130 mbishkrime otomane: Zbulimi mbi mure, dru e gurë për jetën shqiptare

Dalin në dritë rreth 132 mbishkrime, të gjetura në mure, dru dhe gurë. Faktet e zbuluara japin të dhëna për jetën shqiptare dhe përbëjnë një kontribut për fushën studimore, veçanërisht për studimin dhe vlerësimin e ndërtimeve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. “Korpusi i mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi”, i studiuesit Mehmet Tytynxhu është vlerësuar një skedë e plotë shkencore për jetën shqiptare

Dalin në dritë rreth 132 mbishkrime, të gjetura në mure, dru dhe gurë sjellin. Faktet e zbuluara japin të dhëna për jetën shqiptare dhe përbëjnë një kontribut për fushën studimore, veçanërisht për studimin dhe vlerësimin e ndërtimeve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.

Me praninë e personaliteteve të rëndësishme të kulturës e shkencës në Tiranë është promovuar libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” (“Korpusi i mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi”), i studiuesit Mehmet Tytynxhu, publikuar së fundi në anglisht dhe që së shpejti, pritet të publikohet edhe në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC). Në aktivitetin e organizuar në Tiranë, drejtori i AIITC-së, Ramiz Zekaj theksoi rëndësinë e këtij botimi për kulturën e shkencën shqiptare dhe nxori në pah disa nga vlerat kryesore dokumentare që bartin këto mbishkrime. Sipas tij, “mbishkrimet që gjenden në monumentet e kulturës islame në trojet shqiptare janë një aspekt i veçantë, që ka ardhur si trashëgimi e kulturës islame shqiptare deri në ditët e sotme. Ato rrokin një hark të gjerë kohor gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1466 dhe përfundojnë në vitin 1942 dhe hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare”. Nëpërmjet tyre, tha ai, njihemi edhe me jetën dhe veprën e disa personaliteteve shqiptarë si vezirë të mëdhenj, pashallarë, udhëheqës, kryengritës që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Zeka sqaroi se në shumë mbishkrime të tjera jepen informacione mbi kohën kur kanë filluar dhe ushtruar veprimtarinë e tyre personalitete të rëndësishëm dhe misionarë të besimit islam si: myftinj, imamë, hatibë, myezinë, dervishë, baballarë, vaisë dhe teologë.

Libri me 311 faqe botuar në anglisht, përmban 132 mbishkrime, shumica të zbuluara në terren, por edhe në arkiva dhe është konceptuar në tre pjesë kryesore, ku dy të parat i dedikohen Shqipërisë dhe një Malit të Zi. Pjesa e parë – “Periudha e parë e sundimit osman” përfshin 24 mbishkrime të viteve 1447-1670; Pjesa e dytë – “Mbishkrime nga qytetet” paraqet 90 mbishkrime nga vitet 1732-1913 dhe Pjesa e tretë -“Mbishkrime nga Mali i Zi” ka 18 mbishkrime, si dhe 4 nga Koleksioni Marubi.  Studiuesi Aleksandër Meksi, i cili vlerësoi punën skrupuloze të Mehmet Tytynxhu, e konsideroi librin e tij si një skedë të plotë shkencore. “Studimeve shqiptare i mungonte për shumë arsye një punim i tillë, por sot ne e kemi në dorë falë punës këmbëngulëse të Mehmet Tutuncu. Ne i gjykojmë të mëdha vlerat shkencore të korpusit, nivelin dhe dobinë e tij, një shembull që duhet ndjekur dhe pse jo dhe thelluar me gjetje të reja nga kjo periudhë”, -tha Meksi.

SHKARKO APP