Vetting-u, verifikohen 2.200 dosje – Hipotekat verifikojnë pronat e pazbardhura apo të fshehura

Ka arritur në rreth 2,200 numri i dosjeve që po shqyrtohen aktualisht nga hipotekat në kuadrin e Vettingu-t. Televizioni Scan ka mësuar se dy grupe pune po punojnë aktualisht për të rishqyrtuar fizikisht dosjet e më shumë se 700 gjyqtarëve e prokurorëve dhe rreth 1,500 familjarëve apo personave të lidhur me ta.

Shqyrtimi aktual konsiston në verifikimin manual të tre lloj të dhënash kadastrale. Kjo pasi vetëm një pjesë e vogël e pronave verifikohen lehtësisht në mënyrë elektronike. Pjesa tjetër është e dixhitalizuar, por informacioni nuk është ngarkuar në sistemin kadastral elektronik.

Ndërkohë që ekzistojnë ende një numër pasurish të paluajtshme të cilat nuk janë dixhitalizuar dhe shqyrtimi i tyre mund të bëhet vetëm fizikisht. Por nuk mungojnë as dyshimet se në raste të caktuar punonjës të hipotekave kanë fshehur qëllimisht dosje gjyqtarësh e prokurorësh për t’i shpëtuar procesit të Vettingut.

Shqyrtimi i secilës dosje në këto kategori bëhet nga një grup prej dy specialistësh, të cilët zbardhin nëse ka mospërputhje mes pasurive për çdo dosje. Është mësuar se dy grupet do të punojë për zbardhjen e pronave të gjyqtarëve e prokurorëve gjithashtu edhe në fundjavë.

Procesi i Vetingut parashikon zbardhjen e pasurive reale të të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve. Rezultati i verifikimit fizik të dosjeve do të krahasohet me të dhënat që kanë paraqitur në ILDKPI gjyqtarët e prokurorët.

SHKARKO APP