Zef Preçi: Rritja e taksave e favorshme politikisht, por jo ekonomikisht
Flet për “Koha Jonë”, eksperti i njohur i ekonomisë, Zef Preçi
“Problemi më i madh që kemi sot është se po qarkullon një shifër shumë e madhe lekësh jashtë bankave, rreth 1/3 e të ardhurave totale dhe kjo nuk është pak”. Kështu shprehet eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, në një intervistë për “Koha Jonë” teksa flet mbi situatën më të fundit ekonomike dhe politike në vend, por edhe analizon gjithashtu situatën e Bankës Qendrore. Duke përdorur më tej një citim të kryeministrit lidhur me gjendjen ekonomike aktuale se “shqiptarët ndjehen më mirë tani” …
Intervistoi: Viola Thoma
Duke marrë parasysh kushtet që ka vendosur BE-ja për kontrollimin e sistemit bankar shqiptar dhe duke marrë parasysh gjendjen e ekonomisë shqiptare, a mendoni se të gjitha këto kushte përbëjnë një risk për të?
Shqipëria nuk është e përfshirë në mënyrë të plotë në sistemin bankar europian. Ne zbatojmë disa rregulla të vendosura nga BE-ja, por në bazë, këto rregulla nuk kanë fuqi obliguese. Padiskutim që këto rregulla ndihmojnë nga rreziqet që shfaqen në sistemin bankar, si dhe makro-prudencën bankare, por në të njëjtën kohë nuk përbëjnë një detyrim për vendin. Ajo që dua të theksoj është se banka jonë qendrore nuk është e detyruar të zbatojë direktiva të Sistemit Bankar Europian. Ato janë një ndihmë dhe kjo duhet parë në këndvështrimin pozitiv, por banka jonë ka më shumë lirshmëri veprimi . . .
Si e gjykoni situatën në këto momente kur Banka e Shqipërisë është në “krizë” mund të themi?
Bankës së Shqipërisë i është cënuar fortë imazhi i saj, për shkak të vjedhjes së ndodhur, por nuk dëshiroj ta analizoj këtë çështje; ajo që dua të theksoj është se problemi më i madh që kemi sot është që po qarkullon një shifër shumë e madhe lekësh jashtë bankave, rreth 1/3 e të ardhurave totale dhe kjo nuk është pak. Pra, pasuria më e madhe kombëtare, pasi të ardhurat e individëve janë pasuria më e madhe kombëtare, nuk po i ndihmojnë aspak bankat dhe për rrjedhojë, po ngadalësojnë sistemin financiar.
Ndoshta sepse njerëzit po humbasin besimin tek bankat, një shifër kaq e lartë të cilën ju sapo e pohuat, padiskutim që vërteton mosbesimin?!
Ky është problemi i bankës në radhë të parë. Gjyqi i duhet bërë bankës, se përse ka kaq shumë para jashtë banke?! Së dyti, nëse do të vendosen përballë tri palët kryesore, aksionerët e bankave, bizneset e qytetarëve dhe qeveria një palë tjetër, atëherë roli kryesor i Bankës së Shqipërisë është fakti i të qenit një ent regullator siç është në rastin e energjisë elektrike, apo të ujit dhe shqetësimi ynë kryesor ka qenë që kjo bankë e ka vendosur veten herë-herë më afër qeverisë, duke bërë të mundur kështu humbjen disi të misionit të saj. Ndërkohë, normat e larta të interesit që qytetarët përfitojnë prej depozitave të tyre, mund të duken tepër joshëse për depozituesit, por nga ana tjetër kjo përkon edhe me një mosfunksion dhe moskontrrollim nga ana e bankës qendrore pikërisht të këtyre normave. Pra, roli i BSH-së prej një enti rregullues, duket se nuk po funksionon!
Gjithashtu, elementë të tillë si transparenca bankare, kostot e fshehta të shërbimeve bankare, si dhe produktet bankare janë të fshehura, detaje këto që çojnë automatikisht në një mosbesim të klientëve. Pra, bankat nuk po bazohen te instrumenti klasik, pra funksionim nëpërmjet kredive, dhe pikërisht në këtë moment përfshihen elementë të tjerë ndër të cilat përmendim transaksione të dyshimta, që mesa duket shkaktojnë gjithë këtë mosfunksionim. E gjithë kjo është një përgjegjësi e entit rregullator, që në këtë rast është Banka Qendrore. Dëshiroj të përmend edhe diçka tjetër, që është pikërisht qartësia se cili është roli i Bankës Qëndrore në zhvillim?! Sot Banka Qendrore nuk ka as parashikim ligjor, për të ndihmuar në luftimin e papunësisë.
Pra ju mendoni se Banka Qendrore nuk i ka zbatuar këto masa?
Jo. Banka jonë qendrore është e fokusuar te inflacioni si një term, kur në të vërtetë ne e kemi të importuar inflacionin nga vendet perëndimore, kjo për shkak të faktit se shkëmbimet tregëtare me BE-në zënë rreth 70-80%. Domethënë, sektori informal nga një anë, paratë jashtë bankave dhe volumi i madh i shkëmbimeve me BE-në, ka çuar në një vetërregullim të inflacionit, duke nxjerrë jashtë loje rolin e Bankës Qendrore. Ndërkohë, dy kërcënimet e sistemit bankar që janë vënë re deri tani nuk duhen anashkaluar. Pikërisht, mosbesimi i bankave tregtare ndaj biznesit vendas dhe një konsum agregat të dëmtuar i cili nuk po merr veten, i çojnë automatikisht të gjitha paratë drejtë fondit të investimeve. Me pak fjalë, të gjithë depozituesit, nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë se çfarë bëhet me paratë e tyre.
Banka nuk është shtet dhe as institucion i mbrojtur, ashtu siç janë të informuar shqiptarët. Pra, para se sa të merren me kostumin e Guvernatorit, le të merren me rregullimin ligjor ashtu si mazhoranca synonte.
Ndoshta nëse do të kishte ndodhur konvertimi në euro, kjo situatë do të ishte anashkaluar?
Pikërisht! Që përpara krizës, diku viti 2005-2006, Shqipëria duhet të kishtë adoptuar euron!
Dhe sa siguroni se nuk do ishim zhytur në recension?
Përveç një goditjeje në momentin e parë, ajo do ishte mbrojtja më e mirë që do t’i bëhej ekonomisë sonë kombëtare. Shembulli më konkret është ekonomia e Malit të Zi dhe e Kosovës që është më e mbrojtur se ekonomia jonë. Dikush mund të thotë që humbim pavarësinë e Bankës Qendrore, por në fakt, ne nuk kemi pasur ndonjëherë Bankë Qendrore.
Dhe cilët mendoni ju se janë kriteret bazë që duhet të plotësojë një kandidat për të qënë i përshtatshëm për të qënë në krye të bankës qendrore, pikërisht në këtë situatë ekonomko-politike?!
Banka përfaqëson atë kategori institucionesh ku përvoja në administrimin e financave dhe politikave publike në fushën e ekonomisë, janë një aset i çmuar. Kjo pyetje ka ngjallur shumë debat dhe politika i zgjidh, ashtu siç i ka zgjidhur gjithmonë këto probleme; e vërteta është që të gëzosh besueshmëri publike në fushën tënde të interesit, të perceptohesh nga publiku si i tillë, të kesh një pavarësi dhe integritet profesional publik e politik; këto janë ato që kërkon ligji. Individi në fjalë, padiskutim që duhet të jetë i njohur me institucionet e huaja financiare, ndërkombëtare, si FMN etj. Ndërsa eksperimentet me individët e importuar që nuk e kanë haberin se si funksionon sistemi financiar shqiptar, nuk janë aspak një zgjidhje e mirë. Pra, thjesht duhet një individ i rritur brenda vendit. Diplomat e Oksfordit apo të ndonjë universiteti tjetër të mbajtura nga kandidatët, kanë sjellë më shumë dëm dhe xhepa të mbushur, sesa ndonjë të mirë për ekonominë.
Bankat e nivelit të dytë po deklarojnë shuma të mëdha në formën e kredive të këqija, atëherë si ka mundësi që asnjë bankë nuk ka falimentuar?
Ajo që unë evdidentoj është se ashtu si qeveria e mëparshme, edhe qeveria aktuale u është gjendur më shumë afër bankave sesa ekonomisë, e këtu nuk kuptohet diçka shumë elementare, që nëse nuk përmirësohet klima e biznesit, në një ekonomi që është e dominuar më shumë nga sektori privat, atëherë nuk rritet fuqia absorbuese e ekonomisë, kjo në formën e fondeve, që mund të konvertohen në teknologji të reja, vende të reja punë, apo fuqi punëtore. Pra, përmirësimi i klimës së biznesit është alfa dhe omega e rimëkëmbjes së ekonomisë. Ndërsa bankat, unë shoh se nuk ofrojnë produkte të reja, nuk konkurrojnë dhe si rrjedhim, është vështirë sot të përmendet se cila është banka më e mirë. Nuk identifikohen avantazhet konkurruese dhe krahasuese të tyre. Një ekonomi që nuk jep kredi, normalisht që do të ecë më ngadalë dhe për aq kohë sa shohim një rezultat të fitimit të bankave përpara krizës, atëherë ajo që e vuan këtë ngërç është pikërisht ekonomia në tërësi dhe jo sistemi bankar.
Ndërsa mbartja e krizës shkon tek përdoruesi fundor (konsumatori), për hkak se edhe një pjesë e madhe e fondeve publike janë të drejtuara te KESH, apo utilitetet e tjera publike, pra është përdorur garancia shtetërore me norma të larta interesi në mënyrë jo korrekte, mos të përmëndim dhe transaksionet e fshehta që padiskutim deformojnë ekonominë.
Por duhet të kuptojmë se shitja e një banke, apo tkurrja, apo tërheqja nga tregu nuk janë fundi i botës, përkundrazi ky është një proces normal.
Kalojmë tek taksat, sa mendoni ju se janë të informuar shqiptarët dhe sa janë duke funksionuar institucionet përkatëse? Apo në mënyrë indirekte nuk ka një rritje të taksave?
Momenti është politikisht i favorshëm dhe ekonomikisht i disfavorshëm. Momenti është jo i volitshëm dhe krijon shkëput atraktivitetin e vendit përballë investimeve të huaja. Përsa i përket informimit publik, mazhoranca e sotme ka mundur të rishikojë kuadrin ligjor për konsultimin paraprak, por nuk ia ka dalë, pra janë arsye pragmatiste për mos t’i deklaruar dhe një strategji mbrojtëse e qeverisë.
Ekonomia shqiptare është më mirë tani apo përpara dy vitesh?
Do dëshiroja të përgjigjesha me një citim të Kryeministrit: “Shqiptarët ndjehen më mirë tani!”.