Zef Mala, personaliteti i harruar
Nga Gjon Fierza
Janë të rrallë personalitet të cilët njëherazi janë të persekutuar (burgime, internime, vdekur në burg), por dhe të lavdishëm për vlerat; si intelektual, si drejtues politik e shoqëror, në një vend të vogël si Shqipëria. Për ata që nuk e njohin, Zef Malën, ose ata që e njohin disi ndryshe sipas të pavërtetave në Historinë e PPSH, mund të themi se është një nga figurat më të jashtëzakonshme të politikës – përfaqësues i së majtës shqiptare.
Është ky 100-vjetor i lindjes që mund të themi diçka më shumë dhe të sjellim në vëmendje Zef Malën. Në këto njëzet e pesë vitet e fundit, pas vendosjes demokracisë, për dhjetëra personalitete shqiptare të fushave të ndryshme, të vdekur apo që jetojnë, janë bërë me qindra shkrime e vlerësime, janë dhënë me dhjetëra tituj nderi, dekorata dhe dëmshpërblime, për persekutimin e tyre nga regjimi komunist. Sigurisht ky është një detyrim historik e ligjor i shoqërisë duhet të bëhet në vlerësim të kontributit dhe të sakrificave të tyre deri në flijim. E rëndësishmja është të njihen vlerat dhe meritat reale të persekutuarëve politikë, personalitetet të vlerësohen sa me realisht. Po kaq e rëndësishme është, të mos harrohen disa personalitete të tjera që ndoshta nuk ka palë të interesuara politike direkte, familjarë dhe të afërm që të nxisin apo si thonë të “sponsorizojnë” në njohjen dhe evidentimin e vlerave dhe kontributeve të tyre. Mbetet shume për të bërë, veçohet njëri, të cilit, historianët, mendimi politik e filozofik shqiptar dhe qeverisja e kohës, që vazhdojnë “ti mbeten borxh është Zef Mala”. Te ky personalitet mund të themi se ishin të mishëruara: filozofi e politikani, historiani e shkrimtari, juristi e ekonomisti, esteti e gazetari; ndoshta një njeri unikal i trojeve shqipfolëse. A jemi sot në ditët e së nesërmes së Zef Malës, që ai besoj njohjen e meritave dhe mbrojtjen e tij?! A jemi para një amaneti të pambajtur, a duhet të vinë ditë të tjera dhe sa kohë duhet të kalojë që Zef Mala të ketë vlerësimin dhe vendin e nderuar që meriton. Ndonëse ai themeloi e drejtoj njërin ndër grupet komuniste më të rëndësishme në vend, ai nuk u ftua në themelimin e PKSH, pra asnjë dite ai nuk qe anëtar i PKSH. Që në ditët e para te jetës së PKSH, do të ishte kundërshtar i hapur i veprimtarisë së sajë të drejtuar nga Enver Hoxha. Ai u dënua e u persekutua, pasi hapur me fakte dhe argumente, kritikoj Enver Hoxhën, regjimin dhe qeverisjen e tij, regresin që i solli Shqipërisë, duke larguar nga gjiri i Evropës dhe i demokracisë. Edhe pse kaluam një çerek shekulli shtet demokratik, akoma emri dhe vepra e Zef Malës nuk kanë zënë një vend të merituar në shkencën albanologjike, nuk mjaftojnë ato pak gjëra që kanë synuar në publikimin dhe njohjen e veprës dhe kontributit te tij. Ndoshta për herë të parë, në vitin 2000 një gazete e ditës do botonte një dossier “Zef Mala e themeloi Partinë para Enver Hoxhes” (D.Kaloçi). Në vitin 2002, me kontributin e vajzave (Maria dhe Esmeralda) dhe të studiuesit L.Ndoja, kemi një botim të disa shkrimeve të Zef Malës ne titullin “Vox Populli-Zëri i Popullit”. Po në ketë botim është “Testamenti politik”- Promemorie e Zef Malës drejtuar Mehmet Shehut. Në veprën “Rrno për me tregue” të ndjerit at Zef Pëllumbit ka një përshkrim të njohjes Zef Malën, duke e vlerësuar si njërin nder intelektualet dhe personalitet me të rëndësishëm të kohës. Në botimin e Ndriçim Kullës (2014), “Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar nga viti 1807 deri në vitin 1957”, Zef Mala do të ishte i përzgjedhur në këtë botim midis 25 personaliteteve të kohës, me disa shkrime publicistike të përzgjedhura nga “Vox populli”. A thua mjafton kaq për të hequr të gjithë atë “baltë të hedhur nga E.Hoxha dhe kalemxhijtë afer tij”, të konsideruar si; utopist, si tradhtarë dhe përçares të lëvizjes komuniste, me konceptet ideologjike e politike të kufizuara, etj, e shoqëruar kjo me privim të lirisë deri me dhunim të jetës për 50 vite, sigurisht që jo. Është e udhës dhe si detyrim moral i historianëve, analistëve, politologëve dhe studiueseve të ndryshëm; që të ndriçojnë figurën poliedrike te Zef Malës, si mendimtari i parë politik laik i drejtimit social-demokrat shqiptar, opozitari i shekullit 20-të.
Jeta dhe veprimtaria e tijë shumë dimensionale është ndoshta ndër më të spikaturat në messhekullin e 20-të. Në një moshë të re ndoshta me pak se 20vjeçare me shkrimet e tij që në vitin 1934 në revistën "Arbnia" më vonë në revista të tjera, do të shfaqe idetë e një iluministi social-demokrate. Shoqëria shqiptare, qysh nga vitet ’30 të shekullit të kaluar e njihte Zef Malën si nje nder themeluesit si drejtuesin e Grupit Komunist te Shkodrës, njeri ndër grupet kryesore me veprimtari jo vetëm në Shkodër por në Kosove, Tiranë, Elbasan, Korçë, etj. Veprimtaria e tij kishte një bazë teorike, kishte një angazhim aktiv politik dhe filozofik, për ndryshim dhe përparim të Shqipërisë. Me këtë qasje (ndryshe një lufte guerile), për më se një dekadë më një veprimtari të madhe politike, publicistike do të kundershtonte hapur regjimin monarkist të Zogut. Me tej ai aspironte për një Shqipëri në tërësinë e Evropës, si vend të zhvilluar e demokratik.
Zef Mala, tek analizon veprimtarinë e tij thotë: "… Në qoftë se në rininë time të parë, sentimentalizmi e fanatizmi djaloshar më patën shtyrë me përqafue idetë luftarake të lëvizjes komuniste ndërkombëtare si udhën e vetme për të përmbushur aspiratat e popujve për liri barazi, drejtësi sociale e progres të përgjithshëm, pjekuria e mendimit në një moshë ma ta shtyme me studimet e mia në ndërkohë më patën prirë tashma drejt një socializmi demokratik e liberal, humanist e kritik, si udhë e domosdoshme për të siguruar atë liri e drejtësi sociale pas të cilën asnjë shoqni njerëzore nuk mundet të ndërtohet e të përparojë."
Jeta në liri fizike e Zef Malës qe e pakët, ai u dënua me rreth 60 vjet burg. Ai u burgos dhe u përndoq që nga viti 1937 e deri sa ndërroj jetë në burgun e Tiranës me 31 dhjetor 1979, nga tre qeveri (e Zogut, pushtuesit italian dhe qeveria e Enver Hoxhës). Edhe në periudhat jashtë burgu, ai ishte i izoluar, pra e gjithë jeta dhe veprimtaria e tije mbeti në një mbikëqyrje të shtetit komunist. E si të mos mjaftonin gjithë këto dënime, në rrethana të ndryshme i janë zhdukë dorëshkrimet, mjaft libra, studime e botime të ndryshme, të gjitha këto; për të mos u njohur në thelb kush qe Zef Mala dhe vepra e tij. Duke qëndruar hapur kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës (pas viteve 50 ishin të pakët ata që mendonin dhe akoma më të pakët ata që merrnin guximin të shkruanin e dilnin hapur), por me një shpresë në të ardhmen ai në testamentin politik do të shprehej : “Unë di se në Arkivat shtetërore ruhen arka me dokumente që i përkasin aktiviteteve të mia të dikurshëm, që do të dëshiroja të baheshin publike i bindur, se nuk janë të shumtë ata persona të shquem në horizontin shqiptar tash 70 vjet e këndej që posedojnë qoftë në jetën e tyre private e qoftë në atë politike një pastërti morale e politike të krahasueshme me atë që karakterizon jetën dhe veprën time, prandaj mbrojtjen time ia kam besue Historisë se nesërme…”.
Filozofia, kritika, orientimet dhe qëndrimet politike të Zef Malës janë aktuale dhe në ditët e sotme. Këto pjese të shkëputura nga artikujt e botuar 70-80 vite më parë, për fatkeq në të shumtën e tyre duken si janë shkruar dje, pasqyrojnë këtë realitet shqiptar, këto çështje sot diskutohen e shtrohen për zgjidhje në jetën dhe politikën shqiptare, etj. Nga botimi “Vox populli” janë përzgjedh këto pasazhe.
Shoqnia shqiptare – “Kështu morali ynë shoqënor sot për sot gjendet në nji gjendje tranzicioni, këndej shpjegohet dhe moskënaqësia e ditëve tona, shrregullimi në të gjitha pikpamjet e jetës shqiptare…. Por me çlirimin politik dhe gjendja morale e popullit pati tronditje të thella, sepse përdhunimi që e mbante të lidhun deri atëhere u shkatërrue tue lëshue shoqëninë shqiptare në nji shregull që ndërronte herë pas here, simbas duerve që merrnin në dorë frenat si drejtues të shumicës. Fati ynë solli që drejtimet e ndryshme politike të jenë shpesh herë edhe në kundërshtim në mes tyne kështu nuk qe e mundun me u konsolidue hëpërhë ajo harmoni që dikush shpresonte se do të arrihej, dhe e cila harmoni do të ishte vetëm vijimi i gjendjes së vjetër, plot korrupsion në çdo shfaqje të sajën. Por megjithate korrupsioni u zhvillue edhe ma tepër tash vonë tue arritë kulmin gja që ndihmoi shumë për të dhanë shkasin për kërkesa të reja”. Mjerimi që po qajmë përditë, në realitet qe nji fat për ne, sepse mospërkimi me frymën e maparëshme ndihmoi me u zhvillue ndjenja e së resë, ndjenja e moskënaqjes me gjendjen e sotme. …”Jeta shqiptare, meqë nuk kemi pasë kurrë nji frymë krejt tonën, nji ideologji që të pasqyrojë aspiratat e popullit shqiptar, të veçuem si shqiptar, nuk mund të sinkronizohet me çdo rrymë tjetër, koha që jetojmë e vendi ku gjindemi, kanë nevojë për baza morale shoqënore krejt të reja që të përfaqësojnë jo të shkuemen por të ardhmen”. Botue në vitin 1935
Për politikën “Në Shqipni, ka pasun kurdoherë grupe dhe parti politike në kundërshtim me programet, në qëllimet, në nevojat dhe në interesat. Edhe pse në të shumtën e herëve luftimi nuk ka qenë e mundum të bahet çiltaz, secili grup asht përpjekë nën dhe, me i ba vorrin tjetrit, e triumfue mbi të”. Botue në vitin 1935