15- vjetori i krijimit të fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”

Nga Zenepe Luka/Është përkujtuar sot në Vlorë në ditën e 98 -vjetorit të vdekjes së Ismail Bej Vlora edhe 15 -vjetori i Fondacionit, Nermin Vlora Falaschi. Një grup grash kanë bërë homazhe edhe tek varri i Ambasadores së Kombit, që prehet në Kaninë.  Që nga dita e sotme. Fondacioni dhe 20 degët e tij në shtete të ndryshme, e shpallën “Viti gruas së shquar”. Në këtë kuadër do të organizohen veprimtari madhore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Preshevë, Itali, Slloveni, Gjermani etj.

Fondacioni “lindi” në akademinë “Iliria” në Romë.  Më 24 janar të vitit 2002, organizohej një sesion shkencor në Akademinë Kulturore “Iliria” në Romë, themeluar nga Ambasadorja e Kombit, Nermin Vlora Falaschi, aktivitet ky edhe në kuadër të ditëlindjes së Ismail Qemalit.        Në ‘të kishte intelektualë shqiptarë nga të gjitha trevat, diplomatë  dhe dashamirës të Shqipërisë. Ishte edhe prof. Lule Ruso, një figurë e shquar e gruas arbëreshe në Siçili, mike e shtrenjtë e Nermin Vlorës. Morën pjesë edhe referuan  Presidenti i Republikës, prof. Rexhep Meidani si dhe Akademiku Rexhep Qosje. Ishte edhe një grup intelektualësh nga Vlora, ku një ftesë të posaçme, shkruar nga dora e Nerminit, kisha marrë edhe unë, gazetarja, pasi kisha bërë shumë takime me Nermin.  Të gjithë folësit vlerësuan kontributin e vyer të Nermin Vlora Falaschit dhe bashkëshortit të saj, Renco, që kanë ngritur këtë Akademi Kulturore me emrin e bukur “Iliria”, në zemër të Romës, duke u falur brezave shtëpinë e tyre, vlerat kulturore dhe mbi të gjitha sakrificat dhe përkushtimin e tyre, për çështjen Kombëtare. Bashkë me zonjën e Parë të Shqipërisë, Lidra Meidani, teksa ndiqnim aktivitetin, që zgjati për dy ditë, ku protagonistë ishte Nermin Vlora, njëherësh gjykuam: Nderim për këtë grua të shquar shqiptare, Ambasadoren e Kombit, që ka ngritur lart vlerat, kulturën dhe traditat e Shqipërisë, kudo që kanë qenë në botë dhe që ende nuk resht së punuari, pavarësisht nga mosha.

Ajo është një shembull i shkëlqyer për gruan shqiptare, një model i intelektuales, që sakrifikon deri në vetëmohim, duke sfiduar moshën, që nuk i pushon së menduari mëndja e së rrahuri zemra, për Atdheun e saj. A nuk duhet përgjithësuar dhe marrë model mbesa e Ismail Qemalit nga gratë shqiptare? Në diskutim e sipër, ramë dakord për një të vërtetë, se si Nermin Vlora, ka shumë gra të shquara, jo vetëm në Shqipëri, që shquhen për vlera e potenciale intelektuale, zotësi, mençuri dhe patriotizëm, që janë në ballë të shkencës, Artit, Kulturës, por në të gjitha trevat.  Bashkëbisedimi me Nermin Vlorën me të nesërmen, teksa diskutonim gjerë e gjatë për problemet e gruas,jo vetëm e përforcoi mendimin e shprehur, por shkoi më tej duke çuar në një vendim: Krijimin e shoqatës së grave intelektuale shqiptare mbarëkombëtare, në Akademinë “Iliria” në Romë. Prof. arbëreshe Lule Ruso, do ta konsideronte një ngjarje të madhe dhe premtoi se do të ishte e pranishme në të gjitha veprimtaritë që do të organizoheshin në Shqipëri e kudo.

 Bashkërisht, ramë dakord, që të organizohet një Kuvend Mbarëkombëtar me këto gra të shquara në qytetin e Vlorës, ku ka themelet historia e Kombit. Kjo ide, u mbështet edhe nga Presidenti i Republikës në ato vite, i cili, përveç  të tjerash dha fjalën, se do të jepte ndihmesën e tij për mbajtjen me sukses të  këtij Kuvendi. Duke siguruar këtë mbështetje, pas kthimit nga Roma, puna nisi me vrull, ideja u përhap në Tiranë, Prishtinë, Maqedoni dhe deri në krahinat arbëreshe. Kjo ide u mbështet në ato vite edhe nga gra intelektuale, që janë potencial i rëndësishëm i gruas shqiptare sikurse ishte Dr. Makbule Çeço, nënkryetare e Parlamentit të Shqipërisë, Presidente e OJQ Valentina Leskaj, Dr. Saemira Pino, intelektualet Nora Malaj, Vera Leskaj, Drita Aga etj., që u bënë edhe pjesë e grupit organizator të Kuvendit.

Kështu më 25 janar të vitit 2002, u lind në Romë, Shoqata e Gruas Shqiptare Mbarëkombëtare, që do të organizonte veprimtarinë e parë më 18 prill në Vlorë, që shënon 15- vjetorin. Pas ndarjes nga jeta të ambasadores së Kombit, më 28 nëntor të vitit 2004, shoqata do të emërtohej Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar  “Nermin Vlora Falaschi”.  Në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave në këtë datë do të organizohet në Vlorë Sesioni shkencor: me temë: “Gratë, që gjatë shekujve i dhanë dritë Kombit dhe problematikat e sotme”. Përveç  kryetareve të 20 degëve nga të gjitha shtetet, do të ftojmë edhe organizata të grave nga shumë shtete si: Kina Rusia, Holanda, Australia, Izraeli, Kanada dhe deri nga Amerika. Gjatë kësaj periudhe do të promovohen edhe dy libra.

SHKARKO APP