102 vjet nga vrasja e Mustafa Qullit

Mustafa Qulli lindi në Leskovik në vitin 1887.  Veprimtaria e tij atdhetare antiosmane faktohet para vitit 1908 si antar i “Komitetit të  Manastirit” e më pas, në Klubin “Bashkimi” të Stambollit (1910).  Ndër fushat që përvijojnë personalitetin kulturor e shoqëror të Mustafa Qullit gazetaria, publicistika dhe letërsia janë kryesore. Ai krijimtarinë e tij e dhurojë pa kursim në faqet e periodikëve shqiptarë që shtypeshin në Stamboll, Manastir, Vlorë, Shkodër etj.  Me një veprimtari publicistike pas Shpalljes së Kushtetutës Osmane në gazetën “Bashkimi i Kombit” (1909-1910) që vazhdon me gazetat “Drita” (1911-1912), “Perlindja e Shqipëniës” (1913-1914), “Drita e Popullit” (1914) dhe “Populli” (1914-1915) emri i Mustafait lidhet me detyrën e kryeredaktorit po më shumë me funksionin e drejtorit të këtyre fletoreve pararojë të idesë kombëtare.  Mustafai ishte propagandues i idesë kombëtare ndërmjet djelmënisë shqiptare në Manastir, Janinë, Shkup dhe Stamboll gjatë viteve 1908-1912. Ai shfaqet anëtar komisioni i tubimeve popullore në Vlorë, në ballë të protestës (shtator, 1913) për mbrojtjen e kufinjve shtetërorë të rrezikuar nga fqinjët shoviniste.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës Mustafai ishte anëtar me funksionin e Zëvendësministrit të Arsimit (1913).  Veprimtaria e tij emancipuese shoqërore është politike sepse Mustafa Qulli përfshihet fuqimisht për zgjedhjen e kandidatëve shqiptarë për deputetë të Parlamentin Osman në vitin 1911. Ajo fiton një tjetër përmasë kombëtare kur në vitin 1914 themelohet Partia Nacionaliste Shqiptare. Mustafai është njëri prej anëtarëve të Komitetit Themelues të saj. Mustafa Qulli idetë liberale i shpalli publikisht dhe i mbrojti pa u mposhtur duke u shquar si personalitet politik nacionalist i periudhës së pavarësisë të shtetit shqiptar.

Kur malazezët pushtuan Shkodrën, në qershorin e vitit 1915, ai në faqen e parë të gazetës “Populli” njofton hyrjen e pushtuesve në qytet. Pa u epur ndaj pushtuesit, Mustafai vazhdoi ta botojë gazetën e tij edhe kur simotrat e tjera të qytetit u mbyllën ose iu nënshtruan diktatit të armikut madje edhe kur u arrestua. Mustafa Qulli dhe Çerçiz Topulli u ekzekutua nga pushtuesit malazezë më 17 korrik 1915.

Gazeta “Koha Jonë”, po publikon dy artikujt të shkëputur nga libri “Detyra e Gazetarëve”, 2015 për të përkujtuar nacionalistin dhe Dëshmorin e Atdheut Mustafa Qulli me rastin e 102 vjetorit të vdekjes.

***

KOSOVËS DHE ÇAMËRIËS

Ti moj Kosovë e bekumun, q’u dënove të mbetesh jashtë Shqipëniës së lirë, edhe ti moj Çamërië, që pate gjith’atë fat të zi, mos e hupni shpresën edhe durimin e trimëniës që ju a ka dhânë natura e juaj.  Ju, q’ini, sot për sot, nën sundimin e anmiqvet t’onë, të cilët ditë për ditë po i shtojnë mundimet tiranike për mi ju, të ini sigur se kini qënë dhe do të ini dy pjesa të pa-ndara të trupit shqipëtar, edhe dy lule të bekume e të bukura të kombësiës s’onë.

Sot që kremtojmë ditën e shënjtërumun, q’âsht çpallun vetëqeverrimi i Shqipëniës edhe q’âsht ngritur flamuri kombëtar me shqiponjën me dy krena, zëmrat t’ona janë të përvëluëme na zjarmi që na âsht futun prej ndarjes Kosovës edhe Çamëriës.

Fatkeqësië e madhe për ne, të jesin një milijon e gjysmë shqipëtarë në duar të anmiqvet edhe Shqipënia e lirë të mbanjë vetëm një milijon njerës.

Fatkeqësië âsht të kemi për kufinj Kosovën edhe Çamëriën edhe të na jetë prerë më nj’anë krahu i djathtë, m’anë tjetër i mëngjëri. Po shpresa edhe durimi, edhe ti mbledhurit e mëndjes për paskëtaj, janë shtyllat e pa tundura të idealit t’onë, se vetëm këto mundin të n’a paraqesin një të pritme të lumtur edhe një fatbardhësië.

Ti moj Kosovë që je e gatuar me të gjitha të mirat’e naturës, ti moj Kosovë që në gji t’ënt përmban një trimënië të posaçme e të pa vdekur, ti moj Kosovë që je mâ e madhea pjesë e Atdheut, po renkon nën grushtin e shqehvet edhe ne qajmë me lot, kur të shohim ty të mjerë e në rezik.

Moj Kosova e ngratë, ç’faj kishe ti, që dipllomasia e tmeruar vuri kâmbët të sundohesh prej shqehvet?  Mos pandeh, moj Kosovë, që harohesh ti me Çamëriën, se djelmënia shqipëtare për ju të dya, ka për të dhanë shpirtin, ka për të derdhun gjakun e vet.

Mos dëshpërohemi as pak që mbeti një Shqipënië e vogël, se edhe njeriu i vogël lindet, pastaj rritet edhe madhohet. Shqipënia âsht një foshnje mot moçe, sa sot po e kremtojmë motin e rilindjes së saj. E pra, duhet ushquer edhe duhet kujdesur mirë, që të rritet e fortë edhe e shëndoshë, e zonja që të mprojë gjithë të drejtat e saj.

Gjithë shqipëtarët, si një trup të lidhur me idealin e shënjtë, të kremtojmë rilindjen e Shqipëniës, edhe të përpiqemi për atdhe, se do shpëtuar atdheu na reziket q’e rethojnë.

Të gjithë nasionalistët të marrin para syvet nderin e vatrës edhe t’i japin popullit të kupëtojë se shpëtimi i jonë varret ne bashkim, edhe bashkimin e pjell dashunia e atdheut.

Të fala moj Kosovë, moj Çamërië, që kujtimet t’uaja kanë zënë rrënjë në mendje të ç’do shqipëtarit.

 “Perlindja e Shqipëniës” Nr. 26, 15/28 Vjeshta e III, 1913

***

Qëllimet e Serbies

Serbia tuj mos i nderue as pak tagret nderkombëtare e tuj perbuzë gjithë të drejtat e Shqypniës asnjianëse, tash vonë ka kalue kufinin t’on më dy tre vênde e ka zaptue disa krahina ngjit me kufînin e sajë. Deri sa kje shpresa se Esad Pasha ka me muejt me shtrue gjithë Shqypniën pa pas nevojën e ndihmes, Serbia nuk bzâni e mastoi me propagandat qi bâshin agientat tuj daë pare e tuj shkrue giandarma n’emen t’Esad Pashes. Kohen e mbrame mbasi u paë çiltas se Esad Pasha i rrethuem e i metun ne t’kater murret e Duresit, nuk kje i zoti me sbatue programin e pelqymun prej Kabinetit Pasiç para se t’kthehet Esad Pasha ne Shqypnië, filloi vetë ushteria serbe të veprojë per me krye at program të vlershëm e të çemueshem per politiken Esado Serbe.

Duhet permêndun açik se Sarbia keto veprime qi âsht tuj bâë nuk po i bân krejt me mêndie t’vet, po âsht e shtytun e e kurajuem edhe prej t’jeter kuejt qi don me perfitue nga ky rast; kjo pikë meriton oroe të madhe e spiegime t’plotë, por tash per tash po hiekum dorë tuj i a lânun ket detyrë nji artikullit t’jeter.

Serbia qysh shumë kohë e kendej ne pikat themelore të idealit të saj kaë pas edhe t’sdrypnit n’Adriatik tuj kalue permjes të tokes shqyptare. Ket, ideal qeverria e Pasiç-it ka dasht me e sbatue qysh ne luften Turko-Balkanike, por politika Europiane e sidomos ajo Italo Austriake i pat lânun të pafrytshëm mundimet e Serbiës tuj vûe si gardhë ndalimit Shtatin Shqyptar.

Tash, Serbia tuj mos drasht as pak Austriën e cilla duket qi âsht e shtrengumun politikisht t’mos veprojë ne Balkan, po msyn token e Shqypniës asnjianëse per me krye qellimet e veta.

Të kje e msyme prej ushteriës Austriake, Serbia s’muejte me e i hîë ksaj pune e bile do të kishte nevojë t’madhe per me e mbledhë gjithë ushteriën e vet n’at vend ku anmiku i sajë dote me i hypë mi shpinë. Libri i Bleert kallxon se kuer pat hîe ushteria Austro-Hungareze ne Valjevo, Ambasadori i Itales ne Wienë pat lypë prej Austriës suvranitetin e Italies mi Vlonë e Austria per mos me bâë ket punë u shtrengue me e hiek ushteriën e sajë prej tokes serbe e me qindrue vetëm ne mprojtje të kufinit.

Nji provë t’jeter e ksaj së vertetë âsht agiencia Italiane e dieshme e cilla thotë: “Daily Cronicle sakton qi âsht provue se Italia e ka pritë Austriën e nuk e ka lânë me pas dorë të leshueme nder Balkane”.

Politika Austriake pelqeu ma shumë mosveprimin e saj ne Balkan se me hîë ne luftë me Italiën ase me i njoftë Vlonen qi âsht goja e Adriatikut e qi liria e saj ne gjinin e Shqypniês, u siguron jetën e Perandorievet qentrore.

Pa kris lufta Italo-Austriake, Austria drote Italiën e nuk veprote ne Balkan; po tash ç’âsht shkaku i mos veprimit?

Mas mendies s’onë shkakun e ksaj pune duhet t’e kerkojmë ne dye pika: Pika e parë pershiën marëdhaniet miqsore Austro Rumune, e dyëta marëdhâniet miqsore Austro Bulgare. Pos ketyne mundet qi Perandoriët qentrore presin mbarimin e fitimshëm të operacionit (Amelijat) qi kan fillue ne shesh kah Russia. Si do qi të jetë puna, âsht e vertetë qi Serbia gjindet e lirëshme e prandej ka fillue me na msye tuj shkel gjithë tagret nderkombëtare e krejt jashta ndisiënave nierëzore.

Tash i ka gjet kohen Serbia e bân shka don, por kujtojm qi ka m’u gjend nji Shtat qi të mëshirohet per të shkreten Shqypnië qi e prûni ne ket hall politika e Europes e mâ ne fund kan m’u gjênd edhe shqyptarë qi kan me dek para se t’u shkelet toka e tyne.

Qellimet e Serbiës per mi veprimet e sotshme qi âsht kah bân munden m’u permbledhë më trië pika:

1) Nga shkaku qi Greqia i-a kaë mbyllë per gjithshka rrugën e Selenikut tuj majt nji asnjianesië të plotë, Serbia ndoshta âsht e shtrengueme të dali ne Adriatik per me pas marëdhânie me Shtetet qi lufton bashkë me ‘ta e per me mujt me marë gjithshka t’i duhet per nevojë të luftës. Ky ndoshta âsht ma i pari qellim i Serbiës t’cillin e kaë dishirue qysh heret.

2) Serbia politikisht don me i zaptue keto vênde per me i pas gadi në dorë të saj kuer të bahet konferenca e pagjes.

3) Qellimi i tretë qi meriton oroe âsht t’shtruëmit e Shqypniës nen influencë të Esad Pashes. Asht nji marëveshtje e msheftë nermjet t’Serbiës e Esad Pashës e cilla sot âsht tuj u vûe ne praktikë. Esad Pasha kujton qi ushteria serbe masi t’a shkeli Shqypniën ka me i a ba teslim sundimit t’tij, po harron qi neser ka me e shkelmue edhe atë vetë.

Asht koha qi shqyptarët e njimendshëm t’i çilin syët mirë e t’e shofin rrezikun qi po ndershkon Atdheu i tyne. Na jena kah paraqesim gjith hollesiët e punëvet me uzdajë qi atdhetarët e vertetë kan m’u kujdesue per me i gjetun menyren e pshtimit t’Atdheut.

Populli, Nr.  74, 9 Qershuer 1915

SHKARKO APP