Votë akademike dhe intelektuale që Universiteti të identifikohet me Gjirokastrën
Nga Panajot Barka/Para disa vitesh botova një shkrim me titull “Fundi i paralajmeruar i një qyteti”. Fjala është për Gjirokastrën. Madje kur qyteti ishte në kulmin e lulëzimit të tij prej parave të pista. Tani qyteti i njëmijë dritareve dhe i po aq vlerave, po e përjeton realisht këtë fund të paralejmeruar. Shkaku për të qenë Kasandër lidhej me realitetin e Universitetit “E. Çabej”. Kjo se Gjirokastra i ka dhenë atij vendin e nderit në raport me veten dhe me vlerat e saj.
Pikërisht, në pikun e lulëzimit të qytetit, Universiteti po kthehej në hije të vetvetës, qoftë si institucion akademik me tradita, qoftë për nga roli i tij në shërbim të komunitetit. Në këtë plan ai nuk mundi të bënte përjashtimin nga rrenia e lirë e arsimit universitar në vend, apo edhe i shoqërisë në terrësi. Qëndrimi mospërfillës i shtetit ndaj këtij universiteti “provincial”, (që për sa i përket profesionalizmit akademik i bënte karshillek kryeqytetit për dekada me radhë), mbi supet e të cilit ishte mbështetur fati i Gjirokastrës dhe i rajonit më të gjerë, e bënte më të dukshëm degradimin e tij.
Nga ana tjetër vlerat e veta (dijen, kulturën, civilizimin, bashkëjetesën harmonike multifetare dhe multietnike etj), qyteti i mishëroi dhe ia mirëbesoi Universitetit. Por, ai tregoi se nuk diti t’i administrojë ato, jo thjesht si detyrim akademik, por sidomos, si vlera identare të një qyteti me kontribute historike për gjithë vendin.
Universiteti nuk kuptoi se Gjirokastra i kishte lenë në administrim 27 muzeume, (tanimë të shkatërruara e të vjedhura), galerinë e arteve, të dytën pas Tiranës, (tani të sakatuar, të ngrenë nga lagështia dhe dora hajdute), teatrin, orkestrën simfonike, kinemanë, një kështjellë që e klasifikon të parën në Ballkan dhe jo për nga madhësia, por nga vlerat e kulturave perandorake të mishëruara në të, një ansambël arkitekturor qytetar me dhjetra monumente kulture të kategorisë së parë, një site arkeologjik nga më të pasurat në Ballkan. Qyteti i mirëbesoi Universitetit studimin dhe vlerësimin e marrëdhënieve tradicionale shoqërore nga më interesante në botë, emra personalitetesh që u bënë shtylla vertebrale e identitetit kulturor e kombëtar të vendit etj, turizmin dhe perspektivën ekonomike e kulturore të tij.
E ndërsa dimesioni i trashëgimisë i jipte qytetit të drejtën të kthehej në pasuri botërore të mbrojtur nga UNESKO, Universiteti mbyllej në guackën e tij, “të dijës për dije”. Vetpërjashtohej nga misioni i tij i dyfisht, i administrimit dhe udhëheqjës së këtyre vlerave.
Rrudhja e tij nuk i shërbënte qytetit as edhe në aspektin semplist e pragmatist. Pakësimi i studenteve, solli pakësimin e pjesës më aktive të konsumit, që stimulon tregun dhe gjallërinë rinore. Ndërsa shndërrimi i studentit nga subjekt dijesh në objekt përfitimi, i hoqi Universitetit të drejtën morale për të qenë pjesë dhe pararojë e komunitetit, duke kultivuar kompleksin e fajit, me gjithçka ai peresupozon. Zbehu fillimisht integritetin për të patur mbështetjen shtetërore për të dalë nga zgripi. Madje, nuk pati as forcën e moralin për të përballuar padrejtësitë ndaj tij. Kjo erdhi edhe për shkakun se gjirokastritët, humbën besimin ndaj Universitetit. Gabimisht lëjuan që ai të konsiderohet pronë e klaneve të caktuara brenda e jashtë tij.
Kthyen në normë të sjelljës së tyre indiferentizmin deri në kultivimin e dilemës: – më mirë universiteti të mbyllet se sa i hapur. (!!) Kjo është e pafalshme për gjirokastritët e mençur dhe patriotë, për komunitetin e tyre, të emrave të shquar, për qytetin që në shekuj ka bërë kaq sakrifica për dijen, kulturës dhe civilizimin. Pikërisht këtu qëndron dhe faji i shtetit, i qeverive dhe i partive politike. Aq më shumë nuk mund të justifikojnë inteferencën e tyre me gjoja pathyeshmerinë e interesave meskine edhe kur ato shpalosen në emër të autonomisë universitare. Pranimi i kësaj sfide do të thotë të bëhesh pjesë e fatalitetit për Gjirokastrën.
Universiteti është Gjirokastra dhe e ardhmja e saj është Universiteti. Ky është binomi mbi çdo dilemë, binomi që garanton dhe kthesën rilindese të tyre.
Kjo do të thotë se akti zgjedhor në univeristetin e Gjirokastrës, ndryshe nga të gjitha universitetet në Republikë, është i lidhur me këtë mision. Ndaj dhe zgjedhjet në këtë Universitet nuk mund të konsiderohen si çeshtje e brendshme e tij, por e të gjithë komunitetit. Nga ana tjetër, shndërrimi i zgjedhjeve në universitet në çeshtje publike, do të çlirojë edhe energjitë e brendshme të stafit akademik, pjesë e të cilit është marrë peng i interesave dhe presioneve.
Këtu qëndron edhe sfida e dytë. Ajo e stafit akademik. Na takon fillimisht neve të marrim përsipër ndryshimin e fateve të Universitetit, pavarësisht se kjo ka cilësinë e gurit të Sifizit. Na takon neve të tregojmë se e meritojmë të jemi pjesë e stafit ekademik të një universiteti me vlera të tilla. Na takon neve t’i japim votës tonë pavarësinë akademike dhe intelektuale. Një pavarësi e tillë e votës kërkon prej se cilit nga ne të çlirohemi nga frika kolektive dhe individuale.
Së dyti, çdonjeri nga ne duhet të bëhet i përgjegjeshëm, se pavarësisht detyrimeve, lidhjeve, klaneve, duhet të votojë ata njerëz që kanë mundësi të sjellin ndryshimin që i duhet realisht Universitetit. Të tregojë se, në rast se strukturat përgjegjese për situatën e nderë në universitet nuk duan t’i hapin rrugë ndryshimit e zhvillimit, ai di të distancohet prej tyre me votën e tij. Me një votë të tillë të tregojë se askush nuk mund të fshihet pas njerëzve të mirë e me moral të pastër me qëllim që nëser ta marrin peng nëdrejtimin e tyre.
Së treti. Në mjediset universitare ka njerëz që mbjellin fatalitet, se gjendja nuk mund të ndryshohet. Dhe më keq, këtë fatalitet e lidhin me klimën e rehatisë së krijuar duke thenë hapur se ndryshimi i pretenduar si domosdoshmëri shpetimi i Universitetit, do të prish këtë standart rehatie dhe të raportëve të përmbysura me studentin. (!!) E lidhin standartin e rehatisë vrastare të së ardhmës së tyre, me gjendjen në përgjithësi në vend dhe me garancinë e tyre gjoja politike se universiteti nuk do të mbyllet.
Por, për çdo anëtar të stafit akademik duhet të bëhet e qartë se e vërteta është krejt ndryshe. Me ligjin e ri të arsimit të lartë buxheti i shtetit mbulon vetëm një përqindje aspak të lartë të rrogës bazë. Pjesa tjetër duhet të mbulohet nga të ardhurat që siguron vet institucioni, që vijnë nga studentët, projektet, shërbimet ndaj të tretëve etj. Por nëse nuk ndodh ndryshimi cilësor, atëherë nuk mund të rritet numri aktualisht shumë i ulët i studenteve, me pasojë uljen e të ardhurave. Nëse rehatia nuk zëvendësohet me projekte dhe me shërbime ndaj të tretëve, pagat relativisht ulen. Nëse, autoriteti i universitetit nuk angazhohet që projektet dhe shërbimet ndaj të tretëve të bëhen pjesë integrale e të gjithë stafit akademik dhe jo e pjesës së privilegjuar rreth tij, atëherë rroga e shumicës do të jetë disa herë më e ulët se e kësaj pakice të privilegjuar. Nëse të ardhurat nga burimet e tjera (përveç buxhetit të shtetit) do të shkojnë masivisht për tendera dhe jo në funksion të të ardhurave të pedagogëve, rroga e stafit akademik do të jetë me e ulët se ajo e administratës.
Lë të mos harrojmë se në këtë universitet 75% e stafit akademik i duhen deri në pension mestarisht 25 vjet punë. Kjo do të thotë se ata duhet të mendojnë seriozisht për të ardhmën e tyre dhe të mos nisen nga ajo pakicë e gardës së vjetër që, për pak vjet e mbyllin karierën dhe rehatia u shkon shumë përshtat, aq më tëpër kur duan të kenë në dorë edhe paketën kontrolluese të drejtimit të universitetit.
Lë të mos harrojë ky 75 % i stafit akademik se fati i tij është i rrezikuar edhe për faktin se Universiteti, për shkak të qëndrimit të Ministrisë, por edhe të mos këmbënguljës së duhur të autoritetit drejtues të Universitetit, është i vetmi në vend me dy fakultete dhe po të vazhdojë kështu shumë shpejt mund të kthehet në akademi apo kolegj univeristar, pra të mos jetë universitet. Kredibilitetit i tij rrezikohet edhe nga fakti se nuk ka 18 anëtarë të stafit me titull profesor, pra nuk ka të drejtë të promovimit të titujve akademikë, por edhe vështirësohet shume për studimet e nivelit të tretë. (!!)
Një rrezik real i vjen universitetit të Gjirokastrës edhe nga faktori politik aq i përfolur se fundi për imitimin të Ali Pashës. Duket se ai ka gjetur një mënyrë origjinale për të menjanuar konkurencën e universitetit të Gjirokastrës në forcimin e filialit të tij të paligjshëm të universitetit të Tiranës në Sarandë. Ai synon të përkrah në universitetin e Gjirokastrësatë krah, i cili si shpërblim,të pranojë që Universiteti i Gjirokastrës të mos jetë konkurues për filialin e tij. Njëkohësisht t’i garantojë atij rolin e preferuar në tendera të siguruara në emër të zhvillimit të universitetit të Gjirokastrës.
Së fundi dua të them se këtë shkrim e aprovuan dhe vlerësuan shumë nga kolegët e mi të stafit akademik në Universitetin e Gjirokastrës. Por nuk pranuan ta firmosin atë. Gjithsesi, i ftojë t’i japin vlerë akademike dhe intelektuale votës së tyre për të mirën e vetës, të universitetit dhe të komunitetit gjirokastrit. Kjo është më e rendësishme si firma në këtë shkrim.
Shqiptarja.com