Vjedhësi më i madh i energjisë është OST, jo biznesi!

Këto ditë e shoh të shtuar tendencën e shfryrjes së dufit ndaj biznesit. Sikur të gjithë zeherin edhe për katastrofën energjetike duam t’ia faturojmë atij. Sikur vetëm biznesi të jetë fajtori për gjithçka. Sikur ai është çelësi kryesor i së keqes në vend. Unë nuk mund të quaj biznes një sipërmarrje që vjedh energjinë elektrike, qoftë kjo kioskë, qoftë fabrikë apo supermarket. Ai  që vjedh energjinë është thjeshtë hajdut dhe kaq. Pra, them se nuk ka pse të ndyhet, apo pse të zëvendësohet emri i biznesit me vjedhësit e energjisë. Ata persona që  kanë vjedhur energjinë për të bërë biznes, janë persona fizikë me emër dhe mbiemër, njësoj si çdo shtetas në këtë vend. Ndryshojnë me shtetasit e tjerë familjarë, sepse janë hajdutët më të mëdhenj. Është normale që shteti të sulmojë së pari hajdutët e mëdhenj. Por të mos na i reklamojë ata si biznesmenë, apo të përhapë opinionin e keq për gjithë biznesin në përgjithësi.

Të gjithë e dimë se hajdutët ë vegjël janë më të shumë dhe ata, si mijtë bëjnë kërdinë më të madhe. Por janë shumë dhe janë të përhapur në të gjithë territorin. Ndaj dhe  puna për disiplinimin e tyre është shumë më e vështirë se sa të bësh zap 10-15 apo 50 të ashtuquajtura biznese në aksin Tiranë – Durrës, që vjedhin energjinë. Ajo që na vë në dyshim suksesin për disiplinimin dhe futjen një e herë e mirë nën kontroll të vjedhjeve është jo vetëm fakti i vështirësisë së terrenit dhe numri mbi 600 mijë vjedhësve të  vegjël të energjisë në gjithë vendin, por kryesisht fakti se ata janë votues dhe kjo mund ta tundojë Qeverinë të lëshojë pe prapë ndaj tyre, në një mënyrë a tjetër .Kjo do ta bënte gjithë aksionin një flluskë sapuni.

Po le t’i rikthehemi  temës së këtij shkrimi, tendencës që shohim këto ditë  për të shfryrë dufin  e urrejtjes dhe ngritur një opinion të keq mbi biznesin në përgjithësi edhe për energjinë. Këtu, të krijohet ideja  sikur i gjithë biznesi është vjedhës dhe të gjithë të këqijat na vijnë prej tij. Konstatojmë me keqardhje se sa herë ndërrojmë qeveritë, trageti i parë i tyre është biznesi, puna e parë që bëjnë më duket se është zgrapja e radhës ndaj biznesit. Ne vijmë nga një sistem i tmerrshëm që biznesin e dënoi me vdekje. Nuk ka nevojë për koment se ku na çoi kjo rrugë, ku e degraduam ekonominë kombëtarë dhe si u katandisën shqiptarët në gjysmë kufomash, me një kg mish në muaj e një kg mollë të krimbura për vitin e ri. Na duket si ëndërr e keqe e largët tani ai sistem dhe mendojmë se komunizmin e shembëm me shembjen e bustit të qoftëlargut. Komunizmi i ka rrënjët e thella tek njerëzit, tek politikanët e këtë më mirë se askush na e ka vërtetuar Sali Berisha në gjithë këto vite që na drejtoi. Duhet punë e madhe që të hiqet nga zemra dhe mendja e njerëzve,nga mentaliteti e bota  e tyre kjo e keqe, që ktheu gjysmën e botës në shkretëtirë. Metastazat e komunizmit nuk i ndesh vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën Lindore janë akoma gjallë. Por vende si ky joni, me egërsinë më të egër të komunizmit që pësoi në kurriz për 50 vjet, duhet të kenë shumë më tepër frikë nga ajo kolerë. Unë mendoj se një nga testet kryesore të çlirimit prej tij, është sjellja ndaj biznesit e një shoqërie dhe sidomos e qeverive të një vendi. Është mënyra demokratike se si konsultohet me te,se si merren vendimet për të etj. Të mos harrojmë se qeveritë, parlamentet, doganat, tatimet, ushtria, policia e thuajse të gjitha institucionet e shtetit nuk prodhojnë asgjë. Është thuajse vetëm biznesi ai që prodhon gjithçka, duke filluar nga rroga e presidentit, kryeministrit, deputeteve e ministrave, ushtrisë e arsimit, shëndetësisë e kulturës etj.,etj. Është ai që prodhon bukën e tullën, hekurin e letrën, gjithçka që hamë e pimë, gjithçka që përdorim çdo ditë në shtëpi e në punë. Është biznesi që na përcakton mirëqenien, nivelin dhe cilësinë e jetës. Është gjëja më e thjeshtë t’i sulësh me shkop pemës që jep fruta. Por është gabimi më i madh të veprosh në këtë mënyrë ndaj saj, nëse frutat i duam çdo vit. T’i sulemi biznesit me rritje taksash, më gjoba, me burokraci të panumërta licencash, me bllokim lejesh ndërtimi, me korrupsion të paprekur, me rrezikshmëri e vështirësi të panumërta nga gjendja jo stabile e sigurisë etj., thjeshtë e asfikson atë, e tremb, e bën të ikë.

 Pa dashur të justifikoj askënd që vjedh energjinë, të mos harrojmë se vjedhësi dhe shkatërruesi më i madh i bizneseve tash 24 vjet në këtë vend janë: KESH, OSSH dhe CEZ. Po të shkojmë e  vizitojmë cilindo biznes e fabrikë në vend, jam i bindur se do vërtetojmë se nuk ka një biznes në Shqipëri që nuk i fikën 5-10 herë në ditë dritat, që nuk u shkërmoqet prodhimi nga masakrat e ndërprerjes së  energjisë, që nuk i shkallmohet teknologjia me atë lloj tensioni skandaloz që u ofrojmë, që nuk u gumëzhijnë gjeneratorët një pjesë të madhe të kohës, që nuk u shkatërrohen programet kompjuterike,që të mos u paguajnë korrupsion punonjësve të KESH, CEZ apo OSSH për një linjë të re, për një mirëmbajtje linje apo thjeshtë për një takim çelësi…Nëse i vëmë në kandar vjedhjet  e energjisë, me dëmet që shteti, përmes enteve të tij skandaloze të energjisë i ka biznesit, mendoj se janë baras ose rëndon peshorja më shumë nga dëmet. Por këto dëme i pason pjesa e shëndoshë dhe e heshtur e biznesit, e cila përpiqet të mbijetojë me shpresë se po vjen ajo ditë që dikush do të kujtohet se biznesi është partneri më i madh dhe më i rëndësishëm i çdo qeverie dhe se pa te nuk ka ekonomi e  as jetë në një sistem kapitalist.

SHKARKO APP