Vota shqiptare pro flamurit palestinez në selinë e OKB-së: A përligjet një mllef antiqeveri?

Nga Ylli Pata

Prej disa ditësh, opinioni publik shqiptar është bombarduar me disa qëndrime që kundërshtojnë ashpër votën e delegacionit shqiptar në Kombet e Bashkuara për të vendosur flamurin e shtetit të Palestinës në “Pallatin e Qelqtë” në Nju Jork.

Dy ish-ministra të Jashtëm dhe një ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e kanë cilësuar votën e Tiranës zyrtare si “thikë pas shpine” dhe tradhti ndaj aleatëve tanë të mëdhenj Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimit Europian.

Zhurma për Palestinën, është në fakt një furtunë në gotë uji, pasi nuk bëhet fjalë për votimin mbi pranimin e Palestinës, por për një veprim protokollar.

Por realisht zhurma ka qenë e njëjtë, pikërisht kur kryeministri Edi Rama vizitoi Stambollin vetëm tre javë pas vizitës së presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan në Shqipëri.

Pikërisht, ai takimi i Ramës në Stamboll me ajkën e biznesit turk, por edhe me një takim informal me Erdoganin, mbylli axhendën e vizitës së përcaktuar më parë.

Ndërkaq, edhe çështja e Palestinës ka pikërisht lidhje me Turqinë dhe me një marrëveshje normale mes Ankarasë dhe Tiranës për të mbrojtur interesat e popullit palestinez.

Ambasada turke në OKB, ka qenë iniciatorja e asaj rezolute, e cila pati sukses dhe arriti të marrë votat e shumicës së anëtarëve të OKB-së.

Por këtë veprim, ish-ministrat Tritan Shehu, Kastriot Islami dhe ish-ambasadori Agim Nesho, e kanë cilësuar si jo luajal ndaj aleatëve strategjikë dhe si një marrëveshje e “fshehtë” me Turqinë.

Realisht, siç mësohet nga burime diplomatike, nuk bëhet fjalë për një pakt të fshehtë, por për një bashkëveprim normal që ka nisur që prej vitit 2012, por atëherë Tirana zyrtare e shkeli marrëveshjen e marrë.

Por ç`ndodhi në dhjetorin e vitit 2012?! Kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha i premtoi homologut të tij turk të asaj kohe, Erdogan, që Tirana zyrtare do të votojë pro njohjes së shtetit Palestinez në OKB.

Por kur erdhi momenti, Shqipëria abstenoi dhe rezoluta nuk arriti të kalonte. Nuk ishte vetëm Shqipëria, por siç e tha vetë Erdogan i nxehur para kamerave të televizioneve në vendin e tij: “Vendimi i atyre që ndryshe thonë e ndryshe bëjnë, është i pabesë dhe marrëdhëniet nuk janë si më parë”.

Dhe në fakt marrëdhëniet mes Berishës dhe Erdoganit që prej atij momenti nuk ishin si më parë.

Por ç`ndodhi në Tiranë?!

Si papritur, kryeqyteti shqiptar u mbush me rabinër, tregtarë izraelitë dhe një frymë e shtuar hebraizmi, kur në fakt në Shqipëri hebrenjtë nuk kanë qenë në numër të madh dhe asnjë kompani izraelite e madhe nuk ka investuar në vend.

Shqiptarët kanë marrëdhënie të mira me hebrenjtë, ku siç dihet, gjatë Luftës së Dytë Botërore familje të tëra myslimane në mbarë vendin strehuan hebrenjtë e ardhur nga Gjermania dhe Ballkani duke i quajtur si pjesëtarë të familjes.

Por fryma që u dha pas vitit 2012 ishte një karshillëk ndaj Palestinës, e cila edhe në kohën e diktaturës komuniste ka pasur marrëdhënie të mira me Shqipërinë.

Në dhjetorin 2012, ambasadori palestinez në Tiranë u shpreh i zhgënjyer.

 “Ne shpresonim në mbështetjen e qeverisës shqiptare. Shpresonim që Shqipëria të radhitej me ata që votuan pro. Nuk jemi të zhgënjyer nga pozicioni i Shqipërisë. Populli mik shqiptar qëndron krah palestinezëve, për Palestinën kjo do të thotë një fitore e madhe”, shtoi ambasadori.

Ndërkohë, për rastin e këtyre ditëve, Ministria e Punëve të Jashtem theksoi se:

“Shqipëria votoi në favor të kësaj iniciative, ashtu si dhe 118 vende të tjera. Aktualisht, vendet që gëzojnë statusin e jo-Anëtarit Vëzhgues në OKB janë Palestina dhe Vatikani.

MPJ sqaron se qasja e Shqipërisë nuk përbën asnjë ndryshim qëndrimi të politikës sonë të jashtme. Shqipëria i përmbahet në mënyrë konsistente qëndrimit të saj për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme mbi parimin e dy shteteve. Çdo spekulim tjetër është dashakeq dhe dëshiron të shtrembërojë këtë qëndrim konsistent të shtetit shqiptar”.

Palestina u anëtarësua dje në OKB me statusin e vendit vëzhgues. 138 shtete votuan pro, 41 abstenim dhe vetëm 9 kundër.

SHKARKO APP