Vlera dhe dinjiteti i politikanit
Nga Sadedin Çeliku
Çdo punë ka të mira e të këqija, por ka dhe kënaqësi kur atë e bën mirë. Ndërsa puna e politikanit tek ne është punë pa dinjitet, por me bereqet ama. Kudo shkojmë dhe ku na zënë këmbët dhe, na tregojnë vilat se kush nga politikanët i ka, bizneset që ato kanë me pare korrupsioni, aksionet që kanë në banka e kompani të tjera dhe për bëma të tjera që lidhen me moralin e moralitetin. Dhe ndodh pikërisht që ata njerëz të cilët i ndjek hija nga pas, që kanë rekorde kriminale, i bëjnë moral të moralshmit madje dhe guxojnë e i kërkojnë votën popullit. Por ka dhe nga ata të “ndershëm” që kanë cenuar familjet me dhe pa të drejtë. Sigurisht që ka dhe mjaft të ndershëm e të moralshëm por shumica e tyre lë për të dëshiruar. Kjo është arsyeja e vërtetë që në votime nuk shkojnë më shumë se pesëdhjetepesë përqind e zgjedhësve.
Tashmë sa më shumë kalon koha aq më shumë ju del boja atyre që janë me dinjitet se të tjerët nuk kanë fare bojë. Ata, politikanët, mendojnë se paraja është çelësi i lumturisë ! Jo, gabojnë se për atë po bëhet zhurmë, kjo ju ka bërë që të humbni arsyen, ti shmangeni realitetit ku jetoni dhe të bëheni të babëzitur ndaj pushtetit.
Në një shkrim të shkruar enkas për politikanët nga Ejup Ajdini në gazetën “Bota Sot” thuhet ndër të tjera se: “Ju despotët e kohës sonë, ikni nga kjo lodhje logjike e parasë. Shpëtoni nga kjo e keqe dhe bëhuni qytetarë të lirë. Vetëm atëherë do ta kuptoni peshën e jetës dhe vlerat e të qënit njeri”.
Nismat e kohëve të fundit për dekriminalizimin e politikës në përgjithësi deputetëve dhe nëpunëseve të lartë të administratës publike në veçanti, po bëhet një komedi e vërtetë. E vetmja gjë që vlen është se media nuk është në krizë sepse kanë punë sa të duash. Si të mos mjaftoi kjo, tash e sa ditë po debatohet rreth asaj që u quajt korrupsion e vjedhje me përmasa të mëdha në korporatën e shitjes së energjisë elektrike. Analistët vrapuan menjëherë tek emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut për të kapur të korruptuarit dhe u vendosën kush në rolin e prokurorit, kush të hetuesit dhe ca të tjerë të gjykatësit. Njerëzit dhe qytetarët e ndeshëm kanë qëndruar larg kësaj telekomedie dhe e kanë përcjellë lajmin me indiferentizëm se ata nuk fitojnë gjë. I varfëri do ngelet përsëri i varfër, i papuni nuk shpreson të filloi punë, dhe zengjini do pasurohet edhe më shumë. Ky është thelbi i çështjes që kemi përpara. Edhe atë çikë drejtësie që na ka mbetur se lëmë rehat të bëjë punën e vet sepse diagnozën ta vë politika për interesa politike dhe aspak publike. Politikanë e deputetë mësohuni të bëni punën tuaj si ligjvënës, mos u merrni me punën që nuk ju takon dhe zbrisni poshtë në popull të mësoni se sa vuajnë ata. Ju jeni fajtorët kryesorë që ekonomia shkon rrokopujë, ju s’doni që të bëhet drejtësia dhe po ju jeni e keqja e këtij vendi, ndaj na lini rehat në hallet tona.