“Zbuten” kreditë e këqija, arrijnë nivelin prej 17.66%

Kreditë me probleme ranë sërish në tremujorin e fundit të vitit 2015, duke zbritur në 17.66% të totalit.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, borxhet e këqija në banka kanë rënë me 5.1%. Ulja e kredive me probleme vjen pas disa vitesh me radhë rritje.

Në fillim të vitit 2014 të ndihmuara nga FMN dhe Banka Botërore, qeveria së bashku me Bankën e Shqipërisë hartuan një plan masash për reduktimin e kredive me probleme.

Ndër to përfshihej njohja si shpenzim i zbritshëm nga taksat i fshirjes së kredive të këqija, forcimi i ekzekutimit të garancive dhe ndërmjetësimi mes bankave dhe borxhlinjve për ristrukturimin e kredive.

Masat duket se kanë filluar të japin efekt dhe nga kulmi prej 25% e totalit, kreditë me probleme kanë zbritur në 17.66%.

Muajin tjetër, Banka e Shqipërisë do të paraqesë planin e detajuar të veprimit me 35 kompanitë që kanë peshën më të madhe të kredive të këqija, ndërkohë që brenda verës do të jetë gati edhe ligji i ri i falimentit, i cili lehtëson procedurat e mbylljes së bizneseve problematike.

Plani i uljes së kredive me probleme është cilësuar si parakusht për rritjen e kreditimit në ekonomi, që vijon të mbetet negativ. Sipas Bankës së Shqipërisë në janar stoku i kredive ishte 2.6% më i ulët se një vit më parë.

SHKARKO APP