14 % e të rinjve praktikojnë çdo ditë besimin fetar
Liria e besimit, harmonia dhe bashkëjetesa ndërfetare janë vlera themelore të shoqërisë shqiptare. Vlera të krijuara e përcjella përmes shekujve dhe momenteve të ndryshme të historisë, deri në ditët tona. Vlera, që janë shndërruar në tipar dallues të identitetit tonë kombëtar, botërisht të njohura, të çmuara veçanërisht sot, kur ekstremizmi fetar kërcënon më shumë se kurrë paqen sociale. Të rinjtë, pjesa më vitale dhe më e brishtë e shoqërisë, rrezikojnë më së shumti të ndikohen nga klima e ashpër e radikalizmit. Kjo i vendos ata në qendër të përpjekjeve për promovimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe lirisë fetare. Një objektiv ky, edhe i Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili i konsideron këto vlera-instrumente për parandalimin e përhapjes së ideologjive ekstremiste. KSHH, në kuadrin e një nisme të tij, sjell gjetje shumë interesante, rezultat i një studimi mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.
Studimi bazohet në një anketim të gjerë, me të rinj të moshës 15-35 vjeç (me shtrirje kombëtare) në lidhje me vlerat e lirisë së besimit tek kjo grup-moshë. Ai është ndërtuar në tre boshte kryesore – liria e besimit mes të rinjve në familje dhe komunitet; Situata e edukimit mbi liritë fetare në institucionet arsimore; Perceptimi i kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare rreth radikalizmit dhe ekstremizmit. 55% e të rinjve të anketuar, për këtë studim, i përkasin besimit Islam, ndjekur nga 14% të besimit katolik dhe 12% të besimit ortodoks. Ndërkohë, 15% e tyre janë shprehu se nuk i përkasin asnjë besimi. Pjesa më e madhe, 70% në total, ose nuk e praktikojnë fare, ose e praktikojnë vetëm në rastin e ditëve të shënuara fetare. Një pjesë jo e vogël, 14%, e praktikon çdo ditë besimin fetar. Ndërsa pjesa tjetër, 7% dhe 9%, e praktikojnë përkatësisht një herë në muaj dhe një herë në javë. Kontakti me besimet e tjera fetare shërben për tejkalimin e paragjykimeve dhe ushqimin e harmonisë fetare.
Po çfarë lidhjeje kanë të rinjtë shqiptarë me objektet e kultit të besimeve të tjera fetare? Sipas rezultateve të studimit, 1 në 5 të rinj të anketuar nuk kanë vizituar asnjëherë një objekt kulti të një feje tjetër. Shumica megjithatë, e kanë vizituar të paktën një herë një objekt kulti të një feje tjetër. Ndërkohë 1 në 4 i vizitojnë shpesh objektet e kultit të një feje tjetër. Kjo tregon se të rinjtë shqiptarë janë relativisht të hapur në raport me besimet e tjera dhe se nuk shfaqin paragjykime.
Liria e besimit është një ndër të drejtat themelore dhe universale të njeriut shprehur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Në kontekstin kombëtar është një ndër parimet bazike dhe udhëheqëse të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Po cila ishte perspektiva e të anketuarve: Shumica dërrmuese pohuan se të gjithë qytetarët e Shqipërisë i kanë të garantuara liritë fetare. Ndërkohë, pothuajse 1 në 4 deklaroi se këto liri janë pjesërisht të garantuara e më tej një përqindje jo e pakonsiderueshme, 8%, nuk e dinin ose refuzuan të përgjigjen. Po cili është roli i fesë në jetën personle të të rinjve të anketuar? Këtu kemi një shifër interesante. Përqindja e atyre që e konsiderojnë rolin e fesë “formal” është e njëjtë me atë që e konsideron të ketë një rol të rëndësishëm – 32% . 1 në 5 të anketuar deklarojnë se feja luan rol vetëm në momentet më të vështira të jetës, gjtë të cilave ata i drejtohen besimit fetar.
E njëjta prirje është vënë re edhe në rastin e mendimit që kanë të rinjtë për rolin që zë feja në familjet e tyre. Shumica e të anketuarve, 44%, thonë se feja zë një rol formal, 33% e tyre pohojnë se feja zë një rol të rëndësishëm në familjet e tyre. Duke vazhduar me rolin e familjes, si ndikon ajo në orjentimin fetar të të rinjve? 1 në 2 të anketuar shprehen se pavarësisht marrjes vetë të vendimeve në lidhje me fenë, konsultohen gjithmonë me familjen. Ndërkohë 1 në 5 të rinj deklarojnë se familja luan një rol vendimtar në lidhje me orientimin e tyre fetar. Megjithatë një përqindje e konsiderueshme, 35%, deklarojnë se familja nuk luan asnjë rol, pasi ata i marrin vendimet në mënyrë të pavarur. Kjo e fundit mund të shpjegohet deri diku edhe me moshën e të anketuarve e cila shpesh mund të karakterizohet nga një ndjesi pavarësie prej familjes.
A ndihen të rinjtë të diskriminuar për shkak të përkatësisë fetare. Në përgjigjet e të anketuarve mbizotëron ajo e një trajtimi të barabartë dhe mos-diskriminimi për shkak të fesë. Shumica dërrmuese shprehet se 86% trajtohen njësoj, pavarësisht përkatësisë fetare. Kjo shifër mbështet ekzistencën e klimës së harmonisë fetare që mbizotëron në Shqipëri. Vetëm 6% e të anketuarve mendojnë se nuk trajtohen në mënyrë të barabartë për shkak të besimit. A do të martoheshe me një person që i përket një feje tjetër? Kjo është një nga pyetjet drejtuar të anketuarve. Edhe këtu kemi një përgjigje masive “po” me një mbështetje prej 88%. Por ka edhe nga ata, 11% për të cilët feja mund të jetë më e rëndësishme se dashuria. Si i shohin të rinjtë fetë në përgjithësi, si përjashtuese, apo pasuruese të njëra -tjetrës? 1 në 2 të rinj mendojnë se të gjitha fetë çojnë drejt të njëjtit Zot/Perëndie.
Grupi i dytë më i madh i të anketuarve beson në dialogun e sinqertë ndër feve. Ekziston edhe një grup tjetër, prej pothuaj 20% të të anketuarve, që ose e shohin fenë e tyre si të vërtetën e vetme (11%), ose pohojnë se të gjitha fetë e tjera duhet të përbrendësojnë të vërtetën e fesë së përkrahur nga personi i anketuar (9%). Kjo gjetje e bën edhe më të rëndësishme punën me të rinjtë, për të trajtuar paragjykimet dhe keqinformimet që shpesh zënë vend ndër ta.
Këto dhe gjetje të tjera të studimit tregojnë se feja vazhdon të jetë pjesë e jetës së të rinjve, sigurisht në nivele të ndryshme. Ndërkaq, ata janë të hapur për debate dhe diskutime në lidhje me temat e lirisë fetare, çka tregon shkallën e emancipimit dhe tolerancës që mbizotëron në pjesën më të madhe të të anketuarve. Një situatë pozitive, që premton për kohezion social, por që nuk duhet marrë kurrsesi si e mirëqenë. Që ky realitet të vazhdojë duhet punë dhe vëmendje e pandërprerë nga ana e bashkësive fetare, organizatave dhe e gjithë shoqërisë në tërësi. Ruajtja e një tradite unike, me një vlerë unike në kohët që jetojmë, është një detyrim që i kalon kufijtë kombëtarë dhe kjo përmasë e shton edhe përgjegjësinë dhe angazhimin që duhet të kemi të gjithë në ruajtjen dhe kultivimin e lirisë dhe tolerancës fetare.