2 korrik 1990-2020: jemi ende ai populli i ngujuar në Ambasada; me qeverinë që na shtyn të ikim, por na bën thirrje të dalim

Nga Alfred Lela –

Alfred Lela

Gjermania mori kryesinë e radhës së Bashkimit Europian këtë korrik të nxehtë të vitit të Zotit, 2020. Shqipëria përkujton 30 vjetorin e hyrjes së rinisë dhe punëtorisë së saj në Ambasadën gjermane (dhe disa të tjera). Përkimet tona fatlume dhe fatkëqija me Gjermaninë nuk mbarojnë as fillojnë këtu. Nën shtysën, kokëfortësisht teutone, të Bundestagut gjerman, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të amenduar ku u futën edhe 15 ‘rezerva’ për Shqipërinë, parakushte të hapjes së kapitujve të negociatave. Për të vazhduar më tej në këtë niebelungen absurdi, në tre vjetëshin e fundit, shqiptarët kanë zënë kryet e listës së azilkërkuesve në Gjermani, duke lënë në bisht vende në luftë si Siria, Iraku, etj. Sa herë flitet për Gjermaninë rikthehet shiriti i bisedës te i quajturi shansi i humbur gjerman, vizita e Shtrausit në vitin 1987, dhe oferta e tij për shefat komunistë të kohës, për njëfarë hapjeje, pajtimi, revizionimi, një ‘çlirimi’ të Shqipërisë. Jo nga gjermanët, por nëpërmjet tyre. Edhe sot e kësaj dite ai pas vazhdon të shkaktojë habi dhe ‘ah, sikur të kishim ikur’.

Në kohë më të reja, para dy ditësh psh, gjermanët qenë një ndër të 27-ët që e lanë Shqipërinë jashtë listës së vendeve udhëtuese për në BE. Kryeministri Rama nxitoi ta quante ‘vendim politik’, duke harruar efektin boomerang të deklaratës: nëse vendimi është i tillë, pra politik, atëherë mes qeverisë së tij dhe atyre të vendeve të BE ka një problem politik. I cili  është edhe i shqiptarëve, por nuk është prej tyre. Pa harruar edhe një paralele që e bën Ramën të duket si Adil Çarçani i 87-ës. Ashtu si asokohe komunistët ia dilnin, me forcat e tyre, mu në gojë të ujkut, edhe përgjatë pandemisë së 2020, Rama ka folur për menaxhim të shkëlqyer, për luftë që duhej fituar, për armik të padukshëm etj. Fakti që BE nuk e certifikoi, duke ia hapur kufijtë, tregon se Rama, ashtu si Ramizi me Adilin e shokë, ka qenë në monolog, në autosugjestion.

Kur na u mbyllën edhe njëherë kufijtë, 30 vjet pasi i çamë muret e tyre me ‘Skoda’ dhe vrulle rinore, gjermanja nuk është e vetmja Ambasadë ku trokasim. Para dy javësh, për shembull, aparatçikët partiakë i mori ‘për veshi’ deri te Rruga e Elbasanit, një grua e imtë aziatiko-amerikane. Aty bënë një deal, ende të magjepsur nga pafuqia e tyre dhe fuqia amerikane. Nuk është vetëm e tyrja ajo magjepsje. Rreth 300 mijë shqiptarë aplikojnë çdo vit për Lotarinë amerikane. Ata që fitojnë, ashtu si antarët e Këshillit Politik, i kalojnë muret e trasha dhe të larta të Ambasadës Amerikane, duke menduar se po bëjnë një deal të madh. Të parët kanë frikë nga Amerika, të dytët kanë frikë nga Shqipëria, ose më saktë nga kastat politike që i udhëheqin dhe që i armiqësojnë me vendin e vet.

Kjo është pra, Shqipëria në 30 vjet dhe 40 rreshta word-i. E shihni, asgjë nuk ka ndryshuar. Vendi ka hyrë nëpër ambasada më 2 korrik 1990 dhe vazhdon të jetë aty. /Politiko.al

SHKARKO APP