Vito Kapo: Amaneti im
Nga Zenepe Luka
Vito Kapo, bashkëshortja e Hysni Kapos, ka folur ekskluzivisht për “Koha Jonë” se si do ta kujtojë bashkëshortin e saj më 5 mars, në ditën e 100-vjetorit të lindjes së tij. Vito Kapo, më 9 nëntor festoi 92-vjetorin e lindjes, ndërsa në shtatorin e vitit të kaluar kujtoi edhe 35-vjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëshortit, Hysniu. Si dhuratë të bukur në këto data, ajo kujton 35 strofat, që ka shkruar poeti Arben Duka për të dhe për Hysniun. Me një kujtesë për tu admiruar, me shqetësimin për problemet që kalon shoqëria shqiptare, gruaja e fortë, që ligjëroi në emër të gruas shqiptare nëpër botë edhe në këtë bashkëbisedim, ka dhënë mesazhet e saj, duke përsëritur amanetin e fundit.
Është e para shqiptare, që kërkon të pas vdekjes trupi ti digjet. Ajo është ndalur tek historia e dashurisë me Hysniun, tek jeta bashkëshortore ideale, sidoqë e shkurtër, mungesa e tij në kohët më të vështira. 94-vjeçarja nuk e përmban gëzimin që u vlerësua me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, si veterane e luftës dhe se është ndjerë keq, që është sulmuar nga Berisha për këtë shkak. “Edhe pse jam në vitet e fundit të jetës- thotë ajo,- jam krenare, që ashtu si i gjithë brezi im, punuam dhe luftuam me ndershmëri për të çliruar dhe më pas për të ndërtuar vendin tonë”.
Zonja Kapo. Si e keni menduar ta festoni 100-vjetorin e lindjes së ish-bashkëshortit tuaj, Hysni Kapo?
Nderi e donte të shkoja në Tërbaç, atje ku prehet Hysniu, por e kam të pamundur, për arsye shëndetësore. Gjithsesi do të pres vizita në shtëpi dhe nuk dyshoj se shtëpia do të mbushet plot me miq e dashamirës. Më kanë njoftuar se do të vijë një grup nga Tërbaçi, por edhe të afërm e miq, që nuk na kanë harruar.
Prisni të vijnë mikesha tuaja si Nexhmie Hoxha, Lenka Cuko, apo edhe ish mjeku i familjes z. Sali Berisha?
Nexhmija e ka të pamundur të lëvizë, për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa doktor Berisha, kështu jemi mësuar ta thërresim, kur e kishim pjesë të familjes, nuk e besoj kurrë se do të më urojë, qoftë edhe me telefon .Nuk është kujtuar ndonjëherë për mua, ndërkohë që u ndjeva shumë keq, që më sulmoi, kur më dhanë medaljen me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të vendit.
Sidoqoftë, në këtë ditë të shënuar, unë dua të shpreh atë që ta kam thënë dhe e ke shkruar disa herë: Amaneti im është të shkoj përgjithmonë pranë Hysnit.
Çfarë duhet të kuptojmë më këtë?
Unë Vito Kapo, ndonëse jam nga Zagoria e Gjirokastrës, po deklaroj publikisht se ua kam lënë amanet fëmijëve, që pas vdekjes të më djegin dhe hirin në një vazo ta vendosin në varrin e Hysniut, që ndodhet në Tërbaç të Vlorës. Këtë amanet e dëshirën time po ia kam përcjellë edhe Shoqatës “Tërbaçi”, që jam e sigurt se do t’i kem pranë edhe në përcjelljen e fundit. Dua të them se i kam biseduar vetë gjithçka me mjekët në spital, dhe ata ma kanë premtuar këtë gjë.
Unë që e kërkoj me insistim një gjë të tillë, them se të njëjtën gjë ka kërkuar edhe im vëlla Pirro Kondi, por fatkeqësisht nuk u bë realitet dëshira e tij. Nuk dua të lëviz varrin e Hysniut, që është një memorial i vërtetë në fshatin e tij të lindjes, por njëherësh dua të jem bashkë me të. Në këto kushte, rruga e vetme është që unë të digjem dhe vazoja me hirin tim të vendoset afër zemrës së tij. Kam ndjekur lajmet dhe më ka zënë veshi se ky shërbim i ri do të futet në Shqipëri.
Kjo dëshirë lidhet me dashurinë, që keni pasur për Hysniun, apo ka ndonjë motiv tjetër?
Po, po. Për hir të së vërtetës, duhet thënë që një nga arsyet është dashuria që kam pasur për Hysniun, madje është një nga arsyet e forta kjo. Ishim bashkë gjithë jetën dhe dua të jemi përjetësisht kështu. Duhet të dihet nga brezat, se Hysni dhe Vito Kapo janë në një varr të përbashkët në Tërbaç të Vlorës, në vendlindjen e tij që u bë edhe për mua, fshati më i dashur dhe i shtrenjtë.
Si e keni përballuar jetën, pa Hysni Kapon?
Më ka sjellë brengë mungesa e tij, pse kemi qenë një çift ideal, por ky ishte fati ynë. Kam gjetur ngushëllim tek fëmijët, nipërit e mbesat, që më kanë sjellë kënaqësinë e jetës. Ajo që më qetëson është kujdesi i veçantë i bashkëfshatarëve të tij, që e kujtojnë në çdo kohë edhe pas rënies së regjimit. Tërbaçiotët, kanë unitet dhe janë konsekuentë. Njeriun e vlerësojnë për vlerat që mbart, për atë çka ka bërë për popullin. Ata e nderojnë Hysni Kapon, njësoj sikurse ishte gjallë, dhe në poste të rëndësishme, ashtu edhe tani që nuk jeton më. Janë njerëz me kulturë që përcjellin mesazhe, se e vërteta historike duhet thënë me të mirat dhe mangësitë e saj; se askush nuk ka të drejtë të fshijë nga memoria e kombit tonë, historinë. Nuk mund ta fsheh edhe brengën që kam.
Çfarë janë 94 vitet e jetës së Vito Kapos?
Një dokumentar, që nis me luftën për Çlirimin e vendit, pastaj me ndërtimin e, punë dhe sakrificë e pafund në interesat e shoqërisë dhe veçanërisht të gruas shqiptare, që doli analfabete nga lufta. Jam në vitet e fundit të jetës dhe ndjehem e qetë, jam në paqe me shpirtin tim, që nuk kam kursyer energjitë e mia, kam punuar natë e ditë, për ti dhënë dritë Shqipërisë. Sigurisht, ashtu si dokumentari edhe jeta ka një fund për cilindo. Kur mendon fundin, kthen kokën pas dhe thua: Bëra sa munda, tërë jetën ia kushtova vendit tim. Ia kushtova me punë, sakrificë, vetëmohim, e ndërgjegjshme edhe për të dhënë jetën në luftë për çlirim.