VIDEO/ ”Më ndaluan të inspektoja Burgun 313”, Klevis Balliu: Përpjekje për të fshehur problematika serioze
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu ka publikuar një reagim zyrtar pas një ndalimi të bërë ndaj tij gjatë përpjekjes për të inspektuar kushtet në Burgun 313 në Tiranë. Sipas Balliut, ky ndalim ishte i paligjshëm dhe paraqet një shkelje të qartë të ligjit dhe të shtetit të së drejtës.
Në deklaratën e tij, ai shpjegon se qëllimi i këtij inspektimi ishte verifikimi i kushteve të trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, pa përjashtim, duke përfshirë edhe rastin e ish‑Presidentit Ilir Meta.
Balliu tha se inspektimi në institucionet e vuajtjes së dënimit është një detyrim ligjor për garantimin e të drejtave themelore të njeriut, dhe jo një favor ndaj administratës. Ai thekson se ndalimi i tij dëshmon një mungesë transparence dhe tentativë për të fshehur problematika serioze brenda sistemit.
Postimi i plotë
Sot u ndalova në mënyrë të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës sime për inspektimin e kushteve në Burgun 313. Ky veprim përbën një shkelje të hapur të ligjit dhe një pengim të kontrollit institucional.
Qëllimi i këtij inspektimi ishte verifikimi i kushteve të trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Presidentin Ilir Meta, për të cilin janë shprehur publikisht edhe zyrtarë të tjerë se kushtet që nga momenti i arrestimit deri te trajtimi i tij kanë qenë të padrejta. Kjo ishte pjesë e detyrimit ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.
Inspektimi i kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit është një detyrim ligjor dhe jo një favor i administratës. Ndalimi im tregon një mungesë të theksuar transparence dhe përpjekje për të fshehur problematika serioze. Fatkeqësisht, Shqipëria po shndërrohet në një rast unik ku institucionet shtetërore, në vend që të zbatojnë ligjin, e shkelin atë.
Kjo nuk është një çështje personale, por një problem serioz i shtetit të së drejtës. Për këtë arsye, do të ndjek çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të garantuar respektimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut për çdo të burgosur.
KOHA JONË SONDAZH

