Zgjedhjet në Britaninë e Madhe janë zgjedhje europiane

 

Nga Christoph Hasselbach

Kur këtë të enjte (07.05) britanikët do të votojnë për dhomën e ulët të parlamentit bëhet fjalë për shumë më tepër se sa vetëm për politkën e ardhshme për shëndetësinë, taksat apo migracionin në mbretëri. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të lexohet edhe si një votim paraprak për Europën. Sepse kryeministri David Cameron ka premtuar, se nëse do të rizgjidhet, do të organizojë deri në vitin 2017 një referendum popullor për daljen nga BE-ja. Nga ky premtim ai nuk mund të tërhiqet më. Ndonëse ai vet do që Britania e Madhe të mbetet në BE, ai është për një BE të reformuar. Me këtë ai duket se ka parasysh një BE, e cila të ndërhyjë më pak në problemet kombëtare të vendeve anëtare, të cilët janë më të kursyer dhe me personel më të pakët. Me fjalë të tjera, qendra e Brukselit duhet të humbasë kundrejt vendeve anëtare.

 

Por Cameron nuk ka bërë propozime konkrete. E shumë shpejt ai ka dëgjuar nga Brukseli, se BE-ja nuk mund t'i ndryshojë kështu thjeshtë marrëveshjet e veta. Madje edhe më shumë se kaq, kryetarët e tjerë europianë të shteteve dhe të qeverive prej vitesh ngërdheshin fytyrën kur bie fjala për Cameron-in. Ata e konsiderojnë praninë e tij në Bruksel si diçka imponuese dhe që u ngre nervat. Me këtë Cameron-i e ka kufizuar në masë influencën e tij dhe të vendit të tij në Europë.

Tani ai ndodhet si në kurth: tek shumë bashkatdhetarë ai ka zgjuar shpresa lidhur me tezën e tij një "better Deal" për Londrën, të cilat nuk mund t'i përmbushë. E ai ka në qafë partinë UK Independence, e cila ka dalë hapur për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja e për këtë nuk pranon asnjë kompromis. Cameron nuk ka thuajse fare hapësirë veprimi, ai vetëm sa nxitet prej një fryme antieuropiane, që ka përfshirë një pjesë të madhe të britanikëve. Nëse në këto rrethana do të realziohet një referendum për BE-në, nisur nga këndvështrimi i sotëm një dalje është e mundshme.

Të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën

Cilat do të ishin pasojat? Vendi do të kishte me gjasë humbje ekonomike, që megjtihatë është e vështirë ta llogarisësh. Ndoshta edhe më të rëndësishme – e kurrësesi në interesin e Cameron-it – do të ishin pasojat politiko-kushtetuese. Sepse skocezët, vërtetë vitin e kaluar me një rezultat fare të ngushtë u shprehën kundër pavarësisë, por Skocia është në përgjithësi shumë më miqësore ndaj Europës në krahasim me Mbretërinë e Bashkuar. Si rrjedhojë Skocia në rast të një vote për daljen nga BE-ja mund të shkëputej përfundimisht nga Britania e Madhe, në mënyrë që të mund të mbetej vet në BE. Një kufi poliko-ekonomik përgjatë murit të Hadrianit do të kishte pasoja negative për ekonominë britanike në përgjithësi.

Sidoqoftë as pasojat ekonomike dhe as ato politike nuk do të mbeteshin të kufizuara vetëm tek britanikët. Shumë brenda BE-së as që do të derdhnin ndonjë pikë lot për britanikët grindavecë të përhershëm, madje disa mendojnë se më mirë pa ta. Por ky është një konkluzion i rrezikshëm iluzor. BE-ja do të humbiste nga strukturat e saj jo vetëm një ekonomi të fuqishme dhe një ndër qendrat më të rëndësishme financiare në botë, por të humbiste me Britaninë e Madhe edhe një partnere të orientuar nga konkurrenca, kozmopolite dhe të hapur për reforma, do të humbiste nga radhët e saj një shtet anëtar në grupin G7, një shtet anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe një fuqi atomike.

Një rast i rrezikshëm precedent

Por edhe më shumë se kaq: kjo do të ishte dalja e parë nga BE-ja, që ndonëse është e mundur në bazë të marrëveshjeve të BE-së, deri më sot ka vlejtur vetëm teorikisht. Kjo do të ishte një kthim pas në procesin e bashkimit europian, e ndoshta edhe fillimi i shpërbërjes. Ndoshta vende të tjera do të pasonin ose së paku do të kërkonin lëshime në njërën ose tjetërn pikë, si kusht për të qendruar. Se çfarë do të thoshte kjo për Europën, sot është e vështirë të vlerësohet. Një Europë, që përballet me agresionin rus në Lindje, me terrorin islamist apo me imperializmin tregtar kinez, duke mos qenë si bllok, por si një grmbull i shpërbërë shtetesh të vogla, nuk do të kishte se ç'të thoshte më në skenën botërore. E në parametrat botëror secili vend i BE-së në vetvete është një vend i vogël.

Sigurisht, këto mendime as që shtrohen në zgjedhjet për dhomën e ulët të parlamentit. Politika për Europën as që përbënte ndonjë temë të rëndësishme në fushatën elektorale. Megjithatë në mënyrë indirekte këto zgjedhje mund të kenë pasoja të mëdha. Sfidanti i Cameron-it, Ed Milliband nga partia Laburiste është kundër një referendumi për BE-në. Por nëse ai bëhet kryeministër, problemi përkohësisht nuk do të ishte akut. Megjithatë varet shumë nga ajo se sa i vështirë mund të jetë krijimi i qeverisë, e në një rast të tillë as ai nuk do t'i shmangej dot frymës skeptike ndaj Europës që mbizotëron në përgjithësi në vend. Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, e aq më tepër në rast se rizgjidhet Cameron-i, të gjithë ata që në Mbretërinë e Bashkuar angazhohen për projektin europian, bashkë me partnerët e tyre europianë duhet të bëjnë një punë të madhe bindëse, për t'u treguar skeptikëve, se çfarë rrezikohet në Europë.

 

DW.DE

SHKARKO APP