tonë këtu në Botën e Lirë. Vatran, na vdiq Ati ynë, por Ati ynë jeton në zemrat tona! Përulnju përpara trupit të Tij dhe betonju për bashkimin e shenjtë të gjithë shqiptarëve që kanë në zemër Shqipërinë, që nderojnë vetëm një Flamur, atë kuq e zi, pa hyll të kuq, pa shpata, por të pastërt e të adhurueshëm siç na e ka lënë Skënderbeu me kapetenë e ushtarë trima, siç e shpalosi në rrugët e Bostonit Konitza, siç e ngrit drejtë qiellit të kaltërt në Vlorë, Ismail Qemali.  Vatra dhe vatranët përulen në gjuj përpara trupit të Atit të tyre. Nga ata gjitha zemrat e shqiptarëve, një kor i zjarrtë ngritet drejtë qiellit, dhe i uron pushim të ëmbël Atit tonë, At Nolit kryetarit shpirtëror e fetar, burrit kombëtar të poezisë të studimeve të shkrimeve që na lartësojnë dhe na japin shpresë për një të nesërme më të mirë për ne, për popullin shqiptar dhe për Shqipërinë tonë, ku besnik ndaj vendit ku jetojmë, siç bënë kurdoherë burrat shqiptarë të vertetë, atje po kemi zemrën tonë, e me të bijtë e gjyshërve tanë, e për të bijët e tyre ne jetojmë dhe punojmë. “DIELLI” i Bostonit krijesë e Atit tonë e të shokëve të Tij e mbulon me rreze drite At Nolin, i uron prehje në vendin e të Drejtave, përhiron kujtimin e Tij me respekt dhe e mbulon me vajtime e lot të të gjithë vatranëve e të gjithë shqiptarëve.  Pusho në paqe o At i dashur. E po qe se Vatra e vatranët së bashku me Diellin e tyre nuk janë në lartësinë e duhur të të përirojne ashtu siç duhet, na fal, siç na fale përherë dhe lutu për ne, për Kishën tonë, për Vatrën tonë, për popullin shqiptar, që lart e më lart të mbajmë e të ruajm atë trashëgim, që po na lë duke u nda prej nesh. Ne kemi për t’Ju kujtuar përherë, derisa  dhe ne të mbyllim syte e do të vijmë e të bashkohemi  me Ty në atë vend ku Ti sot pushon nga mundi e djersa e sa sa vjetëve, për të parë një Shqipëri të lirë një kulturë shqiptare, një vatër në vatrën e Uashingtonit, që dritë dhe rreze shpërndanë e do të shpërndajë në brezëritë e ardhshme.

 

*Editor i “DIELLIT” dhe mik besnik i Fan S. Nolit

 

SHKARKO APP