Zgjedhjet, për KZAZ-të në fuqi harta e vjetër?!
Përgatitjet institucionale për zgjedhjet vendore të këtij viti, data e të cilave është përcaktuar 21 qershori, duket se do të përballen me disa problematika. Ku njëra prej tyre, është edhe ajo e hartës së re administrative-territoriale e vendit, sipas të cilës natyrshëm që mund të ketë edhe ndryshime sa i përket administrimit të procesit zgjedhor nga ana e autoriteteve përkatëse që ligji i ngarkon për diçka të tillë. Konkretisht, duke nisur nga 14 janari, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore, ku përveç numrit të mangët të anëtareve për komision, ai do të ndeshet edhe me problematikën e hartës së re territoriale. Teksa më 21 janar, 4 anëtarët ekzistues të KQZ-së duhet të miratojnë zonat e administrimit zgjedhor, të cilat me hartën e re me 61 bashki ndryshojnë dukshëm. Ndërsa nga ana e saj, qeveria ëshët shprehur se i ka gati ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të përshtatur ligjin e zgjedhjeve me ligjin e ri të administrimit të territorit të vendit. Ku një ndër pikat që pritet të preket në kod është pikërisht dhe numri i zonave të administrimit zgjedhor. Por data e afërt e përcaktuar nga KQZ-ja, vë në pikëpyetje mundësinë e këtyre ndryshimeve, për aq kohë sa Kuvendi nis punën në 19 janar. Dhe tri ditë duket se janë të pamjaftueshme për të miratuar ndryshimet në ligjin më të rendësishëm të zgjedhjeve, që ndër të tjera kërkon dhe konsensusin e opozitës. E të mos harrojmë se një tjetër çështje e nxehtë për të cilën KQZ-ja duhet të marrë vendim brenda 21 janarit dhe që pritet të ngjallë debat politik, është pikërisht caktimi i partive që kanë të drejtë për komisioner në zonat e administrimit të zgjedhjeve.Kujtojmë sakaq se po brenda 21 janarit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet që të miratojnë edhe modelin e fletës së votimit, numrin e kutive të votimit, shtimin e numrit të punonjësve, si edhe buxhetin për zgjedhjet e 21 qershorit. Ku një pjesë e këtyre vendimarrjeve, përveçse mund të kenë dhe një kosto shtesë të konsiderueshme, kanë nevojë të miratohen me 5 vota, ndërsa KQZ-ja aktualisht ka vetëm 4 anëtarë. Vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 2013-ës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbeti me 4 anëtarë, pas dorëheqjes së dy prej tyre dhe shkarkimit të anëtarit të LSI-së nga mazhoranca e shkuar.
MBLEDHJA
Kolegji Zgjedhor shqyrton sot
kërkesat e PS për referendumet
Kolegji Zgjedhor do të mblidhet sot për të shqyrtuar 130 kërkesat e Partisë Socialiste, e cila kërkon rrëzimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat kanë hapur rrugën referendumeve lokale, kundër ndarjes së re administrative-territoriale. PS-ja kërkon shpalljen si të pavlefshme të vendimeve të KQZ-së, e cila pajisi komunat me formularin tip, për të vijuar procedurat për zhvillimin e referendumeve. Kujtojmë se në mbledhjen e 14 nëntorit të vitit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste, për mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave për referendume lokal. Sipas KQZ-së, institucioni ka si detyrim të shqyrtojë ligjshëmrinë e kërkesave që depozitohen pranë tij.
QËNDRIMI
Përfaqësuesi i LSI-së pohon se se reforma territoriale e ka prekur në mënyrë minimale kodin
Vasili: Ligji i zgjedhjeve
s’ka nevojë për ndërhyrje
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ligji i zgjedhjeve duket se nuk ka nevojë për ndërhyrje. Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë kryetari i grupit parlamentar të kësaj force politike, gjatë një interviste për mediat, ku është shprehur se reforma territoriale e ka prekur në mënyrë minimale kodin zgjedhor, aq sa në zgjedhje mund të shkohet edhe me ligjin e vjetër. "Në rast se kishim 370 bashki dhe komuna, kemi vetëm 61 bashki, kjo e ka lehtësuar punën e KQZ-së që është ajo që përcakton rregullat praktike si do zbatohen. Por parimet themelore që kodi përcakton, s’besoj se janë prekur gjëkundi. Do kishte qenë ndryshe në rast se do kishim pasur prishje të qarqeve e përthyerje të komunave. Ju e dini që komunat ashtu siç kanë qenë të tëra janë bërë pjesë e një njësie të re vendore pa u ndarë, pa u copëzuar. Mendoj se në këtë pikëpamje nuk është një çështje që përbën problem", thotë Vasili.Por me kod të ri zgjedhor ose jo, një gjë është e sigurtë. Në zgjedhje do të shkohet me një KQZ me 7 anëtarë. "Eshtë një KQZ e gjymtuar pa diskutim dhe plotësimi i saj është një përgatitje e domosdoshme sepse zgjedhjet e ardhshme kërkojnë KQZ serioz dhe të plotësuar me të gjitha elementët e tij për të garantuar zgjedhje korrekte. Ndryshe do të kishim gjymtim të standardeve nëse do kishim një komision si ky. Çdo qëndrim lidhur me KQZ për plotësimin e vendeve, dhe problematika të tjera që kanë lidhje me këtë komision, do të jenë të gjitha zgjidhje të koordinuara dhe plotësisht të dakordësuara politikisht me maxhorancën", vijoi Vasili.