Zotërinj Gjyqtarë! Respektoni papajtueshmërinë e “Oficerëve të Policisë Shkencore”

Nga Miltiadh M. Muçi*/

Më shumë se dy dekada kaluan nga ndryshimet politike të sistemeve, ndërsa ekspertimi kriminalistik, mjekësor, au- tomobilistik, etj., nuk po mbështeten në ligj të veçantë, për të garantuar pavarësinë e ekspertimit dhe ekspertëve, për një hetim dhe gjykimin të pavarur nga politika apo pushteti. Në veprimet e këqyrjes së vendit të ngjarjes, të teknikës së marrjes, ekzaminimit dhe vlerësimit të gjurmëve e provave materiale, identifikimit të personit dhe mjeteve të përdorura, sidomos në procesin gjyqësor, nuk ka oponencë kriminalistike, mjekësore, etj. Shumë ekspertime, jo vetëm për çështjet penale, por për çudi dhe për çështjet civile padrejtësisht kryhen nga Policia Shkencore, pra nga oficerët e Policisë Gjyqësore, kur këta duhet të merren me kriminalitetin, vrasësit, grabitësit e vjedhësit.  Pra të mos merren me çështje që nuk i përkasin policisë.

Në Drejtorinë e Policisë Shkencore, thuhet se 35% e ekspertimeve janë për çështjet civile në gjykim, kur duhet të kryhen nga ekspertët e pavarur. Korrespodencat e ekspertëve të Policisë Shkencore me gjyqtarët apo palët në proces, cenojnë cilësinë për shkak të ngarkesës së tyre të madhe me Policinë e Prokurorinë, prandaj drejtuesit e saj, sidomos të Prokurorisë po shtojnë pakënaqësitë ndaj Policisë Shkencore. Kur krejt ndryshe do të ndodhë nga bashkëveprimi i gjyqtarëve dhe palëve në proces me ekspertët e pavarur, sikur  e kërkon KPC, dhe e kundërta.

Duke preferuar më shumë ekspertimet e çështjeve civile për interesat komercial, edhe pse kryhen në mënyrë të cunguar, në shkelje të dispozitave të nenit 72.4 e 6  të KPC, po shtohen ankesat e organit të hetimit, të prokurorisë dhe prokurorëve, ndaj eksperteve të Policisë Shkencore, sikur janë të mbrëmjes së 24 qershorit  2016, në emisionin e lajmeve të TOP CANNAL, si dhe nga disa tituj gazetash të pavarura apo të  opozitës. “Plot 22 prokurorë rrethesh, bashkë me Krimet e Renda ngrenë shqetësimin se po vonohen shqyrtimet e dosjeve hetimore, për shkak të Policisë Shkencore…, që gjatë ekspertimeve shkaktojnë zvarritje të hetimeve dhe për pasojë, mbetjen në paraburgim të të dyshuarve për kohë të gjatë. Kjo situatë është bërë shkak, që Prokurori i Përgjithshëm dhe kryeprokurorët e rretheve të kërkojnë zhbllokimin e saj, e renduar prej vitit 2014”, lexoj në gazetën “Dita” të 25 qershorit 2016.

Pas 26 vitesh ndodh e njëjta gjë. Gjykata pranon p.sh. ekspertimin daktiloskopik të krahasimeve masive të “gjurmëve të vendit të ngjarjes”, me shenjat e duarve të kartelave që i administron Policia Shkencore, edhe pse të dhënat biometrike të kartës së identitetit dhe pasaportës administrohen nga Ministria e Brendshme. Njësoj mund të themi për regjistrimin e zërit dhe audioviziv. Më e papranueshme është jo vetëm kryerja e ekspertimeve në proceset gjyqësore të çështjeve civile, sikur e kam trajtuar pak kohë më parë në shtypin e ditës, por gjyqtarët në përgjithësi  shkelin dispozitat e nenit 72 të KPC, sikurse ndodh të shkelin edhe dispozitat e nenit të KPP.

Neni 72 i KPC, sikurse neni 15 i KPP përcaktojnë përjashtimin e gjyqtarit apo papajtueshmërinë dhe sikurse në nenin 224.c të KPC e nenin 181.2 të KPP, përcaktohen rastet e përjashtimit të ekspertit, të cilat as më shumë dhe as më pak janë ato të saktësuara për gjyqtarët. Në plotësim të argumenteve po përmend, nëse në nenin 1.1 dhe 15.2 e 3, të Ligjit për Policinë e Shtetit lexohet, se Policia Shkencore është pjesë e administratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, organ i lartë i administratës, do të thotë se  si punonjës të këtij institucioni, oficerët e Policisë Shkencore kryejnë funksione të oficerit të Policisë Gjyqësore, me status të veçantë të ndryshëm nga të nëpunësit civil. Prandaj, “oficer i  Policisë Shkencore” nuk mund  të jetë i lirë në mendim, për çfarëdo ngjarje dhe ekspertim, sikurse eksperti i pavarur.

Ashtu sikuse gjyqtari, “Oficeri i Policisë Shkencore”, sipas nenit 181.1 e 15 të KPP bëhet i padëshirueshëm,  për shkak të pjesëmarrjes në proces, që do të thotë se “Oficeri i Policisë Shkencore, kur merr pjesë në një shkallë të procedimit, s’mund të ushtrojë funksion në një shkallë tjetër, as kur ka marrë pjesë me kërkesë të prokurorit, në hetimin paraprak”. Po kështu nuk mund të kërkohet të kryhet një riekspertim, nga një grup i Policisë Shkencore, kolegë i të njëjtit sektor apo dhe më gjerë. Përkundrazi janë të detyruar të heqin dorë, kur mund të kenë dhënë këshilla apo shfaqur mendime mbi objektin e procedimit ose të ekspertimit, sipas nenit 17.c të KPP, për sa nga gjykata nuk garantohet ndryshe, pra se nuk kanë dhënë këshilla, mendime e sugjerime në vendin e ngjarjes, në laborator apo rrethana të tjera, për veprimet hetimore ose ekspertimet e kryera midis kolegësh të Policisë Shkencore. Njësoj është përcaktuar për çështjet civile sipas neneve 224.c dhe 72.4 e 6 të KPC, që ndiqen direkt nga gjykata, me kërkesë të palëve apo gjyqtarit. Prandaj e përsëris:

Zotërinj Gjyqtarë! Respektoni dispozitat e papërshtatshmërisë e përjashtimit të Oficerëve të Policisë Shkencore.

*Jurist-Ekspert Kriminalist i Pavarur

SHKARKO APP