Voce Zela

Nga Edison Ypi

Nga krismat e zborreve, duartrokitjet e kongreseve, zhurmat e traktorave, britmat e aksioneve, marshet e parakalimeve, shqiptarët do ishin shurdhuar ose çmendur nëse të gjitha këto nuk do t'i neutralizonte 1 zë i vetëm, Voce Zela.
Voce Zela kurrë dhe për asnjë çast nuk ka qënë festival, vals, shi, lemzë, djalosh, fëmijë i parë, lumturi, gërshet.
Voce Zela ka qënë, është, dhe përgjithmonë do jetë vetëm frymë, eter, që me materialitetin s'e lidh asgjë vulgare, meskine, mediokre.
Voce Zela është një fenomen eternal, një pasuri e pamatëshme, një frymë e pashkatërrueshme, Kumt Providencial.
Voce Zela është ajo dritëza e vogël që del nga brenda qënies gjeniale për të mos e lënë terrin të bëhet krejtësisht i zi dhe udhëtarin ta humbi udhën edhe në natën më të skëtërrëshme.
Voce Zela është ajo arësyeja misterioze që edhe jetës më fatkeqe, i jep një shkak për të qënë deri në fund e dashur.
Voce Zela ishte një element kompensues, një faktor ekuilibrues, që nuk e la dëshpërimin të bëhej shkatërrues edhe kur proletarët ulurinin, fshatarët rënkonin, shkrimtarët spiunonin, të talentuarit vuanin.
Për dhjetra vite Shqipëria ka qënë skëterrë dhe shqiptarët ishin minj me krahë, lakuriqë nate. Por shpresa nuk dha kurrë shpirt, mes tjerash, falë Voce Zelës.
Për të neutralizuar deridiku efektin vdekjeprurës të helmit që hidhnin festivalet, filmat, librat, Zoti u solli Shqipërisë dhe shqiptarëve Zërin e vet, Zërin e Voce Zelës.
Voce Zela është shembulli i altruizmit ekstrem për të cilën vetvetja gjeniale nuk ekziston.
E pafundme dhe e mbyllur si Universi, Voce Zela u paksoi shqiptarëve robërinë dhe u shtoi sa mundi Lirinë.
Kur këndonte Voce Zela, dimrin e ngrohte, beharin e freskonte, malet i sheshonte, detet i thante, kohën e ndalte. 
Voce Zela ende këndon;
Psherëtin me zë të Saj, jet' e trembur se mos vdesi.

SHKARKO APP