Video e Priftit si degjenerim i diskurit politik
Nga Alfred Lela
Dy sekuenca fotografike shkëputur nga një material filmik bënë xhiron në rrjet dhe në median qendrore. Në to shfaqeshin dy njerëz të identifikueshëm: njëri personazh publik, ish-ministër dhe nënkryetar i LSI, Dritan Prifti, tjetra një e panjohur, që u identifikua vetëm si vartëse e Priftit, punonjëse e së njëjtës ministri ku drejtonte Prifti. Fotot, dmth pjesa që është publikuar duke nënkuptuar të tërën, është një jolajm në shumë nivele. Së pari bëhet fjalë për një histori të vjetër, rrjedhimisht jo relevante për zhvillimet e ditës. I filmuar para 5 vjetësh, materiali filmik është ruajtur në sëndukun e vendetave politike të akumuluar nga Ilir Meta e Dritan Prifti. Së dyti, publiku i mban përgjegjës funksionarët publikë për punët e shtetit, jo të shtratit. Një ish-funksionar me një ish-histori intime nuk mund të vajisë ingranazhet e asnjë skandali, hiq kureshtjen e pashëndetshme të vojeristëve.
Një premisë e tretë e këtij fishekzjarri të vonë është degjenerimi i diskurit politik. Elitat politike shqiptare dëshmojnë një pamundësi për të rishpikur veten, që demonstrohet ndër të tjera edhe te kjo foto/video që studiuesit e komunikimit e quajnë 'sindrome të skandalit'. Pra përpjekje për të nxjerrë dëme politike apo mjegullnajë PR-i edhe nga gjëra jo domethënëse. Me të shtyme, kur i thonë.
Në fakt, e gjithë kjo nuk është asgjë më shumë se kaq: përpjekje marketingu politik për të ngritur një shtjellë të re zhurme e mjegulle, e cila do të shmangte ngjarjen me interes publik, atë që mund të konsiderohet skandal shpërdieimer dhe kundravajtjet obezë me kompaninë CEZ. Seksi shet, thonë. Në mjerimin e jolajmit të vet edhe kjo përpjekje me diskreditim e bën një punë. Përforcon vetëdijen publike për çka është skandal e çka sajim, si dhe demonstron ekzistencën e një Boshti të së Keqes, i cili janë personazhet që prej gjysmë dekade i ofrohen vëmendjes me instrumente të dyshimta: përgjime, video, përfolje, dyshime dhe jo vetëm kaq. Kur flitet për destabilitet politik në vend dhe zgjidhet kjo si barrikadë para skandalit CEZ artikulohet një hipokrizi dhe cinizëm njëherësh. Destabilitet është kjo gjendje politike, ky sistem i shtrembëruar, ky parlamentarizëm i rënë, kjo aleancë pa kredibilitet. Në këto kushte lipset STABILITET.
MAPO