“Vuçiç dhe Hoti para Trump si nxënësit te Profesori”, Spahiu: Ja sa i kushton Kosovës njohja nga Izraeli

Njohja e Kosovës nga Izraeli u konsiderua si një nga sukseset më të mëdha që prodhoi marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Por Nexhmedin Spahiu, analist i njohur në Kosovë, thotë se shteti i tij e “bleu shtrenjtë” atë njohje.

Për Rtv Ora, ai thotë se kundrejt njohjes, Kosova do të duhet ti kthejë pronat bashkësisë hebreje dhe bëhet fjalë pikërisht për zonën ku sot ndodhet godina e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Spahiu: Ishte momenti më i volitshëm të mbërrihej një “pazar” për njohjen e Kosovës.Marrëveshja ishte më tepër marrëveshje me Izraelin sesa me Serbinë. Kosova pagoi një çmim goxha të lartë që të marrë njohjen nga Izraeli, si kthimi i pronave për bashkësinë hebrenje në Kosovë. Sinagoga ka qenë në vendin ku sot është parlamenti dhe qeveria e Kosovës, objekte qindra milionëshe. Nëse kjo duhet ti kthehet bashkësisë hebrenje mund ta imagjinoni sesa i kushton Kosovës.

Një tjetër problem është vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem që sipas tij shkakton probleme të mëdha në raport me vende të tjera që janë kundër.

Spahiu: Përveç SHBA nuk ka asnjë ambasadë tjetër të vendosur në Jeruzalem.Një çmim i lartë për Kosovën por më shumë për Serbinë.

Risia e vetme e atij dokumenti që u firmos në Shtëpinë e Bardhë sipas Spahiut ishte moratoriumi.

Spahiu: Është vetëm një ripotencim i marrëveshjeve të bëra, nuk ka asgjë të re. Veç premtimi për moratorium, Serbia të mos lobojë kundër njohjeve të Kosovës, dhe Kosova të mos kërkojë anëtarësim në organizma ndërkombëtare.

Po kush përfitoi prej marrëveshjes?

Spahiu: Marrëveshja ishte shumë e dobishme për presidentin Trump në fushatën zgjedhore sepse ka fituar lobin hebre, shumë i fuqishëm. SHBA eleminon rivalët dhe ndikimin në Ballkan, sidomos Kinën dhe Rusinë. Përfituese nga marrëveshja është dhe Izraeli. Përfitues tjetër është Serbia për shkak të zbutjes së raporteve me SHBA që i ka pasur të tensionuara. Në fund Kosova që ka marrë një njohje më tepër.

Ai u ndal edhe tek referimi që i bëri kryeministri izraelit Kosovës si shtet mysliman.

Spahiu: Kosova është një shtet laik. Netanyahu i referohej si shtet mysliman. Për më tepër në të njëjtën deklaratën Serbisë i referohej si Country kurse Kosovës State. Kanë një dallim shumë të madh.Kjo e bën të paqartë akoma nëse Izraeli zyrtarisht e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës apo do ta bëjë në proces bashkë me vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.

Jashtë  vëmendjes së tij nuk ka kaluar edhe arroganca me të cilën i trajtoi Presidenti amerikan liderët e dy shteteve.

Spahiu: Serbia mund të kërkojë gjëra të tjera për njohjen dhe të shohim deri ku do të ndajë pazarin. Serbia kërkon të marrë sa më shumë për të shitur njohjen. Në Uashington ishte një rast ideal të ndodhë por nuk ndodhi. Trump i trajtoi shumë keq presidentin serb dhe kryeministrin e Kosovës, shikoni fotografinë ku dukeshin si nxënësit para profesorit.Nuk kishte as flamur të Kosovës dhe as Serbisë. Edhe pritja që i bëri Bush Berishës ishte shumë më dinjitoze sesa kjo që Trump u bëri këtyre dy liderëve shtetërorë.

Në Uashington Kosova u pajtua që të bëhet pjesë e minishengenit ballkanik aq shumë  të kontestuar prej saj dhe Spahiu tërheq vëmendjen e mungesës së vizionit nga ana e liderëve të Kosovës.

Spahiu: Liderët e Kosovës nuk kanë vizion, nuk dinë të përceptojnë interesat e Kosovës, nuk mendojnë më larg se hunda. Imagjinoni një situatë ku vendet fqinje ti mbyllnin kufirin Kosovës. Asnjë aeroplan nuk do të mund të fluturonte në Kosovë. Nëse do të ndalonin qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, Kosova do të vdiste urie, nuk do të kishte ku të blinte as kripë. Momentin që Kosva acaron marrëdhëniet me secilin nga fqinjët i rëndohet situata ekonomike.Ka qenë një budallallëk i liderëve kosovarë që tani duhet të kafshojnë gjuhën dhe të përtypin turpin dhe me akuzat që i kanë bërë kryeministrit të Shqipërisë dhe gjithçka kanë deklaruar deri tani. Gjithçka kanë pështyrë po u kthehet mbrapsht në fytyrë.

“Vuçiç dhe Hoti para Trump si nxënësit te Profesori”,Spahiu: Sa i kushton Kosovës njohja nga Izraeli

SHKARKO APP