
Juristi Kreshnik Spahiu vlerëson se kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, po fiton gjithnjë e më shumë peshë në skenën opozitare shqiptare, duke e cilësuar atë si rivalin kryesor të Partisë Demokratike për përfaqësimin e opozitës. Spahiu i atribuoi Qorit meritën për mbajtjen e protestës larg ndikimit të kryedemokratit Sali Berisha.
“Arlind Qorin ta shënojnë në piedestal, për t’i bërë një monument historik. Ai ka hyrë në historinë politike që nxori Berishën 6 muaj jashtë bulevardit”, u shpreh Spahiu. Ai shkoi edhe më tej, duke parashikuar se në garën për Tiranën, kandidati i Lëvizjes Bashkë mund të marrë më shumë vota sesa Partia Demokratike. “Kam bindjen që ai do marrë më shumë vota se PD. Është sot rreziku kryesor i llogores opozitare për të marrë flamurin e opozitës”, deklaroi juristi në ”Report TV”.
Spahiu u ndal edhe te e ardhmja e protestave që prej muajsh zhvillohen në kryeqytet. Ai këshilloi protestuesit, veçanërisht studentët, që të mos mbeten të varur nga partitë ekzistuese, por të ndërtojnë një alternativë të re politike për të pasur përfaqësim në zgjedhje.
”Studentët duhet të kuptojnë një gjë, ose që partitë që janë mes tyre janë një pengesë e fortë, ose të zgjedhin që njëra prej tyre të jetë lidere e protestës. Pra ose të pranojnë bashkëpunimin, ose ta kuptojnë që ato janë pengesë për hapin e radhës. Studentët duhet të krijojnë partinë e tyre politike, nëse duan të shkojnë drejt një modeli të suksesshëm. Pra duhet të krijohet lëvizje e re, përndryshe do të jenë viktimë e shkopave që vendosin nën rrota partitë e vjetra politike”.
