Vetëvrasja e Europës!
Nga Davide Malacaria* /Mbi atentatet e Brukselit, përtej kronikës, vlen të ngrejmë pyetjen dhe të ripërshkojmë të kaluarën e afërt për të kuptuar se si arritëm deri ëktu. Gjë e nevojshme për të tentuar një reagim ndaj terrorizmit.
Në 5 marsin e 2011, në një intervistë për “Le journal du dimanche”, koloneli Muammar Gheddafi iu drejtuar Europës që bombardonte Libinë me fjalët: Bëjmë të gjithë pjesë në të njëjtën luftë, atë kundër terrorizmit. Shërbimet sekrete tonat dhe tuajat kanë bashkëpunuar. Ju kemi ndihmuar shumë në këto vite. Nëse na kërcënoni, nëse na destabilizoni, do të ketë rrëmujëra të pamendueshme!
Ai bëri një parashikim thuajse profetik mbi atë që do ndodhte, dhe ashtu ndodhi.
“Ja ku iu them se çfarë do të ndodhë. Do të keni dyndje emigrantësh, qindra mijëra refugjatë do të vijnë në Europë nëpërmjet Libisë. Dhe askush nuk do të mund t’i ndalë. Bin Laden ose terroristë të tjerë do të vendosen në veri të Afrikës dhe në Afganistan do të komandojë mullah Omari. Do të keni Bin Ladenin në portat tuaja. Ajo që duhet të kuptoni është që situata është e vështirë për Mesdheun dhe gjithë perëndimin. Si ka mundësi që liderët europianë nuk e kuptojnë këtë gjë? Rreziku që terrorizmi të shtrihet në nivel global është mëse i dukshëm”, deklaronte Gheddafi.
Në 18 qershorin e 2013, është radha e Bashar Al Assad që në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung paralajmëronte Europën. “Nëse europianët furnizojnë me armë rebelët sirianë, terrorizmi do të vendoset në kopshtin e Europës, dhe kjo e fundit do të paguajë një çmim të hidhur”, deklaronte Assad.
Por nuk kanë qenë vetëm liderët arabë viktima të shpërfilljes së Perëndimit.
Ja çfarë thotë Tony Blair në një intervistë për CNN në tetor të 2015.
Gazetari: Duke parë IS, shumë njerëz shohin pushtimin e Irakut si shkakun kryesor të lindjes së Shtetit Islamik.
Blair duke pranuar se kjo gjë është pjesërisht e vërtetë: Ka disa të vërteta në këtë që sapo thatë. Natyrisht që edhe ne kemi përgjegjësinë tonë, largimi i Saddamit solli në njëfarë mënyre IS.
Së fundmi kandidati republikan Donald Trump ka deklaruar se “Hillary Clinton ka krijuar IS”.
Manjati amerikan është i çuditshëm dhe shpesh herë thotë gjëra që vështirë se mund të besohen. Por fakti që një kandidat për Shtëpinë e Bardhë bën akuza të tilla, bën përshtypje.
Dihet ndihma që amerikanët i kanë dhënë grupeve rebele me qëllimin për të larguar Assadin.
Nga kjo pikëpamje duhen pyetur SHBA-të përse kanë injoruar sistematikisht informacionet mbi IS që inteligjenca e ushtrisë siriane u ka dhënë, që prej formimit të Shtetit Islamik disa vite më parë deri sot.
Lista mund të vazhdojë pa fund. Por ajo që mund të kuptohet lehtësisht është se problemi i terrorizmit është para së gjithash politik
Politika agresive e Perëndimit kundër shteteve arabe ka krijuar këtë përbindësh global që tashmë u është kthyer kundër pikërisht atyre që e krijuan.
Zgjedhjet politike kanë sjellë dhe do të sjellin që shumë shtete aleate të Perëndimit në Lindjen e Mesme të rreshtohen në krah të IS.
Një tjetër vendim politik shumë i diskutuar është mosveprimi i Perëndimit me Rusinë për të luftuar terrorizmin. Rusia ka treguar në Siri se është një kundërshtar i denjë i terrorit. Dje Vladimir Putin ka kërkuar sërish të përballet me zgjidhje ekstreme kundër terrorizmit, por Perëndimi sërish nuk është dakord.
Të qash viktimat e pafajshme të Brukselit ndërkohë që Perëndimi ende nuk reagon ndaj gabimeve të së shkuarës, dhe nuk di ose nuk do të reagojë si duhet, është vetëvrasje e Europës.
Kërkohen zgjidhje me karakter politik, një zgjidhje përfundimtare. Dhe duhet tani!/Përgatiti Amarildo Lumani
*Piccole Note
TemA