108 vjet: Kuteli dhe Tirana zyrtare

Dhimitër Pasko 108 vjeç/ Më 1990 ishin përkthyer dhe bërë gati si libër për botim në Francë rreth 100 faqe nga novelat e tij, por… nuk realizohet. Mund të hamendësojmë se dy mund të jenë arsyet e vërteta të dënimit të tij me burg: botimi i Poemit Kosovar më 1944 (poemë që nuk u përmend kurrë para vitit 1990) dhe mospranimi prej tij i uljes së kursit të lekut në favor të dinarit jugosllav. Pas shkëputjes nga jugosllavët ai u lirua nga burgu. Mund të ketë motive të tjera? Prapë pika të paqarta.

Nga Sadik Bejko

Është një nga figurat e intelektualitetit më të lartë të shekullit XX ndër shqiptarët. Një figurë jetëgjatë për të mirën e kulturës sonë. Shkrimtar, autor i një proze të pashoqe në stilin e saj, një shëndritje argjendore për letrat shqipe, kritik letrar, botues dhe studiues, sidomos i Lasgushit dhe i Fan Nolit, poet, përkthyes i klasit të parë.

Doktor i shkencave ekonomike, drejtor i Bankës Kombëtare Rumune dhe i bankave të tjera në Rumani, autor i disa librave – thonë rreth 30 libra – për probleme të ekonomisë . Jeta e tij më pas trazohet nga Lufta e Dytë Botërore: rekrutohet si oficer në trupat rumune profashiste. Kthehet papritmas në Shqipëri. Në Bankën e Shqipërisë u reziston pushtuesve gjermanë për pobleme të monedhës. Del partizan ‘shumë vonë’ më 1944. Më 1946 jep dorëheqjen nga Banka e Shqipërisë se kundërshton uljen e kursit të lekut në favor të dinarit jugosllav. Më 1947 pas 7 muajsh hetuesie dënohet me pesë vjet burg si armik i popullit. Lirohet më 1949. Derisa sa ndërroi jetë 1967, 60 vjeç, punoi në ndërmarrjen botuese si përkthyes. Nuk kishte të drejtë botimi si autor deri më 1964.

Ndëshkimi i tij ishte më i rëndë se i Lasgushit. Atij fashistët i vranë babain, i dogjën shtëpinë në Pogradec, e kthyen nga fronti i luftës në Ukrainë, në Tiranë e punësuan në bankë. Në gjithë këto nuk ka shumë logjikë, nuk do të thoshim ka pika të errëta. Por kanë kaluar rreth 20 vjet nga rënia e komunizmit dhe me këtë anë nuk është marrë seriozisht asnjeri.

Për babanë dhe djegien e shtëpisë me pseudonimin Yzedin Jashar Kutrulia e Mitrush Kuteli ka shkruar te libri “Sulm dhe lot”, më 1944. Aty është dhe “Poemi Kosovar”.

Koministët e punësuan në bankë, e dënuan pesë vjet për agjitacion e propagandë, e lanë deri dy vjet në burg. E punësojnë si përkthyes, por nuk e lejojnë të botojë si autor. Librat e novelave të tij të botuara para komunizmit shiteshin në kioskat e Tiranës, zyrtarisht ai nuk ishte shkrimtar. Emri i tij si shkrimtar nuk përmendej. Lasgushin e botonin në antologji, e studionin, i botuan një libërth me poezi. Heshtej për shkrimtar Kutelin. Së pakut si ‘shqipëronjës’ në librat e përkthyer vihej emri i tij.

Më 1990 ishin përkthyer dhe bërë gati si libër për botim në Francë rreth 100 faqe nga novelat e tij, por… nuk realizohet. Mund të hamendësojmë se dy mund të jenë arsyet e vërteta të dënimit të tij me burg: botimi i Poemit Kosovar më 1944 (poemë që nuk u përmend kurrë para vitit 1990) dhe mospranimi prej tij i uljes së kursit të lekut në favor të dinarit jugosllav. Pas shkëputjes nga jugosllavët ai u lirua nga burgu. Mund të ketë motive të tjera? Prapë pika të paqarta.

Si shkrimtar i formës së bukur dhe estetikisht si idhtar i formalizmit, ai ishte në kundërshtim me frymën estetike të zhdanovizmit në fuqi. Kolegët e tij mund të kenë ndikuar për keq (sot disa nga ata që nuk ia përmendnin emrin si njëri ndër autorët e mëdhenj të periudhës së Pavarësisë) shkruajnë me dashuri, por hartime të bukura që i rrumbullaksojnë ose i mbulojnë problemet. Kuteli kishte ushtruar penën e kritikut letrar dhe mendonte se në Shqipëri kolegët nuk ta falin kritikën, hakmerren. Ka fakte për këtë? Sa është hulumtuar marrëdhënia e tij me kolegët?

Shumë nga ata krijues a shkencëtarë që morën rroga e ofiqe nga fashizmi, më pas u konformuan me sistemin komunist. Edhe A. Xhuvani, edhe Lasgushi… edhe mësues Nexhmije Xhunglini, edhe N. Haznedari, dhe Kahreman Ylli kanë pranuar të punojnë me këmishëzinjtë, kanë marrë ylefe dhe nëpunësi prej tyre. Pse Kutelit ia mbajnë për aq të madhe? Sa është studiuar vënia e intelekualëve të lartë në punësim prej regjimit fashist e si e kanë kthyer fletën më pas? Sa është studiuar kjo?

Sot Dhimitër Pasko është zyrtarisht Nder i Kombit. Në masterat dhe doktoraturat e përvitme që mbrohen në Universitetet tona, temat mbi krijimtarinë e Kutelit janë nga më të rrahurat dhe më të kërkuarat. Por një monografi për jetën e tij ende mungon. Kjo do të sqaronte shumë hije që mbeten të pandriçuara mbi jetën e tij. Ky është një mallkim që nuk i ndahet kulturës sonë: nuk hartojmë biografi të gjera jetësore të personaliteteve tona. Kur erdhi Papa Francesku u mbush Bulevardi kryesor i Tiranës me portretet e të martirizuarve nga burgjet e nga komunizmi, por jetën e tyre do ta studiojë kisha(?). Nuk është keq, por ne, katedrat e studimeve tona, institucionet e arsimit ta lartë, akademitë, ministritë çfarë bëjmë?

Një biografi jetësore do të punosh me vite, në arkiva të hapura dhe sekrete, jashtë e brënda vendit.

Është më e lehtë të japësh dekorata të larta sesa të bësh një monografi profesionale të mbështetur në dokumente, në hulumtime etj

Dhimitër Pasko është një emër i madh në kulturën tonë. Ne do ta duam më mirë, do ta çmojmë më shumë kur ta lexojmë e rilexojmë letërsinë e tij, kur ta njohim në thellësi jetën e tij. Ta studiojmë atë a këdo pa frikë se po prekim tabutë, pa pasur ndrojtje se me këtë apo atë anë jo aq të qartë, nënçmohen talente si ai.  Ai e ka ngjitur në mal emrin e tij. Jemi ne që kemi nevojë të shkojmë te ai.

*titulli është redaksional

 

 

Letërkëmbimi midis Poradecit dhe Kutelit

Dy letrat e mëposhtme, që Kuteli ia dërgon Lasgush Poradecit, ndonëse janë pjesë e veprës së katërt, të korrespodencës së dy shkrimtarëve (AlbPaper, Tiranë, 2010, f. 193), ato përsëri risillen nga trashëgimtarët në librin “Netë moldave”, të botuar në vitin 2015. “Kemi përfshirë këtu edhe dy letrat dërguar bashkëvendësit të tij, poetit Lasgush Poradeci. Në të parën, në maj 1941, Kuteli shkruan se ka ndërmend të kthehet në vendlindje. Nga e dyta, në janar 1942, mësojmë se ka qenë i mobilizuar, por tashmë ndodhej në Bukuresht”, – shkruajnë në parathënie të “Netë moldave”.

***

Lasgush Poradeci

Rruga e Shëngjergjit nr. 5

Tiranë Albania

Bukuresht 29 maj 1941

I dashur Llazar

Letrën e mora. Fort më hidhëroij pushimi i Mëmës s’atë të dhemshur. Kështu është jeta. Lotë e dhembje. Si ka qenë në fillim. Të jesh i lumtur se e pate parë shpesh në vitet e fundit. E se ka një varr ku munt të gjunjëzosh

Jam mirë. Shkruajm në drejtimin e vjetër – pa as një titull, përveç emrit. Dëshëroj të nisem që të shoh vendin t’im. Ç’u bë libra që pregatitnje? A munt të të dërgoj dorëshkrime nuvelash për do një të përkohëshme?

Me dashuri Kuteli

 

Egregia Signior Dott Lasgush Poradeci

Profesore Tirana

24 janar 1942, Bukuresht

I dashur Llazar,

Letrën t’ënde të shkrojtur në Poradec më 23 të korrikut 1941 e mora sot më 22 janar 1942. S’di as unë ku munt të kish ngecur, si ngjan dendur në rrethana të jashtëzakonshme, si këto t’onat. Unë jam mirë: dimëroj. T’a këndova me gëzim vjershën “Durimi”. Më pëlqen alternanca e tetë dhe pesë rrokjeve. Kjo i jep intensitet dhimbjes së brendshme. Prej shumë kohe, në arratime të reja e të vjetra, nuk pata dëgjuar e folur shqip…

Ja po të dërgoj edhe unë një vjershë t’imen. Pa fjalë se poezija nuk është fusha ime. Ti fort mirë e di. Po, janë rrethana kur edhe korbi- jo vetëm bilbili 0 ndjen shtytjen e brendëshme, të buçasë. Se zëri i tij nuk i ngjan erës së temjanit pot ë katranit, kjo është e vërtetë.

“Vdekja ime” është një farë “elegjije” ose “vajë” si thua tinë. Masa: tetë e gjashtë rrokje që munt të pasqyrojë më mirë regëtimet e shpirtit. E shkrojta në Tetor 1941, kur marshoja për në ballin e luftës (këtë punë ti lipset t’a mbash për vete, të pa thënë, – nuk është mirë t’a dijë as Nëna as Babaj, e asnjeri!)

Dy sende m’a patnë turbulluar, asohere, shpirtin: malli i tronditshëm i vendit, i baltës s’onë, edhe dhembja e Nënës. Nga shtatë strofat, një është për hyrje, tri për tokën, tri për Nënën.

Ti po t’a gjesh të udhës mund t’a shtypësh pa asnjë shpjegim mi rethanat që të shkrojta.

Më duket se kam disa dorëshkrime proze, të vjetra. Po të gjej rast, do të t’i dërgoj. Dua të shtyp së shpejti (dorëshkrimi është afron gati) një volum të vogël me folklore “Cantece si descantece din moldova mica – Transnistria” të mbledhura prej meje përtej lumit Nistër.

Edhe njëherë, përsëri, të lutem që prindërit nuk lipset të dinë se isha edhe unë përtej. Tjatër herë të kam për të shkruar, ty, rethanat.

Me dashuri, yti – Dhimitraq

 

Po të vdes në dhe të huaj

-Shorte mërgimtari-

Të m’a bëni varrin t’im,

Ku do bje së pari

 

E një grusht nga balta jonë,

-Dhe nga dheu i vetë-

Të më sillni e t’a vini

Drejt në zemr e shkretë.

 

Do më çlodhet q’asohere

Trup i rraskapitur

Ky trup që kaqe dëshirime

M’a patnë zhuritur

 

Se kjo balt e vendit t’onë

Mallet do m’i shuaj,

S’do më duket fort i rëndë

Po ky dheu i huaj…

 

Pa të vini të m’i thoni

Nj’asaj Nënës s’ime:

Zi mos qajë, zi mos mbajë

Po asnjë thërrime;

 

Se m’i lumtur jam i fjetur

Se sa i mërguar,

Mot pas moti arratije

Zemër copëtuar.

 

Pa fytyr’ e saj e tretur

-Që e kam ikonë-

Lart mi varr do më qëndrojë

Sot e përgjithmonë…

Mitrush Kuteli

Ukrainë, Tetor 1941.

Gazeta MAPO

SHKARKO APP