Vlora dhe Pasarela e Beton Show
Nga Viola Thoma
Ecnim drejt Vlorës! Teksa hynim në qytet, mundnim të ndjenim trysninë e një presioni të madh, që pësonte një qytet i lënë në harresë, të paktën kështu ndihej në ajër.
Po, po, në harresë të plotë madje!- kuptohej nga disa debate pak më tej makinës që kishte ndaluar. Madje dhe pasagjerët që sapo kishin mbërritur së bashku psherëtinin:
Uh, moj Vlorë!
Sapo kaluam Drejtorinë e Policisë Vlorë, filluan zhurmat dhe lëvizjet, po ç’të ishin?! Vallë të kishte njerëz ky qytet kaq i madh?! Vlora që vite më parë ishte shpallur Mbretëresha e Bregdetit Shqiptar ndoshta?!
Nuk duhej ta mendoja më, do të më përzinin që aty e të mos kthehesha më. Ishte katandisur keq, si një kënetë pa ujë, që në hyrjet qytetit dreqi e mori.
Zbres prej makine dhe vetëm ecnim në këmbë nëpër rrugët boshe, ishin duke u ndërtuar dhe me zor prisja t’i shihja përsëri të rregullta, ashtu si një “shtëpi kukulle”, ashtu si i kishin lezet Vlorës. Rruga më takoi me një vlonjate, mikesh gjimnazi, kohë më parë. Quhej Isilda.
“ U ktheve?” –më pyeti, pa më përshëndetur.
S’iu përgjigja, sepse më kishte marrë mendjen boshësia dhe ndjesia prej shkretëtire, aty, m’u në qendër, aty ku xhamia, mblidhte a s’mblidhte më njerëz.
“Tërheq vëmendje e di. Shikoje si është bërë Vlora jonë!”. Më tregoi me gisht gjithë rrugën,. që dukej si gërmadhë, deri te kryqëzimi poshtë Teatrit “Petro Marko”.
“Të paktën këtu janë hequr gërmadhat dhe njerëzit po përpiqen të modelojnë fasadën”-pëshpëriti duke justifikuar.
Eh ç’të modelonin?! Mund të shikoje qartë vetëm pleq që vajtonin duke u ankuar dhe të rinj që ndërtonin gjithë inat. Ndërsa më poshtë rripit të rrugës pa semaforë, plot zhurma dhe makina të mëdha që na kalonin përpara syve duke tërhequr osh mbetjet e një dyqani mishi pak më poshtë.
“Eh moj bijë, mos u habit” – foli një grua, teksa po priste të kalonte rrugën. – “Vlorën e mori lumi” dhe vazhdoi të ecte.
Ishte lënduese ajo skenë, ndërkohë asnjë përgjigje, në kapërdije e sipër të gjithë asaj katrahure ende përplaseshin mendime: Më mirë do bëhet, do bëhet patjetër më mirë!
Akoma më poshtë, në zonën ku dikur njihej si “Fabrika e Orizit”, ç’të shikoje, po jepej një shfaqje Betoni therëse. Nga një anë zhurma shurdhuese e vinçit mbyste përsëri thirrje të dëshpëruara të grave, që qëndronin në krahë të burrave të tyre që kundërshtonin ashpër dhe mallkonin nëpër dhembë. Thua s’kishte gjë tjetër për të bërë ky popull sa duhej të vajtonte, të bërtiste?!
Show vazhdonte, kësaj herë në Bulevardin Vlorë – Skelë. Dikur ka qenë i adhurueshëm, dikur kur Bashkia vendoste drita shumëngjyrëshe dhe llambushka, që të jepnin ndjesinë se festoje në New York.
Dikur këto edhe justifikonin situatën, por në vitet e fundit, i vetmi zbukurim ishin dritat e rrugës që ndriçonin një po, një jo, një me një fazë.
Atë ditë ishin gërryer keq!
As dhjetë metra dhe era na përplasi te këmbët një flet të bardhë të katandisur keq e më keq! Ishin Traktet e hedhura nëpër qytet nga një organizatë e rebeluar.
“Kjo është një mënyrë si po u përgjigjet” – tha një zonja e quajtur Rita, pronare e një dyqani në Bulevard.
“Maskarenjtë, nuk di më populli i varfër ç’të bëj, duam të jemi brenda rregullave, këta të nxjerrin jashtë tyre, që iu mbiftë në derë ishalla. . .
Po si do ta kuptonin vallë qytetarët, se ajo ishte një mënyrë për të ndërtuar një projekt që do të modelonte Vlorën si një pasarel Parisiene?!
Nuk e kuptonin, normalisht, ato kushtonin, çdo gurë aty ishin djersë të hedhura poshtë.
Mallkimet vazhdonin, ndërsa morëm fletën në dorë, ishin të hedhura gjithandej mesa vumë re. Lart ishte shkruar: ‘Ngrihuni kundër Diktaturës!’
Vepër e ndonjë krahu politik apo . . .?
Ajo tundi kokën. Kuptohej qartë, njerëzve u kishte ardhur në majë të hundës, ndërsa më vinte keq, më vinte keq për qytetin. Por isha dhe optimiste se gjithçka do rregullohej! Ishte një organizatë, që kësaj here nuk ishte ngritur për gërmadhat që po tundnin dheun, por për dritat.
Ku ishte Vlora e disa viteve më parë? Vlora me detin e kaltër dhe rrugët plot pastërti? Vlora me pushuesit e mahnitur dhe krenarinë e lartë? Vlora me gjithë hijeshinë e saj.
“Jemi si peshku pa ujë” – vazhdoi të fliste Isilda Lama, që për një çast e kisha harruar që ishte karshi meje.
Nuk fola, sepse se kuptoja aq thellë për aq kohë sa kisha vite që isha larguar.
Më tutje veshi na zuri dy gra, ishin të moshuara dhe debatonin më zë të lartë, njëra thoshte:
“Ja qyteti ka lezet, Vlora duket ndryshe, mirë bëri që ua prishi të gjitha, u bënë këta …”
Ndërsa tjetra e kundërshtonte me duar dhe me këmbë: Çfarë lezeti thua moj, jemi bërë si Iraku!”
Pak ndjenja motivuese, dëgjova për herë të parë në gjithë atë shëtitje edhe disa thërrime optimizmi. Kishte dhe njerëz që ishin optimistë se Vlora do të bëhej më e bukur për sezonin e ri, edhe unë thellë- thellë e besoja fort, por ato pamje, ato gërmadha ishin trishtuese, ato lëndonin e martë një djall këtë punë.
Në skelë, ndërkohë, mund të dalloje gjithë hapësirën e thatë, m’u kujtua pema thatiqe që ishte vendosur për festat e fundvitit tek “Kulaçi në Skelë”, i njohur ndryshe. Një tallje idiote që nuk ishte e nevojshme dhe dukej se ishte fundi i Pasarelës në pjesën e parë të qytetit. Ndërsa sytë vërdalliseshin sa andej këtej, ndaluan tek një vajzë e re që shiste në rrugë sheqerka. Ishte një kioskë, s’di se si kishte shpëtuar pa u hequr që aty.
“Po ju?!’ – i pyeta.
M’u kthye një shikim gjithë inat dhe urrejtje, prisnin nga momenti në moment të shkonin dhe t’u dërgonin thirrjen, ndërsa nxituam ti shpjegoja kush ishim.
-Jemi qytetare të thjeshtë!
“E di që duhen dëmshpërblime të majme, ku do t’i gjej lekët ky popull? Ku do mbytet ky popull?!”
Ishte një situatë e ndjerë, mund të përgjigjeshe vetëm me heshtje sepse çdo përgjigje tjetër do të kundërpërgjigjej me mllef, inat dhe zemërim.
Mesa kuptuam quhej Ermira, nga dikush tjetër që i foli. Nxituam të iknim më afër nga deti. Flitej e përflitej në gjithë qytetin se projekti do të ndryshonte Vlorën, madje do të sillte mijëra turistë gjatë gjithë sezonit turistik, por kur do niste, pa lëre të përfundonte?! Quhej Lungomare projekti i shumëpritur, se thua se nuk kishte emra shqip, por edhe kështu tingëllonte këndshëm për turistët ama, se banorët, me siguri do t’i thërrisnin si dikur: Zona e Plazhit të Ri.
Kjo ishte! Askush nuk përgjigjej për atë gjendje, askush nuk po merakosej për ato qindra familje që vuanin, ulërinin mes rrugës dhe gjithandej përmendej dëmshpërblimi prej 5 milionë lekësh.
Po çfarë ishte kjo gjobë, zërat e së cilës gumëzhinin nëpër qytet?!
Ndoshta kostot e ndërtimit të Pasarelës?! Apo kostoja e llambadarëve nëpër rrugë, apo, apo… mos ndoshta ishte INUK, i cili për hir së vërtetës në Vlorë nuk zhvillonte më aktivitetin e tij në mënyrë vullnetare?!
Nuk kishte asnjë përgjigje, vetëm pyetje retorike që përveç një ligështimi për rrënimin e qytetit, pritje dhe me padurim rindërtimin i tij!
Dhe së fundi fotografuam Pasarelën kryesore të qytetit, asaj të Bulevardit Vlorë – Skelë dhe në shkrepje e sipër u dëgjuan dy djem, që sapo kishin parkuar makinën në trotuar. Zëri i tyre për atë zot, sa një moment mendova se do sulmonin.
“E moooj, i prishët dhe po vini t’i kontrolloni duke u bërë fotografi ee?!! Shko dhe tregoja shefit shko, e sigurt që s’keni lënë gjë pa prishur!”
Çfarë përgjigje mund t’i jepte një qytetari të thjeshtë që i kishin prekur plagën e lënduar, që kishte orë që bridhte nëpër qytet dhe këqyrte në heshtje zymtësinë që kishte kapur qytetin e lindjes dhe priste më padurim ta shikonte ta shikonte atë rindërtuar?!
Përgjigje përsëri nuk kishte asgjëkund, ndërsa Show vazhdonte shfaqjen. . .