Zgjedhjet, si do funksionojnë qendrat dhe si do jenë fletët?

Afrimi i zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit 2015, duket se i ka vënë strukturat shtetërore në punë për të bërë gati situatën parapërgatitore, e cila ka të bëjë pikërisht me ngritjen e infrastrukturës së duhur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kështu, dje janë zyrtarizuar dy udhëzimet përkatëse të nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të cilat kanë të bëjnë pikërisht me përcaktimin e rregullave dhe procedurave për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit apo të vendimmarrjes së komisionit të qendrës së votimit. Sikundër, edhe me hedhjen e shortit sesi do të renditen forcat politike në fletën e votimit. Ja se cilat janë konkretisht këto rregulla …

Përbërja e KQV-së

Komisioni i qendrës së votimit është organ kolegjial i përbërë nga shtatë anëtarë, ku një anëtar ushtron detyrën e sekretarit. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së emërohen nga KZAZ-ja sipas mënyrës dhe kritereve të mëposhtme: a) dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare; b) dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare; c) një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare; d) një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare; Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik si më sipër, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. e) anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KQV-ve nga partia e parë e shumicës parlamentare, kurse në gjysmën tjetër nga partia e parë e opozitës parlamentare, sipas kritereve objektive të bazuara në: përzgjedhjen rastësore; shpërndarjen e barabartë në territorin zgjedhor. Teksa sqarohet gjithashtu se partitë politike paraqesin në KZAZ propozimet për kryetar, anëtar dhe sekretar të KQV-ve jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Gjithashtu, partitë politike mund t’u delegojnë degëve lokale të tyre të drejtën e propozimit për anëtarë të KQV-ve që përfshihen në territorin që mbulon dega lokale përkatëse.

Emërimi  i anëtarëve

KZAZ-ja verifikon se çdo propozim i paraqitur plotëson kushtet për emërimin e anëtarit dhe sekretarit të KQV-së: a) gëzon të drejtën për të qenë zgjedhës; b) ka të paktën arsimin e mesëm; c) është me vendbanim brenda zonës zgjedhore përkatëse; d) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; e) ndaj tij nuk është marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme; f) nuk ekziston asnjë nga kushtet e papajtueshmërisë për ushtrimin e detyrës së anëtarit dhe sekretarit të KQV-së, i propozuari nuk është: f.1) deputet ose kandidat për deputet në Kuvend; f.2) kandidat ose i zgjedhur në organet e zgjedhura të qeverisjes vendore; f.3) ushtarak, punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit ose të Shërbimit Informativ Shtetëror; .4) anëtar apo sekretar i një komisioni tjetër zgjedhor. emëron me vendim anëtarët e KQV-së, duke përdorur modelin tip të vendimit të miratuar nga KQZ-ja. 2. KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-së jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e propozimeve, në përputhje me kërkesat e pikës 1 të kësaj dispozite. Gjithsesi, në çdo rast, emërimi i anëtarëve dhe sekretarëve të KQV-ve bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Kryetari dhe sekretari

Kryetari dhe sekretari i KQV-së zgjidhet nga KZAZ-ja sipas kritereve të mëposhtme: a) Në KQV-të ku anëtari i shtatë i përket partisë kryesore të shumicës parlamentare, kryetar zgjidhet njëri nga anëtarët sipas propozimit të partisë kryesore të shumicës parlamentare; b) Në gjysmën tjetër të KQV-ve, kryetar zgjidhet njëri nga anëtarët sipas propozimit të partisë kryesore të opozitës parlamentare. Kurse sekretari i KQV-së është i përkatësisë së kundërt me kryetarin e KQV-së. Si rregull, sekretari i KQV-së duhet të ketë arsimin e lartë.

Shkarkimi i anëtarëve

Anëtari dhe sekretari i KQV-së shkarkohen nga detyra me vendim të KZAZ-së kur: a) shkelin dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, lidhur me detyrat e KQV-së; b) dënohen me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi; c) nuk paraqiten në detyrë pa shkaqe të arsyeshme për më shumë se 2 ditë rresht; ç) nuk marrin pjesë në trajnimet ose nuk kalojnë testimet e organizuara nga KQZ-ja. Anëtari dhe sekretari i KQV-së lirohen nga detyra me vendim të KZAZ-së, kur: a) Kanë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të dytë me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonë zgjedhore për organet e qeverisjes vendore; b) Janë në marrëdhënie pune me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonë; c) Japin dorëheqjen nga detyra; ç) Nuk plotësojnë më kushtet për të qenë zgjedhës. 3. Anëtari dhe sekretari i KQV-së, i shkarkuar me vendim të KZAZ-së, nuk mund të rizgjidhet në këtë detyrë.

Vendimet e KQV-së

Vendimet e KQV-së merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQV-së. Kur KQV-ja kryen detyrat nën kuorum, vendimet e marra quhen të vlefshme. Vendimet e KQV-së nënshkruhen nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votim. Secili prej anëtarëve, krahas nënshkrimit të tij në vendim, deklaron votën pro ose kundër, si dhe arsyetimin përkatës. 3. KQV-ja merr vendime për: a) hapjen e votimit; b) pezullimin e votimit; c) kërkimin e ndihmës nga Policia e Shtetit për rivendosjen e rendit në qendrën e votimit; ç) largimin e forcave të policisë pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit; d) largimin e personave të caktuar nga mjediset e qendrës së votimit të cilët sipas nenit 110 të Kodit; dh) përcaktimin e numrit të personave që kanë votuar në qendrën e votimit sipas nënshkrimeve në listën e zgjedhësve dhe në regjistrin e posaçëm të zgjedhësve, në rast kundërshtimi, sipas Kodit Zgjedhor; e) mbylljen e votimit. KQV-ja merr vendime sipas vendimeve të miratuara nga KQZ-ja. Të gjitha vendimet shënohen në librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-së. Në rast se KQV-ja nuk arrin të marrë vendim, çështja i dërgohet menjëherë për shqyrtim KZAZ-së nga kryetari ose nga të paktën 2 anëtarë të KQV-së, apo mund të ankimohet në KZAZ nga subjekti i interesuar. 7. Vendimi i KZAZ-së është i detyrueshëm të zbatohet menjëherë nga KQV-ja.

Fleta e votimit, si hidhet shorti për radhën e partive brenda saj?

Për përcaktimin e renditjes së partie politike dhe koalicioneve zgjedhore në fletën e votimit për zgjedhjet hidhet një short. Në rast se për një zonë zgjedhore regjistrohen kandidatë të propozuar nga zgjedhësit, renditja midis këtyre përcaktohet me short. Në renditjen përfundimtare të fletës së votimit, kandidatët e propozuar nga zgjedhësit vendosen pas renditjes së partive politike dhe koalicioneve zgjedhore. Në rast se ka vetëm një kandidat të mbështetur nga zgjedhësit, ky i fundit do të shënohet në fletën e votimit pas partive politike e koalicioneve zgjedhore. Në rast se në përfundim të hedhjes së shortit renditen njëra pas tjetrës parti, të cilat kanë emërtime dhe shkronja nisëtore të përafërta dhe që mund të konfuzojnë zgjedhësit, shorti përsëritet, por jo më shumë se tri herë. Në rast se edhe pas hedhjes së tretë të shortit përsëri renditen njëra pas tjetrës parti që kanë emërtime apo sigla të përafërta, këto do të zhvendosen në renditje deri në katër radhë.Kurse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, shorti organizohet fillimisht për renditjen në fletën e votimit, të kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes vendore. Në këtë rast, KQZ organizon hedhjen e shortit për renditjen e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore në fletën e votimit për çdo zonë zgjedhore. Për përcaktimin e renditjes në fletën e votimit për këshillin e bashkisë, KQZ-ja organizon një short sipas përcaktimeve të neneve 2 dhe 3, të këtij udhëzimi, duke përshirë në short të gjitha partitë politike që kandidojnë më vete, koalicionet zgjedhore dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit që janë regjistruar si të tillë në të gjitha zonat zgjedhore. Për çdo subjekt të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, përcaktohet numri rendor sipas rezultatit të shortit. Në renditjen përfundimtare në çdo fletë votimi për këshillin e bashkisë, subjekti zgjedhor do të renditet sipas numrit rendor që ka nga rezultati i shortit, pavarësisht nga numri i subjekteve që regjistrohen në zonën zgjedhore përkatëse.

HAPAT

Procedura e shortit

1.Në një enë trasparente futen aq gogla sa është edhe numri i subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në short.

2.Në secilën prej goglave futet nga një shirit letër ku shënohet një nga numrat, duke filluar nga njëshi deri te numri i barabartë në numrin e subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse në short.

3.Përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore do të tërheqin secili me radhë një gogël nga ena. Përfaqësuesi i subjektit zgjedhor do të hapë goglën dhe do të lexojë numrin që është shënuar në të. Numri i cili ka rënë si rezultat i tërheqjes së goglës nga përfaqësuesi i subjektit zgjedhor, do të jetë dhe numri rendor që subjekti zgjedhor do të ketë në fletën e votimit. Rasti mbahet shënim nga sekretari i KQZ-së.

4.Radha e tërheqjes së goglave nga përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore përcaktohet me parashort, i cili zhvillohet sipas kësaj procedure:

a)Në një enë tjetër transparente futen aq gogla sa është edhe numri i subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në short;

b)Në secilën prej goglave futet një shirit letre ku shënohet emri i subjektit zgjedhor;

c)KQZ-ja cakton një person nga stafi për të tërhequr goglat.

d)Personi i caktuar nga stafi i KQZ-së tërheq një gogël, e hap dhe lexon emrin e subjektit zgjedhor që është shënuar në shiritin brenda goglës dhe ia jep sekretarit të KQZ-së;

e)Subjekti zgjedhor që është shënuar në shiritin e letrës brenda goglës së parë, do të jetë i pari që do të tërheqë në shortin që do të zhvillohet sipas procedurës së përcaktuar në nenin 4, pikat 1, 2 dhe 3, kështu do të vazhdohet deri në tërheqjen e të gjitha goglave brenda në enë. 

SHKARKO APP