Zv/kryeministrja Balluku i jep certifikatën kompanisë amerikane CWP për ndërtimin e parkut eolik 600 MW në Tropojë

Kompania amerikane CWP do të ndërtojë të parin park eolik në Shqipëri. Ky investim do të zhvillohet në zonën e Tropojës dhe do të ketë një kapacitet prej 600 MW. Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe të dërguarës me punë të ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i dorëzoi CEO-s së kompanisë CWP për Europën, certifikimin për këtë projekt të rëndësishëm për sektorin energjetik shqiptar.

Ky investim shënon një hap të rëndësishëm jo vetëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese, por edhe drejt diversifikimit të burimeve të rinovueshme të energjisë. Një prioritet i Qeverisë Shqiptare për të ngritur një model të balancuar energjetik. Ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, u shpreh në fjalën e saj Balluku, përmes realizmit të projekteve konkrete, duke shtuar më tej se prestigji i kompanisë amerikane është një garanci e shtuar për këtë investim.

“Projekti që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP është një shembull i qartë i qasjes që Qeveria Shqiptare ka ndaj energjisë së rinovueshme dhe ekonomisë së qëndrueshme. CWP është një kompani lider në energjitë e rinovueshme në Evropën Juglindore dhe angazhimi i saj në Shqipëri do të sjellë, veç të tjerash, edhe përvojë të pasur dhe eksperiencë globale të projekteve të këtij lloji dhe të kësaj shkalle”, u shpreh Balluku.

Swiss Digital Desktop Reklama

Progresi që Shqipëria ka arritur në sektorin energjetik është jo vetëm i qartë, por i certifikuar edhe nga partnerët ndërkombëtar. “Sektori energjetik është gjithashtu një motor i qartë në ecurinë drejt integrimit të vendit, si një nga sektorët më të vlerësuar nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë, duke e klasifikuar Shqipërinë si të parën në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjetike, si dhe një nga sektorët me ecurinë më pozitive, të vlerësuar në Raportin e Progresit të Komisionit Europian të vitit 2025”, deklaroi Balluku.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë solli në vëmendje disa prej treguesve që dëshmojnë transformimin e sektorit, ku janë realizuar një sërë investimesh të cilat kanë përmirësuar qartazi të gjithë treguesit, ndërsa shtoi se Shqipëria ka dëshmuar se është një partner i besueshëm dhe serioz për çdo investitor të huaj.

“Projekte si Parku eolik i Tropojës janë dëshmia më e qartë se Shqipëria nuk ndodhet më në fazën e premtimeve, por në fazën e rezultateve konkrete, rezultate mbi të cilat mund të mbështeten me besim çdo investitor i huaj në vendin tonë. Shqipëria është një vend i hapur për investime serioze dhe partneritete strategjike. Shqipëria është një partner i besueshëm. Dhe Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme, të fortë dhe evropiane”, nënvizoi Balluku.

Dimitar Enchev, CEO i CWP për Europën falënderoi autoritetet shqiptare për mbështetjen për të nxitur përpara këtë projekt të cilin e cilëosi si të rëndësishëm dhe ambicioz. Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se edhe ky investim shkon në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë dhe se Shqipëria është vendi i duhur për të gjithë investitorët për të shërbyer si pikënisje e investimeve madhore që i tejkalojnë kufijtë e vendit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?