15 fluturime dhe 4 tragete në ditë nga Italia. A mund ta mbajmë larg koronavirusin?

Fluturimet dhe tragetet nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas

Shqipëria, por edhe mbarë Europa, po ndjek me ankth shpërthimin e koronavirusit në Itali. Për vendin tonë, epidemia që ka shpërthyer në vendin fqinj, do të thotë se koronavirusi ka mbërritur tanimë në “oborrin e shtëpisë”. Pyetja e vetme është si do të mund të “mbajmë derën mbyllur”?

Shumë vende të BE-së i kanë kërkuar tanimë Italisë fqinje mbylljen e kufijve, ndërkohë që në Ballkan, Greqia, Kroacia dhe Rumania, kanë paralajmëruar vendosjen në karantinë të të gjithë pasagjerëve që vijnë nga rajonet ku ka shpërthyer virusi në Itali.

Por për Shqipërinë, situata paraqitet më e komplikuar se kaq. Në rajonin e Italisë Veriore, jetojnë dhe punojnë mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët udhëtojnë shpesh drejt Shqipërisë për të takuar familjarët. Po ashtu numri i qytetarëve Italinë që udhëtojnë drejt vendit tonë për biznes, konferenca apo takime pune është i konsiderueshëm. Po ashtu edhe nga Shqipëria drejt Italisë janë të shumtë ata që udhëtojnë.

Foto me poshte shperndarja e fluturimeve nga Italia

Të dielën në Shqipëri janë ulur 15 fluturime nga Italia, shumica prej të cilave ishin nisur nga Italia Veriore dhe Qendrore. Ndërkohe edhe ditën e sotme, sipas të dhënave që ofron në Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza, kanë mbërritur ose priten të ulen edhe 15 fluturime të tjera. Pasagjerët që mbërrijnë sot nga Italia, në Shqipëri nisen nga Roma, Bari, Milano, Firence, Bolonja, Bergamo, Xhenova, Rimini, Venecia dhe Verona. Shqipëria ka dy fluturime direkte nga Milano në ditë dhe katër nga Roma. Ndërkohë, sa i përket trageteve, çdo ditë në Portin e Durrësit hyjnë dhe dalin tre tragete nga Italia, dy nga Bari dhe një nga Ankona. Nga ana tjetër, në Portin e Vlorës mbërrin një traget nga Brindisi. Po ashtu nga Durrësi nisen 3 tragete në ditë dhe 1 nga Vlora përtej Adriatikut.

Edhe pse deri më tani, në vendin tonë nuk është konfirmuar asnjë rast i prekur me koronavirus, numri i madh i qytetarëve që udhëtojnë nga Shqipëria në Italia dhe e anasjelltas, bën që rreziku të mbetet i madh.

Për shkak të një greve të brenshme, Alitalia ka ka anuluar 350 fluturime të planifikuara për të hënën, të martën dhe të mërkurën, përfshirë edhe ato drejt Tiranës, por linjat e tjera kanë vazhduar fluturimet normalisht.

Me koronavirusit në “derën e shtëpisë”, qeveria shqiptare ka njoftuar kontrolle shtesë në pikat kufitare dhe aeroport, por deri më tani nuk ka asnjë njoftim për kufizim të udhëtimeve drejt Italisë.

Çfarë masash kanë marrë vendet e tjera?

Ndërkohë që numri i të infektuarve ka mbërritur në mbi 200, Italia është përballur me presion të gjithanshëm nga fqinjët e saj europianë jo vetëm për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve por edhe mbylljen e kufijve. Austria, Zvicra, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar që paktën vendosjen e kontrollove kufitare me Italinë, për zbulimin e personave të infektuar me koronavirus që në kufi.

Sidoqoftë, qeveria e Italisë ka refuzuar të pezullojë përkohësisht sistemin pa kufij të zonës Shengen.

“Nuk ka asnjë bazë për një iniciativë të këtij lloji, për momentin,” tha Kryeministri Giuseppe Conte, duke shtuar se një rivendosje e përkohshme e kontrollit kufitar do të ketë një ndikim shkatërrues në ekonominë e vendit fqinj. “Çfarë doni të bëjmë me Italinë, të kthehemi në karantinë?” shtoi ai. Si rrallë ndonjëherë, e gjithë skena politike e Italisë duket e bashkuar për mos mbylljen e kufijve, me Di Maion, Salvinin dhe Renzin që kanë kërkuar solidaritet dhe jo izolim për vendin e tyre.

Milano

Por kjo nuk i ka ndalur vendet fqinjë të kufizojnë udhëtimet drejt Italisë. Rumania ka vendosur të fusë në karantinë për dy javë të gjithë italianët dhe rumunët që vijnë nga Italia Veriore. Lajmi u bë i ditur nga Ministra rumune e Shëndetësisë, duke e bërë kështu Rumaninë vendin që mori masat e para direkte drejt Italisë.

Ajo do të vendosë në karantinë të gjithë ata që vijnë nga Milano, Bergamo, Treviso dhe Torino. Të gjithë pasagjerët italianë që mbërrijnë në Aeroportin “Henri Coandă” në Bukuresht, do të hyjnë në vend përmes një sporteti të veçantë. Pas hyrjes në vend, atyre do t’u kërkohet të plotësojnë një pyetësor të shkurtër dhe do të vendosen më pas në një karantinë në Zadar, afër Bukureshtit.

Pas Rumansë, edhe Kroacia vendosi të izolonte të gjithë udhëtarët që vijnë nga Italia Veriore, duke ngritur nivelin e gatishmërisë për rrezikun e koronavirusit në maksimum.

Bukuresht dizinfekton aeroportin

Masat janë edhe më të rrepta për njerëzit që vijnë ose kanë qenë kohët e fundit në kontakt me ndonjë prej rajoneve italiane të prekur nga koronavirusi. Sipas Ministrit kroat të Shëndetësisë Vili Beros, në të gjitha qarqet e vendit do të ngrihen karantina. Për shembull, në Rijeka, do të formohet një karantinë nën kujdesin e Kryqit të Kuq. Në këtë qytet do të organizohen karnavale ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë edhe shumë qytetarë italianë.

Ministri Beros kujtoi se situata në Itali është përshkallëzuar pasi shumë vizitorët kishin mbërritur tashmë në Rijeka, të premten.

Në fakt, masa e parë erdhi edhe nga Ministri Grek i Arsimit, Nikis Kerameos, i cili ka vendosur të anulojë të gjitha ekskursionet arsimore të planifikuara në Itali. Sot Athina rriti masat, duke vendosur në karatinë një grup turistësh nga Italia. Greqia po merr po ashtu masa emergjente në portet e Patras dhe Igoumenicës, ku bëhet transferimi i mallrave nga portet italiane.

Trenat Itali-Austri

Sipas një njoftimi të Ministrisë greke së Shëndetësisë, të gjithë pasagjerët nga Italia që shfaqin temperature do të vendosen menjëherë në karantinë.

Ndërkohë, Austria pezulloi të dielën në mbrëmje disa linja trenash që udhëtonin drejt Veriut të Italisë. Vendimi u mor pasi dy pasagjerë të infektuar me koronavirus u zbuluan në një tren që shkonte nga Italia drejt Gjermanisë jugore.

Viena po konsideron po ashtu ndalimin e të gjitha udhëtimeve drejt Brennerit, ndërkohë që ka pezulluar trenat drejt kësaj komune.

“Asnjë tren nuk do të niset drejt Brenner deri në një njoftim të mëtejshëm,” thotë ndërmarrja austriake e transportit në një deklaratë. Ministri i brendshëm austriak Karl Nehammer tha se të takohej me zyrtarët e Shëndësisë për të diskutuar nëse Austria duhet të rivendoste kontrollet kufitare me Italinë.

Burimi: Gazeta Si

SHKARKO APP