Vullnetarizëm…, po si?

 

Nga Entela Binjaku

Shoqëria civile shqiptare gjendet shpesh nën “stresin” e pritmënive ndaj saj. Edhe pse pakkush mendon se aktivizmi civil shqiptar i takon tërësisht kësaj periudhe dhe ka portretin e saj, sërish prej shoqërisë civile, shqiptarët presin të shohin reagime të matura dhe të zëshme. Edhe pse shumica e qytetarëve preferojnë të mbeten në pozitat e spektatorit apo “të ndjekësit” indiferent, aksionet civile të pjesëmarrësve të paktë etiketohen prej njerëzve si “punë të rinjsh”. Pavarësisht pritmënive po të gërmojmë në kujtesën shoqërore të së kaluarës sonë të përbashkët, në izolim nuk do të gjejmë as edhe gjurmë të shoqërisë civile. Kjo ka ndikuar dukshëm në skepticizmin që shfaqet sot ndaj saj. Po sikur të mos mjaftonte ky sfond i errët e bosh, shoqëria civile shqiptare u kaplua edhe nga informaliteti shumëdimensional, gjë e cila bëri të ulet besueshmëria ndaj saj tek partnerët ndërkombëtarë. Kjo nga njëra anë dëmtoi një imazh të sapokrijuar, por nga ana tjetër nxiti të tjerë të tregojnë seriozitet dhe këmbëngulje.

Sot shoqëria civile shqiptare jeton po ato dukuri dhe ka po ato tipare që ka një e re apo i ri shqiptar rreth të 25-tave: entuziazmin dhe pasigurinë, dëshirën dhe hezitimin, pasionin dhe mungesën e përvojës, pritmënitë dhe zhgënjimet, mosnjohjen e kanalizimit të energjive etj. Megjithatë në ndihmë të konsolidimit të saj nuk kanë munguar kontribues më rëndësi përmes konsulencave apo sjelljes së përvojave më të mira. Javën e kaluar lëvizja “Mjaft” dhe Ambasada Amerikane në Tiranë zhvilluan një ëorkshop me temën : “Të bësh vullnetarizëm në Shqipëri”. Në këtë aktivitet ku morën pjesë organizata të ndryshme jofitimprurëse që kanë në fokus të aktivitetit rininë dhe punën me të rinjtë, u diskutuan çështje të lidhura me vullnetarizmin, nevojën për të sistemuar ato element që e mbajnë vullntarizmin në pozitat e një strategjie të brishtë dhe me ndikim të paktë në shoqërinë tonë.

Edhe pse tek shqiptarët ekziston bindja se vullnetarizmi është shprehje e humanizmit dhe vlerësohet si i dobishëm dhe i nevojshëm, në këto dy dekada kjo strategji është aktivizuar kryesisht në raste ekstreme, siç janë përmbytjet gjatë stinës së dimrit, apo pas shpërthimit fatal i Gërdecit, pas aksidentit të shumëfishtë të  Himarës etj. Nisma të tjera janë të pakta, ose të izoluara, gjë që nga njëra anë i bën të çmuara dhe nga ana tjetër të lëna të vetmuara.

Një ndjeshmëri e tillë në raste ekstreme mund të tregojë mjaft edhe për psikën sociale të shoqërisë sonë ku është turp të hiqesh sikur nuk e ke marrë vesh, dhe nga ana tjetër mund të duket si paburrëri “të mos japësh një dorë” kur kërkohet.

Në ëorkshop-in e datës 15 prill u theksua nevoja që të gjitha organizatat pjesëmarrëse të jepnin kontributin e tyre i cili ashtu siç u shpreh edhe koordinatorja për aktivitetin Serena Leka “do të shkojë në drejtim të përmirësimit të angazhimit të përbashkët “. Ky aktivitet u drejtua nga znj. Susan Stroud, Drejtore Ekzekutive e “Risive në Pjesëmarrjen Civile” si dhe bashkëdrejtore e “Institutit të Shërbimit Global”, organizatë që i kushtohet rritjes së njohurive dhe të kuptuarit të shërbimit vullnetar.

Për ta përforcuar bindjen tonë se Shtetet e Bashkuara janë udhërrëfyes në konceptet e pjesëmarrjes qytetare dhe në vlerat e demokracisë znj. Stroud solli për të pranishmit disa statistika sipas të cilave, 62.6 milionë janë vullnetarë dhe më shumë se 36.3% janë vullnetarë të përfshirë nëpër organizata e organizma të ndryshëm. Më shumë se gjysma e amerikanëve janë vullnetarë, shifër e cila për 10 vjet ka mbetur e pandryshueshme. Sipas znj.Stroud nga sondazhet e kryera “ajo pjesë e shoqërisë që merret me vullnetarizëm është edhe më e pëlqyer nga pjesa tjetër”.

Kohët e fundit në SHBA është kryer një sondazh tek vullnetarët. Për këtë pyetësori u realizua tek ata vullnetarë që rikthehen. Sipas rezultateve të dala arsyet e rikthimit të tyre lidheshin me këto faktorë: programimi i kohës siç ju voliste, ndikimi i punës së tyre në shoqëri, mundësia për zhvillim profesional si dhe mundësia për komunikim social përmes dhënies së hapësirave për krijimin e rrjeteve.

Në këtë ëorkshop znj.Stroud ju referua edhe një botimi me vlerë në këtë fushë “Effective NGO’s. The six practices of high-impact nonprofits”, ku u soll shembulli i 12 organizatave më me ndikim dhe më të njohura në SHBA.

Mënyra se si organizohet shoqëria amerikane është përshkruar në mënyrë të përkryer nga mendimtari francez Aleksis de Tokvil i cili duke shpjeguar demokracinë amerikane në gjysmën e parë të shekullit XIX , fliste “për përpjekjet që bëjnë amerikanët për të formuar vullnetarisht grupe në shërbim të interesave vetjake për të zgjidhur problemet që nga më të zakonshmet deri tek më të rëndëisshmet”.

Ndaj përvoja e sjellë në këtë ëorkshop është një vijimësi e një kulture të krijuar dhe konsoliduar me kohën e cila mund të shërbejë si udhërrëfyese për ne këtu.

Vullnetarizmi në shoqërinë tonë mbetet ende i pavlerësuar si faktor i rëndësishëm mbi të gjitha për shëndoshjen e demokracisë shqiptare. Rritja e pjesëmarrjes qytetare në aktivitete vullnetare do të ndihmonte mjaft demokracinë shqiptare.

Por ndërkohë që nuk ja kemi kuptuar dhe vlerësuar rëndësinë, na duhet të punojmë edhe për edukimin e “brezit të mijëvjeçarit” me vlerat e tij. Shkollat natyrisht mund të bëjnë shumë në këtë drejtim, por ato nuk mund të mbeten të vetmuara në kontributin e tyre.

Të ndodhur mes asaj që “duhet” në këtë realitet që “ende nuk mundet” është e vështirë të gjendet një qëndrim edukues për brezat e tjerë. Megjithatë pavarësisht përvojës së pakët në aktivizimin civil, mungesës së traditës në shoqëri civile shqiptarët kanë një traditë të angazhimit vullnetar, larg atij të komanduar apo të detyruar.

Kujtesa kolektive nuk duhet të lërë mënjanë kontributin vullnetar të shqiptarëve që në kohë të ndryshme i janë gjendur vendit.

Kujtimet e bashkëkohësve flasin se pas Luftës Nacionalçlirmitare të rinjtë shqiptarë interesoheshin vetë të rregjistroheshin në ato fronte ku vendi kishte nevojë. Ishte koha për të ndërtuar një sistem…është ende koha për të ndërtuar një sistem…të ndryshëm nga ai që kaluam…më të mirë dhe demokratik..

SHKARKO APP