Vjosa në gjyq
Nga Hyskë Borobojka
Në këtë rrëfim nuk bëhet fjalë për ndonjë qenie njerëzore, që mban si kapistall emrin “Vjosa”, por për lumin “Vjosa”, që buron nga malet e Pindit e vjen në Shqipëri për t’u derdhur në detin Adriatik. Një ditë prej ditësh, disa qytetarë nga rrethi i Fierit dhe i Vlorës, u mblodhën në një “tubim” dhe vendosën ta padisnin këtë qerrata lumë në gjyq, për dëmet e mëdha që u ka sjellë e u sjellë me ujërat e valët e tij të papenguara. Ishte një gjyq i pa parë e i pa dëgjuar, ku i “paditur” ishte një lumë. Qytetarët e rrethit të Fierit e të Vlorës, për të mbrojtur padinë e tyre përpara trupit gjykues, pajtuan lulen e avokatëve. Ndërsa lumi “Vjosa” vendosi ta bënte vetë mbrojtjen. Padija u dorëzua në gjykatë. Kjo e fundit hodhi shortin se cili grup gjyqtarët do të shqyrtonte e ta gjykonte “konfliktin” ndërmjet palëve dhe caktoi ditën e orarin e gjykimit. Të dy palët, si paditësit bashkë me avokatët e tyre, ashtu dhe i padituri, zunë vend në sallën e drejtësisë. Kryetari i trupit gjykues, si mori identitetin e të dy palëve, iu drejtua të paditurit, duke i thënë:
-I padituri lumi “Vjosa”, Qytetarët e dy rretheve ankohen, pasi me ujin tënd të shumtë u ke shkaktuar shumë të këqija e dëme të mëdha!
-E keni gabim! – e ndërpreu i padituri lumi “Vjosë”. – Unë, zotërinj gjyqtarë, u kam sjellë, jo të këqija, por shumë të mira, e begati, për të marrë rendimente të larta në tokat e tyre.
Ligjërimin e tij e ndërprenë, me një gojë, avokatët e palës paditëse, duke thënë:
-I padituri lumi “Vjosa”! Mos u mburr me të shkuarën e mos u hidh degë më degë por trego përpara trupit gjykues dëmet e mëdha që u ka sjellë klientëve tanë tani, me zullumet e përmbytjet që ke bërë dhe dëmet e mëdha që u ke shkaktuar paditësve!
Dhe të dy, lulja e avokatëve, si të vënë në garë, filluan të numërojnë të këqijat e shumta dhe dëmet e mëdha, që u ka sjellë ky lumë “i pabindur”, duke ua kthyer arat e mbjella e livadhet në këneta, gjole e moçale. Ka vënë përpara, si një ujk i tërbuar disa qindra bagëti, dhenë, lopë viça e viçokë duke ua marrë shpirtin me adhap. U ka shkatërruar serat e farishtet e u ka mbytyr prodhimet. Shtëpitë e banimit ua ka kthyer në pishina. I pandehuri…
-I padituri! – korrigjoi njëri nga anëtarët e trupit gjykues.
– E drejtë, më falni, – kërkoi ndjesë avokati dhe vazhdoi: – I padituri lumi “Vjosa”, duke qenë një nga lumenjtë më të fuqishëm të vendit, ka shfrytëzuar pa kriter fuqinë e tij grryerëse, duke mos pyetur fare se tokat ishin të mbjella e shtëpitë të banuara nga njerëz e hauret e stallat me bagëti. Ka shkatërruar penda, kanale, panele, prita e çdo gjë që i ka dalë përpara, duke harruar, që sipas pedologjisë, për formimin e një shtrese toke duhen disa vjet, kurse ky, si një kusar, i grabit brenda një jave për t’ia dërguar peshqesh detit Adriatik. Është treguar edhe prishës i qarkullimit rrugor. Sa herë del nga shtrati, i kthen rrugët në lumenj e këneta, duke i detyruar njerëzit e gjorë të mbathin çizme të gjata gjahu apo të kalojnë në to me varka. Për zullumet që i ka mbjellë miletit ky plangprishës, rapsodët me çifteli e të tjerë me polifoni këndojnë: “Dolli lumi Vjosa dhe mbyti dynianë,/ Baba Edi Rama, të puthim tabanë./ Le malli që iku, po shpëtona xhanë,/ Baba Edi Rama, të puthim tabanë!”
-Po ç’faj kam unë, zotërinj gjyqtarë.- e mori fjalën i padituri. – Kam qenë dëshmitar okular, që shumë nga këta që po më padisin mua për dëme e duan shpërblim, turreshin me çfarë t’u vinte për dore dhe prishën hidrovorët e kolektorët, shkatërruan argjinaturat e kanalizimet, prenë pemët dhe drurët e pyllit buzë meje, zhduken pritat, rrëmbyen rërën e zhavorrin tim për të bërë ndërtime. Sipas dëshirës e qejfit ndërtuan banesa buzë shtratit tim, mbi kolektorët e kanalet, duke mos lënë gjë nga ato që ishin ndërtuar më parë.
Njëri nga avokatët, që mbronte të dëmtuarit e rrethit të Fierit bëri edhe një akuzë tjetër:
– I padituri lumi Vjosa, bën edhe hatëre e kompronise, që duken ashiqare. Zhvillon marrëveshje të fshehta me rrethin e Vlorës, për t’i shkaktuar dëme më të mëdha rrethit tonë të Fierit!
Trupi gjykues s’e mori parasysh këtë vërejtje dhe vazhdoi seancën.
-I padituri lumi “Vjosa”! Mos u mundo që fajet tënde t’ua hedhësh të tjerëve. Ato që ishin ndërtuar i përkisnin një sistemi tjetër, që u përmbys. Dhe me që ai u rrëzua, si mund të mbeteshin në këmbë gjurmët e tij?!
Ndërsa kryetari i seancës pyeti e donte të dinte ç’thoshin e ç’masa merrnin qeveritarët dhe deputetet që vizitojnë të dy rrethet, kur i shohin tokat e rrugët të mbytura e shtëpitë që notonin në ujë. Pyetjes së tij iu përgjigj njëri nga pala e dëmtuar, duke thënë.
-Vinin e shkonin, kapardisur në makina luksoze, disa mbathin dhe çizme të reja dhe na mbajnë me premtime. Betoheshin për qiell e për dhe, jo vetëm do të marrin masa të “forta”, që me të ardhur behari pa miza, do t’i vënë fre lumit të “pabindur” që këto dukuri të mos ndodhim më kurë. Madje premtojnë se për dëmet e shkaktuara do të na shpërblejnë lek më lek dhe ikin andej nga kanë ardhur. Ndërsa premtimet e tyre i merr lumi e era! Trupi gjyqësor, edhe pse zhvilloi disa seanca, që vazhduan, jo me orë. ditë, javë e muaj, nuk ra dot në “konsensus” (ujdi, shqip). Kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte. T’i jepte të drejtë lumit “dëmtues”, ky i fundit përveç “fajit” të madh që mbante në shtratin e tij, ishte dhurimi i ujit për vaditje e pasurimin e tokës me llum, s’kishte gjynah tjetër. Të hidhte poshtë padinë e të dëmtuarve si ankesë pabaza, apo, të dënonte më gjobë qeveritarët, që vijnë për teptilhava, si turistë, shikojnë përmbytjet e dëmet, premtojnë sa lodhen (por vuajnë nga sëmundja e harresës) dhe vazhdojnë rrugën nga kanë ardhur. Prandaj trupi gjykues vendosi ta shtynte seancën gjyqësore për të dhënë vendimin tri ditë pas zgjedhjeve lokalet të qershorit.