10 personalitete që na lanë më 2014

Corriere della Sera

5 Janar. EUSEBIO DA SILVA FERREIRA. “Ndiej dhimbje për vdekjen e vëllait tim Eusebio: që Zoti të të presë krahëhapur”, – ka qenë komenti i Pelesë me rastin e shuarjes së mikut të tij vëllazëror dhe alteregos së tij në fushë, Eusebio, futbollist me origjinë nga Mozambiku. Eusebio mundi të luante për kombëtaren portugeze sepse vendi i tij asokohe ishte koloni e Portugalisë. Ai rezultoi përcaktues për Portugalinë në Botërorin e 1966-s, kur shënoi 9 gola dhe i nxori të tretët luzitanët. I shquar për shpejtësinë, teknikën dhe goditjen e tij, Eusebio konsiderohet si një prej futbollistëve më të mirë të shekullit të 20-të. Ai ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, për shkak të një ataku në zemër.

11 Janar. ARIEL SHARON. I vitlindjes 1928, ai ka qenë politikan dhe ushtarak izraelit, i cili ndodhej në vijën e parë që në vitin 1953, në drejtimin e Njësisë 101, e ngarkuar nga kryeministri David Ben Gurion që të kryente aksione kundër feidanëve palestinezë. Pas një karriere të shpejtë ushtarake, në vitin 1967, gjatë Luftës së Gjashtë Ditëve lufton në Sinai dhe me manovrat e tij çorienton 16 mijë ushtarë egjiptianë; më 1973 do të rikthehet në të njëjtin vend për luftën e Kippur-it dhe do të rezultojë sërish vendimtar duke u ndryshuar rrjedhën ngjarjeve dhe marshimi i tij drejt Kajros u ndal vetëm nga nënshkrimi i armëpushimit. Pasi lë uniformën ushtarake, Sharon nis një përvojë të gjatë në politikë, çka në 2001-shin e çon në detyrën e Kryeministrit, detyrë që u la përgjysmë më 2006-n, kur pas një hemorragjie cerebrale bie në gjendje kome. Për Sharonin u organizua një funeral shtetëror, ku morën pjesë personalitete të ndryshme politike ndërkombëtare, ndër të cilët edhe Toni Blair.

1 Shkurt. LUIS ARAGONES. I vitlindjes 1938, ai ka qenë futbollist i Atletikos së Madridit deri më 1974 dhe më pas vendosi të qëndronte në botën e futbollit si trajner, duke u pasuar nga Juan Carlos Lorenzo në stolin e Atletikos në sezonin 1974/’75. Pasi u bë trajner skuadrash si Barcelona dhe Espanjoli, në 2004-n u bë trajner i kombëtares spanjolle, të cilën e shpalli kampione të Europës më 2008-n. Ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare për shkak të leucemisë.

– 2 Shkurt. PHILIP SEYMOUR HOFFMANN. Eksponent i kinemasë së pavarur amerikane, Hoffmann debutoi në kinemanë e shtëpive të mëdha në vitet ’90 në rolin e George Willis Jr në “Scent of a woman”, film i cili do t’u hapë rrugën interpretimeve të tjera të mëdha në filma si “Boogie nights”, “The great Lebowski”, “Happiness”, “Magnolia” dhe “Ora e 25-të”. Në 2005-n, falë interpretimit të tij në rolin e Truman Capote në filmin “Me gjak të ftohtë”, u afirmua si një prej eksponentëve më të lartë të kinematografisë botërore dhe mori çmimin “Oskar” si aktori më i mirë protagonist. Në 2 shkurt 2014, në moshën 46-vjeçare u gjend i pajetë në apartamentin e tij në Nju Jork, për shkak të mbidozës së drogës dhe të benzodiazepinës.

17 prill. GABRIEL Garsia Markez. Shkrimtar kolumbian, Çmimi “Nobel” për Letërsinë më 1982, përpara se të afirmohej si shkrimtar, autori i librit “Njëqind vjet vetmi” ka punuar për shumë kohë si gazetar, më parë në Kartagjenë për gazetën“El Universal” dhe më pas për “El Heraldo” dhe “El Espectador”. Në 1958 punon për agjencinë Prensa Latina, e themeluar nga Jorge Ricardo Masetti dhe nga Fidel Kastro, dhe shkon në Kubë ku ka mundësinë të njihet nga pranë si me Çe Gevarën ashtu edhe me vetë Kastron, me të cilin krijon një miqësi afatgjatë, e kritikuar nga shumëkush, por që bazohej më shumë tek afrimiteti letrar sesa politik, sikurse do të thotë vetë Markez. Gjithnjë si bashkëpunëtor i Prensa Latina, Markez transferohet në Nju Jork më 1961, por pas pak kohësh detyrohet të shpërngulet për në Meksikë, si pasojë e trysnisë për shkak të lidhjeve të tij me diktatorin kuban. Pas transferimit në Meksikë do t’i kushtohet në mënyrë konstante letërsisë, duke arritur te kryevepra “Njëqind vjet vetmi” e vitit 1967, rrëfimi i famshëm i dinastisë  së Buendiave përmes brezave të ndryshëm. Markezi heq dorë nga letërsia për një periudhë të shkurtër në 1973, duke iu kushtuar gazetarisë në terren në shenjë proteste ndaj grushtit të shtetit në Kili nga gjenerali Augusto Pinoçet, gjë që i kushtoi jetën Salvador Alendes. Në vitin 1999 i diagnostikohet një tumor, të cilin do ta rrëfejë në autobiografinë “Të jetosh për ta treguar”, ndërkohë që do t’i kthehet librit për herë të fundit në vitin 2010 me botimin “Kujtime të kurvave të mia të trishtuara”. Garsia Markez u shua në moshën 87-vjeçare në një klinikë në Qytetin e Meksikos.

26 Maj. MANUEL URIBE. Ai ishte njeriu më i shëndoshë në botë, i cili ishte prekur nga një formë e rëndë obeziteti, çka e bëri të peshonte deri në 560 kile, aq sa arriti rekordin Guinness. Gjatë viteve të fundit kishte ndjekur një dietë të hekurt që i kishte mundësuar të binte 360 kile brenda 5 vjetëve. Në vitin 2008 u martua me Klaudia Solis dhe në dasmë shkoi me Chevrolet Astravan, të pajisur posaçërisht për ta mbajtur peshën e tij të madhe. Ai vdiq në moshën 48-vjeçare nga një infarkt.

11 Gusht. ROBIN WILLIAMS. Aktori që e bëri të gjithë botën të qeshë, u gjet i varur në shtëpinë  e tij në Marin County, në Kaliforni. Konfirmimi për vetëvrasjen u dha nga policia. Williams kishte kohë që kurohej nga një gjendje e rëndë depresioni dhe disa miq të familjes deklaruan se kohët e fundit sëmundja ishte rënduar. Aktori 63-vjeçar nuk la të shkruar asnjë shpjegim për gjestin e tij dhe bashkëshortja  Susan Schneider shpërndau një shënim ku kërkonte që të respektohej privatësia e familjes: “Humba burrin dhe mikun tim më të mirë. Bota humbi një prej artistëve dhe prej personave më të dashur. E kam zemrën të thyer dhe shpresojmë që Robin të mos kujtohet për vdekjen e tij, por për momentet e shumta të gëzimit dhe të të qeshurave që iu ka dhënë miliona personave”.

5 dhjetor. FABIOLA Mbretëresha e Belgjikës. Ajo ishte 86 vjeç dhe kishte disa ditë që haste vështirësi në frymëmarrje. Fabiola, me origjinë spanjolle, ishte martuar në vitin 1960 me mbretin Baldovini I dhe kishte mbretëruar me të deri më 1993. Pas vdekjes së bashkëshortit ia jep titullin e Mbretëreshës së Belgëve kunatës Paola Ruffo të Kalabrisë, bashkëshorte e Albertit II të Belgjikës. Në rini kishte qenë infermiere në një spital në Madrid. E apasionuar me letërsinë, kishte botuar një përmbledhje tregimesh për fëmijë në vëllimin “Dymbëdhjetë tregime të mrekullueshme”. Gjatë mbretërimit të saj iu kushtua mbështetjes së familjeve në nevojë, duke ndihmuar kryesisht fëmijët aftësisht të ndryshëm, si dhe krijoi disa fondacione për asistencën dhe solidaritetin. Ajo kishte kohë që vuante një formë osteoporoze dhe i mbylli sytë në kështjellën e Stuyvenberg a Laeken.

8 dhjetor. MANGO. Ai vdiq nga infarkti gjatë një koncerti. Këngëtari i njohur, emri i vërtetë i të cilit është Xhiuzepe Mango, kishte mbushur 60 vjeç në 6 nëntor, fati e deshi që frymën e fundit ta jepte nën tingujt e këngës së tij të famshme “Oro”. Karriera e Mangos nisi nën shkëlqimin e Patty Pravo, e cila pasi dëgjoi dy këngë të kantautorit, vendosi që t’ia bashkëngjiste albumit të saj “Tanto”. Edhe Mia Martini e tërhequr nga meloditë e Mangos ndërthuri një këngë të tij në albumin “Che vuoi che sia… se t’ho aspettato tanto”. Suksesi mbërriti me çmimin e kritikës në Festivalin e Sanremos më 1985, e cila vlerësoi këngën “Il viaggio”. Gjatë karrierës së tij të gjatë ka punuar me artistë të mëdhenj italianë që nga Mogol te Lucio Dalla, pa harruar Franco Batiato, Klaudio Baljoni dhe Andrea Boçeli.

22 dhjetor. JOE COCKER. Zëri i madh i muzikës blues ishte 70 vjeç. Emri i tij i vërtetë ishte John Robert. Vinte nga Sheffield, në thellësi të Anglisë së Jorkshajërit të Jugut. Në 50 vjet aktivitet ka bërë 40 albume dhe ka realizuar me dhjetëra e dhjetëra ture botërore, që nisën thuajse papritmas, që kur e nisi karrierën e tij në vitin 1964. Ai fitoi çmimin “Grammy” më 1983, me këngën “Up where we belong”. Në të vërtetë, artisti britanik i detyrohet për një pjesë të madhe të famës së tij grupit Beatles, duke qenë se edhe sot njihet më mirë si këngëtari i cover-it “With a little help from my friends”. Vdiq pas një beteje të gjatë dhe të vështirë kundër një tumori në mushkëri.

Mapo

SHKARKO APP