
Fushata e vaksinimit kundër gripit sezonal vijon në të gjithë vendin, me fokus mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara nga format e rënda dhe komplikacionet e gripit. Në kuadër të saj, janë shpërndarë 280 mijë doza të vaksinës trevalente, e cila siguron mbrojtje ndaj tri viruseve të gripit sezonal: A(H1N1), A(H3N2) dhe B të linjës Victoria. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e shoqëruar nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Dorina Toçi, vizitoi Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë, ku u njoh me ecurinë e fushatës, organizimin e procesit të vaksinimit dhe angazhimin e strukturave shëndetësore në të gjithë vendin.
Gjatë vizitës, ministrja Spahiu bëri thirrje për rritjen e pjesëmarrjes së personelit shëndetësor në vaksinim, duke e cilësuar imunizimin si një përgjegjësi profesionale që shkon përtej mbrojtjes individuale. Vaksinimi i mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë të shëndetësisë është një masë thelbësore për uljen e rrezikut të transmetimit të virusit te pacientët, veçanërisht ata me imunitet të dobësuar apo me gjendje shëndetësore të rënduar, si dhe për garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve shëndetësore gjatë sezonit të gripit.
Ministrja vuri theksin veçanërisht te nevoja për rritjen e mbulimit vaksinal në strukturat spitalore, sidomos në spitalet terciare dhe shërbimet me fluks të lartë pacientësh, ku masat parandaluese janë thelbësore për sigurinë e kujdesit shëndetësor.
Fushata e vaksinimit, e nisur në fillim të muajit tetor, përfshin personelin shëndetësor dhe kategoritë e popullatës me risk të shtuar, me përparësi të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Nga fillimi i fushatës së vaksinimit kundër gripit sezonal deri më 30 tetor 2026, në shkallë vendi janë administruar 125 676 doza. Sipas të dhënave paraprake, rreth 75% e dozave janë administruar te personat mbi 65 vjeç. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe është vaksinuar rreth 22% e personelit shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe strukturat shëndetësore në të gjithë vendin, vijon punën për rritjen e mbulimit vaksinal dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, me synim mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara, parandalimin e komplikacioneve dhe garantimin e sigurisë së pacientëve gjatë sezonit të gripit.
