Zoti Lam ta solla kalin

 

Nga Ilir Levonja

I lumtur për arritjet imagjinare, Edi Rama po ligjëron në Gjirokastër. Në qytetin e gurtë. Përballë një sallë që hera-herës gajaset me batutat e madhërisë së tij. Gjirokastra që e dua dhe që nuk është ajo që dua. Unë e di. Po shteti nuk është bankë floriri. Dy vjet nuk mund të pretendojmë se kemi bërë Gjirokastrën që duam. Por në këto dy vjet kemi bërë më shumë se në njëzet e tre vjet të marra së bashku. Sot kemi shtet. Kemi qeverisje. Shikoni, ndreqëm Shqipërinë e juristëve. Dëgjoni, më tha një djalë. Një ditë…, para ca ditësh kur. Mbasi më tha bëjmë një fotografi bashkë. Më gjej ndonjë punë o burr. E pyes, çfarë shkolle ke? Juristë si gjithë shqiptarët, më thotë. E kuptoni, ë? Ne e sollëm shtetin në shinat e ligjit. Kategoria më e varfër, pensionistët, paguajnë dritat. Çfarë janë budallenjë. Të rrjedhur. Pse? Paguajnë dritat. Respektojnë ligjin. Nuk i bjen më qafë njeriu.Kjo është Shqipëria që ne ndërtuam, duke jetuar në kurriz të fëmijëve tanë. Gjirokastra në vend që të jetë vendi promotor. Gjirokastra qyteti që…, nuk është. Por ama në dy vjet, kemi bërë më shumë se njëzet e tre vjet së bashku. Gjirokastra që është, që duhet, që do të jetë. Kjo pasuri kaq e madhe. Një territor ku njerëzit në vend që të prodhojnë ekonomi për gjithë rajonin. Eshtë katandisur në një vend si në shkretëtirë ku nuk ka pike uji.

Kështu flet naltmadhëria e tij. Jo unë. E keni kudo. Ai ka bërë shumë në këto dy vjet. Më shumë se sa kanë bërë demokratët në njëzet e tre vjet të marra së bashku.
Kështu flet i larti. Në një sallë që, sapo e merr gjumi. Ai lëshon një batutë. Dhe atyre u vjen mire. U nxorri gjumin. Nuk duan të bëhen gazi i botës. Ka kamera kudo. Qeshën për pak.
Më gjej një punë o burrë. Duket si ajo koha e Divjakës. Kur një djalë vraponte për të kapur kuajt. Ai filmi që ashtu si shumë të tjerë. Nga koha e diktaturës. Që na mbeti në gojë, duke e kujtuar. Dhe duke harruar këta diktatorët e sotshmën. Ta solla kalin zoti Lam. E pastaj, ç'do. Po unë nuk ta solla batjava. Më jep miser. Ju të gjithë miser kërkoni sikur të kem hambarët e Italisë këtu.
Zoti Lam, ta dhashë votën. E ç'do? Punë, çfarë tjetër do njeriu.
Por çfarë t'i kërkojnë shqiptarët Kryeministrit të tyre? Apo ata që i besuan tamburxhiut. Kur u premtoi mijra vende pune. Ashtu me def në dorë. Me eskorta luksoze. Me brilantinë aleance të ripërtërirë dhe të larë mëkatesh.
Në Gjirokastër, po ligjëron zoti i zotave.
Naltmadhëri, në këto njëzet e pesë vite. Nga të cilat vetëm dy kanë arritje. Demokratët kanë qeverisur fare pak. Deri dje ishe si gjithmonë ti në pushtet. Ai kryetari i fundit. Që ia fale marrëveshjes me aleatitn e pastruar kimikisht. Ishte i yti.
Në Gjirokastër nuk kanë qeverisur demokratët. U bënë vite tashmë, që, nuk qeverisin aty. Por socialistët. Dhe kur ti, lideri…, i fut me një kazan me të majtë e të djathtë. U mohon aq sa edhe kanë bërë. Jo që nuk je për të tutë. Dhe normalisht për ne jo e jo.
Dhe në kësi raste populli thotë, mjerë shtëpia që i kanë rënë për pjesë.

 

SHKARKO APP