Von Der Leyen mbërrin të mërkurën në Tiranë, takon Ramën dhe Begajn
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbërrin pasditen e së mërkurës në Tiranë, në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor. Vizita e saj në Shqipëri nis rreth orës 16:00. Takimi i parë do të jetë me kryeministrin Edi Rama, me të cilin pritet të zhvillojë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp rreth orës 17:00. Më pas, në orën 18:30, von der Leyen do të takohet me Presidentin e Republikës, duke përmbyllur axhendën e saj në Tiranë përpara se të vijojë vizitën në Malin e Zi.
Vizita zhvillohet në një periudhë kur zgjerimi i Bashkimit Europian duket se po hyn në një fazë të re. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Brukseli po shqyrton mundësinë e përcaktimit të afateve më konkrete për disa prej vendeve kandidate, mes tyre Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia. Këto katër vende konsiderohen ndër kandidatët që synojnë të avancojnë më shpejt drejt anëtarësimit, ndërsa procesi vijon të përballet me reforma të papërfunduara dhe pasiguri mbi afatet përmbyllëse të negociatave.
Sipas raportimeve, dokumentet që po përgatiten në Bruksel mund të sjellin për herë të parë një orientim më të qartë mbi kohën e përfundimit të negociatave. Ideja është që vendet që përmbushin reformat dhe detyrimet e përcaktuara të kenë një perspektivë më të konkretizuar për anëtarësimin. Në të njëjtën kohë, një tjetër element i diskutimit lidhet me mënyrën se si do të funksionojë BE-ja pas një zgjerimi të mundshëm.
Radio Evropa e Lirë, duke iu referuar një drafti të dokumentit të përgatitur nga Komisioni Europian, raporton se po shqyrtohen mekanizma që do të kufizonin, gjatë viteve të para të anëtarësimit, mundësinë e shteteve të reja për të bllokuar vendimmarrjen e BE-së. Sipas të njëjtit draft, shtetet anëtare ekzistuese do të kishin gjithashtu mekanizma për të reaguar në rast se një vend i ri devijon nga detyrimet e pranuara gjatë procesit të anëtarësimit.
Ndryshime të mundshme parashikohen edhe në përbërjen e Komisionit Europian. Sipas raportimeve, një prej propozimeve është reduktimi i numrit të komisionerëve, nga një për çdo shtet anëtar, në një numër që do të përfaqësonte rreth dy të tretat e vendeve, përmes një sistemi rotacioni të barabartë.
Në këtë kontekst, vizita e von der Leyen në Tiranë merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, e cila vijon procesin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Takimet në Tiranë pritet të shërbejnë edhe si një mundësi për të diskutuar ecurinë e reformave, hapat e ardhshëm të negociatave dhe perspektivën europiane të vendit.

