Viktima e parë e mandatit të dytë të Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara ndoshta do të jetë Ukraina

-Timothy Garton Ash, The Guardian-

Viktima e parë e mandatit të dytë të Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara ndoshta do të jetë Ukraina. Të vetmit që mund të parandalojnë këtë katastrofë janë evropianët, por megjithatë kontinenti ynë është në kaos. Qeveria e koalicionit në Gjermani zgjodhi pikërisht ditën kur u zgjuam me lajmin e fitores së Trump, për t’u shpërbërë, mes një zemërim të thellë midis aleatëve. Nëse Europa nuk arrin ta përballojë këtë sfidë, jo vetëm Ukraina, por i gjithë kontinenti do të përfundojë më i dobët, më i përçarë dhe më i inatosur, ndërsa jemi duke hyrë në një periudhë të re dhe të rrezikshme të historisë evropiane.

Edhe në Ukrainë, njerëzit po përpiqen të gjejnë një shpresë të vogël në këtë re portokalli që po vjen me shpejtësi nga Washingtoni. Edhe pa ndodhur kjo, ata po frustroheshin gjithnjë e më shumë nga pengesat e njëpasnjëshme të  administratës Biden.

Këtë shpresë e pashë mjaft qartë në një SMS që më dërgoi një komandant ukrainas nga vija e frontit. Trump, shkruante ai, “është një njeri surprizë, ndoshta gjërat do të përmirësohen”.

Do të thosha se ekziston një mundësi nga 5 deri në 10%, që presidenti i 47-të amerikan, “njeriu i surprizave”, të rrisë  mbështetjen për Ukrainën me shpresën se përmes këtij kërcënimi, do të detyronte Vladimir Putinin të pranonte më lehtësisht një marrëveshje paqeje, ashtu siç kanë propozuar disa nga mbështetësit e tij më të shquar, pro-ukrainas, si ish-sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

Siç thekson mjeshtërisht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump urren më shumë se gjithçka të duket si humbës.

Megjithatë, ka 90 deri 95% mundësi që ai të sillet saktësisht siç ka premtuar, disa herë, se do ta përfundojë luftën duke imponuar një marrëveshje. Në korrik, ai i tha Fox News: “Do t’i thosha Zelenskyt: Mjaft. Duhet të bëni një marrëveshje” – ndonëse shtoi se do të kërcënonte të jepte “shumë më shumë” ndihmë për Kievin për ta shtyrë Putinin në tryezën e negociatave. Por kushtet që parashikohen nga zv/presidenti i tij, JD Vance – pranim i ndarjes territoriale aktuale të Ukrainës dhe detyrimi i këtij vendi për të pranuar neutralitetin – do të ishin një fitore e madhe për Putinin.

Pse rënia e qeverisë dhe kthimi i Trump rrezikojnë Gjermaninë

Në realitet, ndoshta nuk ka asnjë marrëveshje që Putin dhe Zelensky mund të pranojnë së bashku me gëzim. Në një deklaratë të rrallë dhe të vërtetë, zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, vërejti: “Nuk mund ta përfundosh konfliktin ukrainas brenda natës”. Ajo që mund të bëjë presidenti i ardhshëm amerikan, megjithatë, është që të zvogëlojë mbështetjen ekonomike dhe ushtarake amerikane në një mënyrë aq drastike, sa që Kievi të ndihet në pozitë tepër të dobët dhe të detyrohet të kërkojë një armëpushim. Më keq akoma, kjo mund të krijojë atë që eksperti ushtarak Jack Watling e quajti një skenar Brest-Litovsk, ku Ukraina do të mund të përpiqej të arrinte një marrëveshje nga një pozicion kaq i dobët sa që edhe kërcënimi i një ofensive të re nga armiku mund ta detyronte të bënte më shumë tërheqje, ashtu siç ndodhi me Rusinë gjatë negociatave për Traktatin e Brest-Litovsk të vitit 1918 me Gjermaninë Perandorake dhe aleatët e saj.

Megjithatë, edhe në skenarët e “paqes me forcë” që parashikohen nga njerëzit e rrethit pranë Trump, Evropa do të duhet të bëjë shumë më tepër.

Në një artikull të shkruar gjatë këtij viti për Wall Street Journal, “Një Plan Paqeje i Trump për Ukrainën”, ish sekretari Pompeo propozonte se aleatët evropianë të NATO-s do të duhej të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3% të PBB-së së tyre dhe të kontribuonin me 80% të një fondi prej 100 miliardë dollarësh për armatimin e Ukrainës. Dhe, sigurisht, të blenin armë dhe municione amerikane. Robert O’Brien, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Trump, shkroi në Foreign Affairs se “qasjeja e Trump do të ishte të vazhdonte të ofronte ndihmë të fuqishme për Ukrainën, të financuar nga shtetet evropiane, për ti krijuar vetes mundësinë e gjetjes së një rruge diplomatike me Rusinë”.

Në nivel intelektual, shumë evropianë e pranojnë se, duke u gjendur në mes një Rusie që po ecën përpara me agresivitet dhe një Amerike që po tërhiqet me shpejtësi, Evropa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj. Me formim intelektual, Emmanuel Macron, i cili është gjithashtu president i Francës, reagoi ndaj fitores së Trump duke e njoftuar Tëittersferën (X) se kishte biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe se ata do të punonin së bashku për një “Europë më të bashkuar, më të fortë dhe më sovrane në këtë kontekst të ri”.

Por për shkak të po këtij  Macron-i vetë, Franca tani ka një qeveri të dobët dhe të paqëndrueshme, e cila, në fakt, e mbështet  mbijetesën e saj politike te populistja pro-Putin, Marine Le Pen. Edhe qeveria e Scholz u shpërbë disa orë pas shpalljes së fitores së Trump, duke lënë pushtetin qendror të Europës në një gjendje pasigurie, e cila është e mundshme të vijojë përgjatë muajsh të tërë, të kësaj krize politike.

Një nga arsyet e dukshme për shpërbërjen e koalicionit ishte refuzimi i liderit të Partisë së Liberale, njëkohësisht dhe ministër i Financave, Christian Lindner, për të miratuar një ndihmë urgjente shtesë prej 3 miliardë eurosh për Ukrainën, në kuadër të një pakete emergjente shpenzimesh prej 9 miliardë eurosh.

Europa gjithashtu është thellësisht e ndarë në përgjigjen e saj ndaj Trump. Në shumë nga më tepër se 40 shtetet evropiane të përfaqësuara në Samitin e Komunitetit të Politikës Evropiane që u mbajt dje në Budapest, ekzistojnë forca politike të rëndësishme që e mbështesin me entuziazëm presidentin e ri të SHBA, dhe disa prej tyre janë në pushtet. Në krye të listës është lideri i Hungarisë, Viktor Orbán, mikpritës i takimit, por atij i bashkohen dbe figura si Robert Fico në Sllovaki, Aleksandar Vučić në Serbi dhe Geert Wilders, i cili është pjesë e koalicionit në pushtet në Holandë. Të njëjtën gjë mund të bëjë gjithashtu Giorgia Meloni. Edhe pse  nuk janë zyrtarisht në pushtet, figura si Marine Le Pen në Francë, Nigel Farage në Britaninë e Madhe, apo forca si AfD në Gjermani, Partia e Drejtësisë dhe Ligjit në Poloni dhe Vox në Spanjë kanë tepër ndikim në vendet e tyre. Sipas një studimi nga Europe Elects, në shtatë shtete evropiane – Slloveni, Sllovaki, Moldavi, Bullgari, Hungari, Gjeorgji dhe Serbi – një shumicë e të pyeturve do të kishin votuar për Trump, nëse do të kishin mundësinë tsla bënin këtë. Ata i’u bashkohen afro 78% të rusëve që do të kishin votuar po njësoj. Pra, Trump është zgjedhja e Rusisë.

Po me Britaninë ç’ndodh? Anëtarët kryesorë të kabinetit të kryeministrit Keir Starmer, në të shkuarën e kanë përshkruar Trump-in me fyerjet më të forta (“sociopat, simpatizues i neo-nazistëve” etj), por së fundi një komunikatë për telefonatën e kryeministrit Starmer me presidentin e zgjedhur, na tregoi se ai i shprehu “urimet më të ngrohta” dhe se ata kujtuan “me nostalgji” darkën e tyre të njohjes gjatë shtatorit. Sigurisht, kjo është hipokrizia e zakonshme e marrëdhënieve ndërkombëtare, por ka një mundësi reale që, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të Britanisë pas Brexit dhe 14 vitet e kursimeve nga konservatorët, qeveria e majtë të mund të jetë e tunduar të kërkojë një përjashtim nga “marrëdhënia speciale”, për të shmangur tarifat e ashpra me të cilat Trump kërcënon të godasë Europën.

Megjithatë, siç komentoi kohët e fundit Friedrich Merz, kancelari i mundshëm i ardhshëm i Gjermanisë, nëse Europa dëshiron të shpëtojë Ukrainën dhe të qëndrojë e fortë, përballë një bote gjithmone e më të rrezikshme, prej saj kërkohet bashkëpunim i ngushtë, së paku ndërmjet Gjermanisë, Francës, Polonisë dhe Britanisë. A mund të arrihet një unitet mbrojtës dhe diplomatik me një ndarje të tillë politike dhe ekonomike?

Kemi dy muaj kohë, deri në 20 janar, ditën e betimit të Trump si president, për të gjetur një përgjigje më të mirë. Ne duhet ta bëjmë. (Por kjo nuk do të thotë që do arrijmë ta bëjmë). përktheu T.Çela

*Timothy Garton Ash është historian, shkrimtar dhe kolumnist i të përditshmes Guardian

SHKARKO APP