Zbardhet agjenda 2-ditore: Shqipëria mikpritëse e Samitit të Procesit Brdo-Brijuni
Samiti dy-ditor i Procesit Brdo-Brijuni mbahet këtë vit në Shqipëri, më 5 dhe 6 tetor, duke vendosur në fokus çështjet kryesore që prekin rajonin dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.
Në qendër të diskutimeve do të jenë tema të rëndësishme si bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimi evropian, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, si dhe roli i të rinjve dhe hartimi i politikave për mbajtjen e fuqisë punëtore të kualifikuar, veçanërisht në grupmoshën e rinisë.
Përveç Seancës Plenare dhe Konferencës për Shtyp që do të zhvillohen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, së bashku me homologët e tij nga Sllovenia dhe Kroacia — shtetet bashkëkryesuese të Procesit Brdo-Brijuni — gjatë samitit janë planifikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Ky samit pritet të përmbyllet me konkluzione të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë si një nxitje për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare dhe për avancimin e agjendave të tyre politike dhe ekonomike.
Procesi i Brdo-Brijuni përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë. Kjo iniciativë rajonale u themelua në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia, dy anëtare të Bashkimit Evropian, si një platformë dialogu dhe bashkëpunimi për Ballkanin Perëndimor.
KOHA JONË SONDAZH

