‘Xhihadi është në modë si revoltë e të rinjve’

 

Çfarë i shtyn evropianët e rinj në krahët e xhihadistëve të dhunshëm? Si mund të pengohet një rrëshkitje në ekstremizëm? Rinia duhet ta përjetojë dështimin e Xhihadit të saj, thotë eksperti i fesë islame Olivier Roy. 

Terroristët e Parisit ishin njerëz që qenë socializuar në shoqëritë tona. Çfarë i tërheq evropianët e rinj tek feja radikale islame, te Xhihadizmi?

Te ta ekziston zhgënjimi nga shoqëria. Këtu kemi të bëjmë me një rini rebele, e cila ndodhet në kërkim të diçkaje për të cilën mund të angazhohet. Xhihadi përshtatet perfekt me atë që kërkohet: kur shkon në xhihad bëhesh hero. Të del emri në titujt e gazetave. Të gjithë flasin për ty. Që njerëzit pastaj të urrejnë, ty aq të bën, sepse ti gjithsesi i urren ata. Në tregun e revoltave të të rinjve xhihadi është në modë. Para 30 vjetësh kishte ekstremistë të majtë, lëvizje revolucionare. Por ideologjia e ultra të majtëve është shumë intelektuale për këta të rinj. Ata duan gjëra më të ashpra dhe duan të luftojnë.

A ka njerëz me tendencë për t'u prekur më lehtë nga ky radikalizim?

Në Francë ne kemi myslimanë të brezit të dytë. Ata kanë lindur dhe janë rritur në Perëndim. Por prindërit e tyre vijnë nga një shtet mysliman. Këta njerëz kanë probleme në transmetimin e kulturës dhe të traditës. Shumë prej tyre, prindërit nuk ua kanë transmetuar kulturën. Ata as nuk i kanë edukuar me fenë. Prandaj ata duhet ta nisin krejtësisht nga e para. Tek salafizmi, te fundamentalizmi islamik ata gjejnë një fe që u përshtatet. Sepse kemi të bëjmë me një fe të normave, të gjërave që lejohen dhe të gjërave që ndalohen. Dhe: është një formë feje, e cila heq një vijë të qartë midis besimtarëve, "të mirëve" dhe të pafeve. Pra ndaj të gjithë të tjerëve – duke përfshirë edhe prindërit e tyre dhe myslimanët e tjerë. Në këtë mënyrë, salafizmi bëhet për ta një filozofi e gatshme për ta përdorur. Ajo u jep atyre ndiesinë se i përkasin një avantgarde apo elite, që shpëton botën.

Kjo do të shpjegonte radikalizimin fetar. Por jo gatishmërinë për të luftuar dhe për të vrarë – në rast nevoje edhe veten.

Absolutisht! Radikalizimi fetar nuk çon automatikisht në Xhihad. Vetëm një minoritet i vogël shkon në fund në xhihad. Këta janë njerëz të mrekulluar nga dhuna dhe vdekja. Kemi një dimension nihilist dhe vetëvrasës. Në Evropë ata nuk përpiqen vërtet të mbeten gjallë në atentate. Shumica vdesin direkt në vendin e atentatit. Kur shkojnë në Siri, ata regjistrohen vullnetarisht për atentate vetëvrasëse. Ose përdoren si mish për top nga Shteti Islamik. Këta njerëz me sa duket kanë një kulturë të vdekjes.

A shikoni ndonjë mundësi për të komunikuar me këta njerëz? Kur prindërit, shokët, kolegët shikojnë që djali i tyre, shoku, i njohuri rrëshkasin në një drejtim shumë të rrezikshëm?

Natyrisht që ambjenti social është shumë i rëndësishëm. Por përvoja tregon: Kur ata e kanë kaluar një pikë të caktuar, ata nuk mund t'i bindësh më. E vetmja gjë që mund t'i kthente pas është nëse ata e përjetojnë personalisht dështimin e Xhihadit të tyre. Ne kemi qindra xhihadistë, që mund të kthehen nga Siria. Disa ndoshta kanë kryer krimet më të tmerrshme atje. Por të tjerët janë të zhgënjyer dhe janë larguar nga Xhihadi. Këta njerëz mund të luanin një rol më të madh për të bindur të tjerët se nuk ja vlen që për këtë luftë të sakrifikohet jeta.

Deutsche Welle:

SHKARKO APP