”10 mrekullitë e Shqipërisë” sipas turistëve

“Është vërtet një perlë”. Shumë turistë dhe vizitorë të vendit tonë vlerësojnë dhe adhurojnë bukuritë e panumërta të Shqipërisë, duke shprehur dëshirën për t’u rikthyer të paktën edhe një herë.  Këtë na e konfirmon edhe 24-vjeçari që ia ka kushtuar jetën me kohë të plotë eksplorimit të natyrës dhe vendeve që ia vlen t’i vizitosh në Shqipëri. Tashmë për Ergys Vladin, të ekploruarit  nuk është më vetëm një pasion, por edhe burim të ardhurash.

Ai shoqëron grupe turistësh të huaj dhe vendas për t’ju treguar rrugën drejt “thesareve” të vendit tonë. Me bindjen se po bën punën e ëndrrave të tij, Ergysi shprehet se çdo udhëtim është i veçantë, edhe pse mund të vizitojë po të njëjtin vend disa herë. “Me turistët e huaj, sfidat janë të panumërta”, shprehet Gysi (siç e njohin të gjithë). Për Politiko.al, ai tregon disa eksperienca “pikante” që i ruan në kujtimet e tij dhe për të cilat, shprehet se e kanë mësuar t’i marrë gjërat më me sportivitet.

“Një burrë në Theth na ftoi në shtëpi për të kaluar natën. Isha me një grup francezësh. Nuk ishte aspak e vështirë që të bëja urën e komunikimit mes tyre. Ajo që “më hëngri shpirtin” ishte përpjekja për t’i bindur francezët të mos ngacmonin dy vajzat si yje të zotërisë. Ishin shumë të bukura vërtet. Ju thashë se këtu, nëse e ngacmon, e merr për nuse”, tregon Gysi për momentin e sikletshëm që ka kaluar në perlën e veriut, duke theksuar edhe faktin se kulturat mes shqiptarëve dhe të huajve janë shumë të ndryshme.

Historitë vijojnë dhe Gysi tregon: “Te Lumi i Shalës ndodhi diçka e pakëndshme që nuk e prisnim, por e kthyem në një moment për të mos u harruar. U prish motori i varkës në pikën më të thellë të liqenit dhe nuk bënim dot as para, as pas. Turistët, të huaj dhe shqiptarë, filluan të shqetësoheshin shumë dhe disa po i zinte paniku. Iu propozova të ndiznim muzikë dhe filluam një festë të vërtetë, në mes liqenit. Frika dhe koha kaluan pa e kuptuar, derisa na arriti një tjetër varkë, të cilën e kishim thirrur të na ndihmonte. Udhëtimi shkoi për bukuri. U kënaqem shumë”.

Patjetër që pas gjithë eksperiencave të tij, mund të na tregonte me shumë siguri se cilat kanë qenë 10 vendet më të vizituara nga turistët për vitin 2018.

“Top destination” në Shqipëri:

  1. Lumi i Shalës

Ngjyra e kaltër e ujit është karakteristikë e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin. Lumi i Shalës është destinacioni turistik i vitit 2018, si për të huajt dhe për shqiptarët, të cilin vizitorët e shumtë e përshkruajnë si perlë të bukurive të Shqipërisë.

  1. Thethi

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

  1. Valbona

Valbona, fshat në Alpet Shqiptare, është një ndër atraksionet më të preferuara turistike në Shqipërinë e veriut. Lumi Valbona që kalon nëpër fshat dhe vet Lugina e Valbonës tërheqin shumë vizitorë.

  1. Jala

Jala është një nga plazhet më të bukur të të gjithë bregdetit jonian, i strukur thellë, mes kodrinave me ullinj e me shtëpitë e bukura të Vunoit, gjelbërimit të përhershëm, i rrethuar me shkëmbinj të lartë, që krijojnë gjire të vegjël e të mahnitshëm, është tepër joshës sidomos për të rinjtë.

  1. Liqenet e Lurës

Në këtë zonë gjenden 12 liqene: Liqeni i Madh, Liqeni i Zi, Liqeni i Lopëve, Liqeni i Luleve etj. Liqenet e Lurës janë akullnajore. Pamja, në çdo stinë, është mbresëlënëse.

  1. Shkodra

Shkodra është një prej qyteteve më të kahershme të Shqipërisë. I çmuar ndër kohëra të ndryshme si nyje me rëndësi gjeostrategjike prej afërsisë mes malësive, liqenit, detit dhe rrugëve me rëndësi në kuadrin e Ballkanit Perëndimor, konsiderohet edhe si një nga qytetet më tërheqëse për turistët.

  1. Berati

Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike e të besimeve, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin.

  1. Kruja

Qyteti i Skëndërbeut është një qendër e rëndësishme turistike në Shqipëri. Është një ndër qytetet më të preferuara sidomos nga turistët e huaj, për historinë që mbart.

  1. Gjirokastra

Gjirokastra është e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nga viti 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otoman.

  1. Tirana (Bovilla, Shpella e Pëllumbasit, Syri i Ciklopit)

Këtë vit, ndër destinacionet më të preferuara, përfshihen edhe vendet e afërta rreth Tiranës. Me pamje mahnitëse dhe mundësi eksplorimi, Liqeni i Bovillës, Shpella e Pëllumbasit dhe Syri i Ciklopit kanë tërhequr shumë turistë gjatë këtij viti.

Loneta Progni/ Politiko.al

SHKARKO APP