Vlora pa ujë, bashkia feston. Qytetarët rrethojnë vendin e festës: Duam ujë!
Vlorë vijon prej disa ditësh të përballet me mungesë të ujit të pijshëm. Situata ka nxitur reagimin e qytetarëve, të cilët mbrëmjen e sotme iu përgjigjën thirrjes për protestë, duke u mbledhur qindra vetë në qendër të qytetit.
Protesta zhvillohet përpara Teatri Petro Marko, ku qytetarët shprehin revoltën ndaj pushtetit lokal dhe qendror, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për krizën e ujit. Zgjedhja e këtij vendi nuk ishte e rastësishme: në të njëjtën kohë, Bashkia e Vlorës po organizonte një festë fundviti për punonjësit e saj në ambientet e teatrit.
Tragjiko-komike kjo kur qytetarët kanë 72 orë pa ujë në shtëpi, bashkia feston me punonjësit e saj!
“Duam ujë!” ishte thirrja kryesore e protestuesve, të cilët theksojnë se mungesa e ujit prej ditësh është e papranueshme, veçanërisht në prag festash. Gjatë protestës ka edhe momente tensioni me policinë, e cila ka marrë masa për të ruajtur ambientet ku po zhvillohej aktiviteti i bashkisë.
Qytetarët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë nëse nuk jepet një zgjidhje konkrete dhe afatshkurtër për furnizimin me ujë të pijshëm në qytet.
“Duam ujë”, përsërisin protestuesit vlonjatë.
Ata kanë pushtuar sallën duke bërë thirrje që të vijë ti takojë kryetarja e bashkisë.
Ndër të tjera protestuesit thërrasin “Poshtë qeveria”.
Nga ana e saj Bashkia sqaron se po punohet me të gjitha mjetet për të riparuar difektin që ka sjellë mungesën e furnizimit me ujë.
KOHA JONË SONDAZH

