Vlorë- Në rritje numri i punishteve të qumështit, problem ambalazhimi dhe marketimi
Punishtja e përpunimit të qumështit “Beja” në fshatin Vllahinë, është ndër më të njohurat në zonë. Pronari i saj, 58 vjeçari Qatip Beja, e ushtron këtë aktivitet prej rreth 18 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe ka shtuar prodhimin dhe cilësinë, duke u prezantuar në treg me produkte cilësore. “Prodhimin e tregtoj në Tiranë dhe tani së fundi kam lidhur edhe një kontratë me një supermarket në Vlorë”, thotë Beja për ATSH-në. Ai tregon se, nuk i mbetet asgjë në depon e punishtes (baxhos). Përpunon mesatarisht 6-7 kv qumësht në ditë, por në kulmin e sezonit ky tregues arrin edhe në 9 kv.
Djathi, gjalpi, kaçkavalli e gjiza e kësaj punishteje tregtohen “rifuxho”(të paambalazhuara), për shkak të mungesës së një makinerie, por gjithsesi, ato pëlqehen mjaft nga klientët. 58 vjeçari tregon se, gjatë këtyre viteve, numri i baxhove dhe konkurrenca në këtë zonë janë rritur. Vetëm në këtë fshat funksionojnë aktualisht 4 punishte, krahasuar me një të vetme që funksiononte deri pak vite më parë.
E njëjta tendencë konstatohet edhe në zona të tjera të rrethit të Vlorës. Punishtja e përpunimit të qumështit “Balla” në fshatin Gjorm, 35 km në juglindje të Vlorës, një ndër më të njohurat në zonën e Lumit të Vlorës, tregton prodhimet jo vetëm në Vlorë, pasi ka siguruar dhe marrëveshje me kompani të njohura në Tiranë, etj, si “Erzeni”, KMY, etj. Administratori i saj, Sadik Balla, tregon se prodhimin, kryesisht djathë i bardhë dhe kaçkavall, e tregton nën emrin “Gjormi”.
Por, 69-vjeçari nuk e përjashton mundësinë që me këtë emër, të abuzohet, ashtu si edhe me prodhimet e këtij lloji të realizuara në baxhot (punishtet) e tjera të kësaj zone. Ky fakt është kthyer në shqetësim për një pjesë të madhe të prodhuesve të bulmetit në fshatrat e Lumit të Vlorës, ku funksionojnë rreth 60 punishte të tilla, që përpunojnë qindra kv qumësht në sezon, kryesisht dele dhe dhie.
Djathi i bardhë dhe kaçkavall janë mjaftë cilësorë, por prodhuesit, për shkak të teknologjisë artizanale në pjesën më të madhe, nuk kanë mundësi ambalazhimi dhe marketimi. Dhe kjo ndikon edhe në çmimin e shumicës së prodhuesve vlonjatë. Prodhuesit e kësaj zone tregojnë se dhjetra automjete frigoriferike nga Tirana tërheqin djathin e baxhove të lumit të Vlorës.
“Për shkak të vështirësive për të çuar prodhimin në Vlorë për shkak të mungesës së ambalazhit dhe marketimit, detyrohemi të japim djathin me një çmim 150-200 lekë për kilogram më të ulët se tregu”, tregon Mehmeti, një prodhues në afërsi të fshatit Mesaplik. Ai thotë se, djathi shitet “rifuxho” sepse për etiketë as që bëhet fjalë. Dhe kështu, megjithëse numri i punishteve të qumështit dhe cilësia e produkteve të bulmetit rriten, problemet ngelen po ato. Ata që e pësojnë, janë prodhuesit të cilët humbasin jo vetëm nga çmimi, por sidomos dhe më e rëndësishmja, nga emri. “Ne kemi djathë mjaft të mirë kaçkavall, apo të bardhë, por ata humbasin nën emra të tjerë si, psh “Gjirofarma” që nuk janë më cilësorë se ne, por që për shkak të emrit, pëlqehen më shumë nga njerëzit”, thotë 69- vjeçari Balla, i cili megjithëse ka një punishte të përparuar, nuk arrin të bëjë ambalazhimin. Ky është një shqetësim për prodhuesit e bulmetrave në Lumin e Vlorës, ndaj dhe kërkojnë ndihmë për të realizuar marketimin e prodhimeve të tyre.