25-vjetori i fillimit të Lëvizjes Demokratike

 

 

Fragmente romani 

HISTORIA E NJE VDEKJEJE TE VONUAR

Nga Skifter Këllici

Duke filluar nganumri i sotëm, cdo të diel do tëbotojmë disa fragmente nga romani ende i pabotuar “Historia e një vdekjeje të vonuar”,të shkrimtarit dhe komentatorit sportiv, Skifter Këllici.Romani shtjellon ngjarje që nisin me grevën e urisë së studentëve, rrëzimin e përmendores së diktatorit Enver Hoxha, pucin e ushtarakëve për ta rivendosur këtë përmendore në sheshin “Skënderbej”, eksodin e marsit të viti1991 dhe terrorin e Sigurimit të Shtetit për ta mbajtur ende në fuqi diktaturën e egër komuniste.

 

  Ai dhe ata përballë tyre…

  Nuk ishte hera e parë që Ali Rama takohej me studentë.Por këtë radhë nuk ishte ai që donte të takohej me ta, gjë që e kishte bërë kur kishte dashur.Ishin ata që kishin kërkuar ta takonin, atë, Presidentin e Republikës dhe Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë. Madje sa më parë.

 Gjatë asaj ore që po vazhdonte ky takim, më i ankthshmi dhe më sfilitësi në jetën e tij, nuk kishte dëgjuar qoftë edhe një brohoritje për Partinë, as për themeluesin e saj, Enver Hoxhën, pale më për atë vetë.

 Ai nuk kishtë pikasur qoftë edhe një fytyrë të gazmendur,qoftë edhe një vështrim të ciltër. Për më tepër, ata tani as po ankoheshin për mungesën e dritaves të ushqimit, a për kushtet e vështira të jetësës në konvikte.

 ”E dija që nuk ishin këto shkaku i këtij takimi,”-përsëriste gjithnjë me vete.

 Studentët, njeri pas tjetrit flisnin plot mllef për ato kishin ndodhur në mitingun e fundit, për dhunën e ashpër të policëve dhe sigurimësve ndaj tyre, vetëm e vetëm se ata kishin shprehur një të vërtetë- që në Shqipëri të kishte liri, demokraci.

 Midis tyre binte në sy jo vetëm me fjalët e serta e plot duf e mëri, por dhe me vështrimin përbuzës e të neveritshëm ndaj tij, një student gjataman, me emrin Sandër, mbiemrin e të cilit nuk arriti ta nguliste me mendje, por fytyrën, me tipare të thekëuara, nuk do t’ia harronte kurrë.Madje do të njoftonte ata të Sigurimit që të merreshin me të…

 …Befas në sallë zunë të dyndëshin dhjetëra e dhjetëra të tjerë, por jo më studentë.Ata ishin burrë e gra, të tërë të moshuar, të tërë komunistë, një pjesë të të cilëve i njihte mirë. Kishin qenë delegatë në Konferencën e Partisë së Tiranës më 1956. Po c’kërkonin ata pas kaq e kaq vjetësh aty?

 Vërente se midis tyre kishte nga ata që edhe kishin vdekur e cuditërisht ishin kthyer përsëri në jetë e rrinin midis të gjallëve e,vec kësaj, pas fjalëve të studentëve për liri e demokraci pohonin me kokë.Pastaj disa syresh shqiptonin plot keqardhje.”Edhe ne këtë kërkonim atëherë në atë konferencë: të kishim demokraci në parti”.

 Jo vetëm kaq, por në sallë u futën edhe intelektualë, nga ta që i kishte ftuar një ditë të nxehtë të asaj vere.Ata, ndonëse qashtër, i kishin kërkuar atë ditë se koha kërkonte ndryshime, kërkonte zhvillime demokratike…Ndërmjet tyre ishte edhe shkrimtari Agim Derani, tashmë i njohur edhe në botë.Edhe ata u ulën pranë atyre të Konferencës së Tiranës, që zunë të përshendeteshin me ta si të ishin njohur prej vitesh.

 Ali Rama u rrëqeth.Kishte qenë vetë në atë konferencë.Dhe i kishte ata kundërshtuar me fjalën e tij:”Demokraci ne kemi,por edhe demokracia ka një cak,të cilin ju kërkoni ta dhunoni gjoja në emër të saj”. Por të porsaardhurit në takimin me studentët i kishin pritur këtë përcaktim të tij me fytyra të murrëtyera e me fjalët:”Kur demokracia ka cak, ajo është demokraci nën kthetra, pra, demokraci e dhunuar”. Dhe të tjerë kishin shtuar: ”Eshtë njësoj sikur të jetosh në një kafaz ari ku nuk ke guxim të shprehësh pa drojë atë që ta ndjen shpirti, zemra”.

 Salla sikur ishte ndrydhur, hepuar, shkundur.Presidiumi, ku rrinte i dërguari i vetë Enver Hoxhës, ishte rrëkutur,ai vetë ishte bërë palmuc në ndenjësen e tij.Kështu po shkundej salla edhe tani, kur bashkë me studentët e mirrnin fjalën edhe ata.

 “Ku je shoku Enver,-bërbëliti me vete.-Përse nuk vjen të na shpëtosh si atëherë!..”

 Dhe ja, ndodhi cudia!..Enver Hoxha u fut njëmend në sallë.Nuk capiste, por vetëm zvariste këmbët duke dihatur zoritshëm. Fytyra i kishte përftuar ngjyrën e dheut,mbi flokët e shpupurisur, vetullat e ndërkryera , rreth zgavrave të syve,poshtë buzëve të reshkura mbi supet e kërrusuar shquheshin copëza balte.

 Atëbotë, Ali Rama e mori me mend se Enver Hoxha ishte ngritur nga varri dhe ia kishte behur aty sapo kishte dëgjuar zërin e tij.Gajasi plot ngazëllim me vete.

 ”Tani ta shihni ju, more bukëshkalë!-hungëroi pastaj hovëzueshëm, duke ndier se zemra po i fërgëllonte.

 Kështu ia kishte behur edhe atëherë Enveri në Konferencën e Tiranës. Dhe nga presidiumi kishte hedhur rrufe mbi tërë të pranishmit, ndërsa salla ishte qerthulluar nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. I kishte rroposur, i kishte batërdisur dhe më pas një pjesë të mirë të tyre i kishte kallur në burgje, a degdisur në internime, vetëm sepse ata kishin kërkuar të kishte më shumë liri fjale në mbedhjet e organizatave të Partisë, për më tepër në këtë konferenvë. Dhe të mendosh që këta komunistë, që aq të rinj, edhe frymën e fundit kishin qenë ëenë gati ta jepnin në atë luftë per jetë a vdekje, kishin marrë zemër edhe nga vetë porositë e vetë Enver Hoxhës, madje dhe në një artikull të botuar në “Zërin e Popullit”, gazetën e partisë, që pa drojë të bënin kritika nga poshtë lart, pra të kritikonin… edhe udhëheqjen edhe atë vetë.

 Sa e tmerrshme!..Këta nafakëzinj ishin bërë kështu kurban të këtyre porosive të tij mashtrimtare…

 Tani, pas kaq vitesh, të thinjur, të rrudhur, të mplakur, aq sa mezi mbaheshin gjallë, ata, së bashku me studentët, kërkonin demokraci.

 “Aman, shoku Enver,Bëj ashtu si di ti,- bërbëliti Ali Rama, duke marrë zemër.- Goditi,përuli,zhbiji,se kata janë armiq të tu, të popullit dhe Partisë!..”

 Dhe Enver Hoxha ashtu zuri të bënte.

 -Më jep listën, – mërmëriti me zë të mbytur dhe i zgjati dorën që drithëronte si ai vetë.

 -C’listë? – e pyeti Ali Rama duke skërfitur sytë.

 -Listën e atyre që janë ngritur e kanë njollosur partinë dhe mua.

 Atëherë Ali Rama ndërmendi atë pasdite, kur e shoqja eEnverit e kishte thirrur me telefon të vinte pahumbur as edhe një grimë nga Vlora ku ndodhej.Ai Kishte dëgjuar zërin e saj si krakëllimë sorre, që i kumtonte për hatanë e zezë që po ndodhte në konfeencë dhe namëta, ishte sulur drejt e në Tiranë, drejt sallë… Ishte ngjitur në presidium dhe kishte kërkuar listën e atyre që ishin ngritur dhe kishin vënë me shpatulla byroistët,të cilët qëndronin të shushatur mbi kareklla, ata pa të cilët ai nuk kishte bërë dhe nuk bënte asnjë hap në udhën pambarimisht të krimeve.

 -Po ata nuk janë15-20 njëzetë vetë, aq sa qenë ngritur atëherë në atë konferencë,- zuri t’i ftillonte Ali Rama, i tmerruar.

 -Qenkan më shumë?- e pyeti syshqyer Enver Hoxha.

 -Të tërë në sallë, – belelbëzoi Ali Rama.

 Atbotë Enver Hoxha u hodhi të tërëve një vështrim të kobshëm e gjëmëmadh. Ashtu si dinte ai, i bindur se ashtu si nga sytë e përbindëshave dilnin flakë përvëluese, ashtu dhe nga sytë e tij do të shpërthenin të tilla falkë që do t’i përzhitnin e përvëlonin ata që kishte përballë, sic kishte ndodhur edhe me ata të Konferencës së Tiranës.

 Por, habitërish, nga goja nuk dilte zë,nuk dilnin fjalë, por vetëm pluhur i tyre që davaritej e tretej në sallë, ku askush nuk i druhej, askush nuk tromaksej e llahtarisej më prej tij.

 Përkundrazi,të tërë studentë dhe ish-pjesëmarrs të Konferencës e bashkë me ta edhe intelektualët, midis të cilëve edhe Agim Derani, pa u lëvizur qerpiku, u ngritën dhe iu sulën plot hakërrim:

 ”Shporru, i mallkuar, e merr rrugët andej nga ke ardhur, ti bartës, i dhunës, krimit, kthehu në mbretërinë e ferrit, merr me vete të vdekur, por të pakallur në varr, edhe Ali Ramën, të cilit, para se të lije këtë botë, i dhe uratën që të vazhdonte udhën tënde të përcudnimit të shqiptarit duke i grabitur atë që është më e shtrënjtë-të qenit i lirë!”

 Enver Hoxha me sy të vëngëruar nga tmerri dhe Ali Rama që ato caste ishte afruar e kruspullosur pranë tij, duke parë që të tërë u turrën rrëmbimthi e ligsht ndaj tyre,u vunë të iknin nga të mundnin. Madje i pari nuk u mjaftua me kaq, por, pasi bëri përpara me hapa të cartallosur,e mbërtheu atë fort për krahu dhe nëpërdhëmbi i lebetitur:”Më mirë me mua në varr, se sa në dorën e tyre!”

 I lemerisur u rrek të clirohej nga ai shtrëngim që po bëhej edhe më i dhunshëm,por më kot.Enver Hoxha tani po e tërhiqte zvarrë drejt varrit,drejt vdekjes…

 …Ali Rama u përmend.

 Në sallë nuk ishte askush tjetër vec studentëve kundruall tij.Nuk ishin as delegatët e Konferencës së Tiranës, nuk ishte as Enver hoxha, që kishte dashur ta rrëmbente me vete në botën pa kthim.

 Atëherë ndjeu një gufmim shpirtëror.Ai ishte i gjallë midis të gjallëve.E, sado që me buzëqeshje të shtira, që nuk ngjitnin buzëve të tij të llagavituara, zuri të premtonte se partia po përtërihej, se po e conte vendin njëmend drejt zhvillimeve demokratike, por e ndiente se studentët në sallë dhëmbështrënguar dhe të irnosur e mbulonin me vështrime syshpotitëse dhe nuk i zinin më besë.As shokët e tyre jashtë saj, që e dëgjonin nëpërmjet fortafolësve, në sheshe, në cdo godinë të konvikteve të qytetit ‘Studenti’, as prindërit e tyre as populli, ASKUSH!..

 Për të, për Partinë, shtetin që drejtonte, po vinte dalëngadalë ajo që nuk e kishte përsijatur t’ia behte kaq shpejt:Vdekja.Por do të ishte një vdekje e vonuar, që do të kishte, gjithsesi, një histori ngjethëse, krupndjellëse. Ky nuk ishte vecse fillimi i saj…

SHKARKO APP