29 gushti 1992, kujtesë madhore për shpëtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale

Çdo 29 gusht duhet shënuar si ditë madhore kombëtare dhe përmendje për çdo klerik ortodoks që për shkak të rrethanave të krijuara, mundësive dhe pamundësive, ekonomike ose jo, të rikthehet në zërin shqip ortodoks

Nga Denion Ndrenika

29 gushti, 2 gushti, data të tjera të këtij muaji e muajve të ndryshëm janë raste kujtese të historisë së shqiptarëve, fqinjve të tyre apo popujve ngado.

Ndalem për çdo vit te 29 gushti 1992 në kujtesën e historisë së ortodoksëve shqiptarë, më saktë në lidhjen e pandashme me kishën e ndërtuar nga Imzot Fan Stilian Noli.

Dy a tri fjalë për të kujtuar apo kuptuar 29 gushti, shpesh janë të nevojshme të hidhen në kartë. Sado pak të mundemi të bëjmë, gjithsecili në njohuritë që ka, punën që kryen, formimin që mbron është tepër mirë për të mos harruar dhe më shumë, për të qartësuar çfarë nuk dihet.

Kisha Ortodokse Auqofeqafel (“Autoqefalia është vetadministrimi i Kishës brenda një kufiri të caktuar, por duke pasur gjithmonë parasysh që një Kishë Autoqefale është prania lokale e Kishës që është “Një”. Në Simbolin e besimit, që formulon atë që të krishterët besojnë, thuhet: “Besoj…në Një Kishë, të Shenjtë, Katholike (të Përgjithëshme) dhe Apostolike”. Edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është prania lokale e Një Kishe Ortodokse-katholike”-Imzot Joan Pelushi, Mitropil i Korçës, gazeta “Illyria”, SHBA 28 dhjetor 2012), mori udhën në 1908 kur një djalosh ortodoks shqiptar nuk u varros nga prifti grek në një kishë të Bostonit sepse ishte përfshirë në lëvizjen kombëtare. Jetë e mot grekët nuk i njohin shqiptarët për ortodoksë gregorianë, meqë mendojnë se cdokush që është ortodoks, është vetëm grek.

Atë ndodhi të 1908 e përmend edhe Haris Silajxhiçi në temën e tij të doktoraturës “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit”, kur veçon në historinë e marrëdhënieve mes dy popujve, punën e Fan Nolit dhe ortodoksëve shqiptarë, madje duke shtuar se dëgjesat apo predikimet e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan kishin më shumë shqiptarë myslimanë.

Pra, Noli ia nisi punës për institucionalizimin e kishës ortodokse me një shtysë të ngjarjes me priftin grek, por jo se nuk e kishte pasur në synim jetësor.

Vitet e mëtejshme u kaluan mes hasmërisë së fqinjëve ndaj nesh, Luftës së Parë Botërore, Luftës Ballkanike, ndarjes së Shqipërisë në Londër 1913 dhe në Paris 1918.

Në tërë këto kohëra të flisje për kishën ortodokse ishte disi e largët, por jo se nuk u bë. Dëshmia se nuk u la në harresë mbërriti në kongreset Panortodoksë 1922 dhe 1929 në Korçë dhe në Berat kur u vendos themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, një hap jashtëzakonisht madhor në historinë e kombit për të çliruar popullatën shqiptare të viseve jugore nga greqizimi duke përdorur ortodoksinë.

Në vitin 1931 u krijua Sinodi i Shenjtë, vetëm sepse deri në atë kohë nuk kishte mundësi meqënëse mungonin klerikët dhe Greqia dhe Patriarkana në Stambol ishin pengesë në çdo çështje. Disa të tillë klerikë që ishin në Greqi me shërbesë u bashkuan me Nolin dhe u çkishëruan nga Kisha Greke. Sinodi i Shenjtë kishte Kryepeshkopin Visarion Xhuvani (Mbikqyrës i Mitropolisë së Korçës), Agathangjel Çamçe si Mitropolit i Beratit, Ambroz Ikonomi si Mitropolit i Drinopolit dhe Efthim Kosteva si Ndihmës i Kryepeshkopit.

Mitropoliti i Trapezundës, Krisanthi i dërguar nga Patriarkana Ekumenike, pra nga Patriarku Ekumenik, e pranoi Autoqefalinë me “Tomosin”. Në atë statut të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale Shqiptare, në nenin 16 ne kemi të quajturën “garanci” të qenies së Kryepeshkopit shqiptar me gjak (“Në 17 Prill të vitit 1934 Patriarkana dhe Tomosin Patriarkal dhe Sinodik “Mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Shqipëri”, i cili është dokumenti që shpall dhe njeh Kishën Ortodokse në Shqipëri si Autoqefale”-Imzot Pelushi, “Illyria”, SHBA 28 dhjetor 2012).

Vitet vazhduan me formësimin institucional të Kryepeshkopit të ri Imzot Kristof Kisi, i cili punoi shumë që kisha jonë të shkëputej nga Patriarkana e Stambollit, nën shembullin e himarjotëve dhe arbëreshëve nga Fanari dhe paqja me Papën.

Në vitin 1950 u mbajt Asambleja Laiko-Ortodokse, apo Kongresi i Tretë që u udhëhoq nga Fiqirete Shehu, pra nga Partia Komuniste që e quajtën tradhëtar Imzot Kisin dhe e zëvendësuan në atë Asamble me Pais Vodicën, babanë e Josif Pashkos, një përpjekje për ta pasur klerin ortodoks me vete.

Kur Shqipëria doli nga diktatura, KSBE apo OSBE e sotme parashihte njohjen nga e të drejtave pa ndërhyrje shteti të komuniteteve fetarë. Klerikët ishin të paktë, të shkuar në moshë, pa formimin e duhur kishtar dhe lindtte nevoja për një udhëheqës grigje të vërtetë. Mirëpo, shqiptarët nuk mund ta kenë grek, as të huaj sepse statusin e ndryshuar nga Asambleja e vitit 1950 nuk e njohën në liri, por me dhunën e regjimit. Ky ndryshim statuti i hapi rrugën Hirësisë së Tij Ansats Janullatos, i cili u kundërshtua kur hyri në Kishë në 2 gusht 1992, por qëndroi kundër rregullave kanonike Kryepeshkop jo i gjithëpranuar.

LINKU: https://www.youtube.com/watch?v=c-155gEfJrE

Pak ditë më pas, 25 vjet më parë si sot u bë hapi i madh shqiptar për shpëtimin e Kishës Ortodokse kundër pushtimit zyrtar të 2 gushtit 1992 nga përpjekja e dështuar qindravjeçare e greqizimit. Imzot Fan Stilian Noli nuk kishte asnje klerik në vitet 1922-1931 kur ngriti nga hiri ortodoksinë tonë. Por, për krijimin e Sinodit të Shenjtë në 1931 erdhën klerikë shqiptarë që nuk kishin bërë harram gjakun, u çkishëruan nga Kish Greke dhe u dorëzuan përpara shqiptarisë siç kishin bërë përpara Jezu Krishtit.

Çdo 29 gusht duhet shënuar si ditë madhore kombëtare dhe përmendje për çdo klerik ortodoks që për shkak të rrethanave të krijuara, mundësive dhe pamundësive, ekonomike ose jo, të rikthehet në zërin shqip të Krishtit siç dëgjohet në këngën “Për Mëmëdhenë” kënduar kundër fronëzimit të Hirësisë Anastas.

Si sot 25 vjet më parë, në 29 gusht 1992 u mblodh Konferenca e Tiranës e Komitetit për Mbrojtjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Babai im Dhimitër Ndrenika ishte mes firmëtarëve të rezolutës kundër vendosjes së Hirësisë së Tij Anastas Janullatos si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Hirësia e Tij u imponua nga ndikimi i fortë grek që shfrytëzoi gjendjen e mjerueshme të Shqipërisë pas diktaturës kriminale komuniste dhe prej pushtetit të Partisë Demokratike, ish-presidentit Sali Berisha që nuk e kuptonte (ose heshtte) krimin e jashtëzakonshëm që i bëhej ortodoksisë shqiptare nga grekët. Më poshtë është rezoluta e Konferencës (marrë nga publikimet e akademikut Kristo Frashëri):

Konferenca e Tiranës 29 gusht 1992

Si dëshmi se ata që kundërshtuan fronëzimin e A. Janullatosit si kryepeshkop i KOASH-it nuk qenë shqiptarë myslimanë apo katolikë, por 100% ortodoksë, u mblodh prej tyre në Tiranë më 29 gusht një konferencë e posaçme, e cila miratoi këtë rezolutë:

“Mbledhja e madhe e besimtarëve të krishterë ortodoksë, në të cilën morën pjesë përveç përfaqësues të Tiranës edhe delegatë të rretheve të tjera, u mbajt në Pallatin e Kulturës më 29 gusht 1992, për të shqyrtuar gjendjen e palejueshme të krijuar prej shkeljes së Statutit dhe kanoneve të Kishës Autoqefale Shqiptare, nga i cili Anastasos Janullatos erdhi si ekzark dhe u shndërrua si kryepeshkop. Mbledhja shprehu me forcë vendosmërinë e përgjithshme për ta marrë në dorë shëndoshjen e shpejtë të kishës ortodokse dhe për ta rimëkëmbur Kishën mbi bazën e traditave të saj të shenjta ortodokse dhe shqiptare.

REZOLUTA

Mbledhja arriti njëzëri këto përfundime kryesore, të cilat po i riprodhojmë tekstualisht:

  1. Vendosja e demokracisë në Shqipëri mbas 47 vjet shtypjeje komuniste hapi rrugën e ripërtëritjes së ndjenjave fetare, që ishin ndrydhur, por jo shuar. Si gjithë besimtarët e tjerë dhe ortodoksët u tubuan rreth kishës së tyre. Por ndërsa masa e ortodoksëve priste me qetësi dhe mirëbesim rimëkëmbjen e kësaj kishe në traditat e saj të shenjta e të bukura ekzarku grek dhe i ashtuquajturi “këshill i përgjithshëm” punuan në mënyrë tinëzare e të pabesë për asgjësimin e autoqefalisë së kishës shqiptare dhe për greqizimin e saj, në shërbim të forcave më regresive fanatike të kishës greke, që synojnë greqizimin e gjithë ortodoksëve shqiptarë dhe më tej.
  2. I ashtuquajturi “Këshill i Përgjithshëm i Kishës” me sekretar Aleko Dhimën, është i paligjshëm, sepse nuk është zgjedhur me zgjedhje të shpallura e të organizuara sipas rregullave të Kishës, por është vetëshpallur. Që në fillim ai nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë të drejtë të quhet “këshill i përgjithshëm”, të flasë e të veprojë në emër të Kishës dhe të administrojë pasurinë e saj, aq më pak të bëjë propozime parësore siç janë ato për emërimin e kryepeshkopit dhe peshkopëve. Ai i ka uzurpuar këto të drejta tinëzisht, duke shfrytëzuar mirëbesimin dhe indulgjencën e besimtarëve të vënë para fakteve të kryera.
  3. Ceremonia e zhvilluar më 2 gusht 1992 në Kishën Katedale të Tiranës për të fronëzuar si kryepeshkop të Shqipërisë Anastasos Janullatosin, nuk është kryer dhe është e pavlefshme sipas rregullave të Kishës, sepse besimtarët kanë thirrur botërisht “Jo! Nuk është i vyer”! (dhen aksios – K.F.). Ekzarku me pasuesit e tij u detyruan të largohen nga Kisha pa u përfunduar ceremonia.
  4. Komploti i Janullatosit për t’u shpallur kryepeshkop i Shqipërisë dhe për të emëruar tre peshkopë grekë në krye të dioqezave të Korçës, Gjirokastrës dhe Beratit, në kundërshtim me nenin 16 të Statutit të Kishës që përcakton se kryepeshkopi dhe peshkopët “duhet të jenë prej gjaku e gjuhe shqiptarë si edhe të kenë nënshtetësinë shqiptare”, është jo vetëm një shkelje shumë e rëndë e Statutit të Kishës, por edhe atentati më flagrant kundër vetë autoqefalisë së Kishës Autoqefale Shqiptare. Mbas këtij vendimi, që ka ngjallur revoltën e drejtë të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, Anastasios Janullatosi nuk është i denjë të qëndrojë as si ekzark, ai duhet të largohet nga Shqipëria menjëherë dhe përgjithmonë.
  5. Statuti i vitit 1950 dhe rregullorja e Kishës e vitit 1955 janë të paligjshme dhe të pavlefshme, sepse ato i janë imponuar Kishës Autoqefale Shqiptare nga qeveria komuniste.

Për Kishën Autoqefale Shqiptare është në fuqi statuti i miratuar rregullisht në vitin 1928. Patriarkana Ekumenike e Stambollit e ka njohur Kishën Autoqefale Shqiptare me atë statut në vitin 1937 dhe ai Statut është rregullisht në fuqi, sepse shfuqizimet komuniste nuk kanë asnjë vlerë.

  1. Është e nevojshme që, në vazhdim të traditës së Kongresit I dhe II, të mbajtur përkatësisht në vitet 1922 dhe 1928, të mblidhet sa më parë kongresi III i Kishës Autoqefale Shqiptare, i cili të përpunojë programin dhe detyrat për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të kësaj Kishe; të bëjë përshtatjen e Statutit dhe të emërojë në krye të Kishës, si administrator ose kancelar, një klerik shqiptar; ky këshill të kryejë funksionin e Sinodit të Shenjtë, derisa Kisha Autoqefale Shqiptare të përgatisë kuadrot e saj për të formuar Sinodin e rregullt.
  2. Për të bashkërenduar punën me besimtarët e rretheve të tjera ngarkohet një grup nismëtar i përbërë nga Petrit Bidoshi, Pavllo Koja, Llazar Morcka, Thoma Çomorra, Anesti Paskali, Stefan Vokopola, Nasho Bezhani, Pirro Ndreka, Mihal Hanxhari, Vangjel Shundi, Petrika Trako, Dhimitër Ndrenika, Sotir Janço, Loreta Plumbi, Lumnie Jani, Sotir Qiriako, Kristo Frashëri, Jakov Milaj, Pandeli Çina, Dhimitër Kondakçiu, Ksanthipi Mullisi, Gjergj Zheji, Jorgji Çerepi, Petraq Kosova, Vangjel Myzeqari.

Ky grup nismëtar, mbasi të zgjerohet me përfaqësues të zgjedhur nga të gjitha diocezat dhe rrethet e tjera ku ka ortodoksë, të kthehet në “Komisionin Organizator për rimëkëmbjen e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe përgatitjen e Kongresit të saj III”.

  1. U kërkojmë organeve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të Shtetit, Kuvendit Popullor, rretheve, bashkive dhe komunave, të ndihmojnë e të mbrojnë në të gjitha nivelet veprimtarinë e rregullt të kishës dhe zbatimin e përpiktë të Statutit të saj, të formulojnë sa më shpejt dhe të zbatojnë dispozitat ligjore të nevojshme e financiare të këshillave të vetëshpallura të kishave në Tiranë e në rrethe, sepse ka sinjalizime për parregullsi dhe abuzime të shumta.
  2. Zëri i besimtarëve myslimanë dhe katolikë, zëri i të gjithë atyre që u bashkuan me zërin e ortodoksëve për të mbrojtur Kishën Autoqefale Shqiptare, është zëri i Shqipërisë. Le të gëzohemi që shqiptarët ashtu siç punuan së bashku për të rindërtuar kishat dhe xhamitë e para, po tregojnë përsëri së toku dhe spontanisht se Feja dhe shqiptaria nuk kanë gjë të ndarë.

U bëjmë thirrje vëllezërve minoritarë, që rrojnë pranë shqiptarëve ose midis shqiptarëve të të tria besimeve, si të barabartë midis të barabartëve, të mos bien pre e intrigave të klerikëve të mbrapshtë dhe parullave të helmuara që nxisin përçarjen dhe shovinizmin. Kisha Autoqefale Shqiptare i konsideron bij të vetë të barabartë e vëllezër në Krishtin të gjithë besimtarët ortodoksë. Këtë vëllazërim ajo e ka të shenjtë dhe do ta ruajë me besnikëri e përkushtim.

U bëjmë thirrje personaliteteve të shquara të kulturës greke, pjesës më të emancipuar të klerit të Kishës Ortodokse Greke dhe intelektualëve të vërtetë grekë të kenë kujdes nga fushata shoviniste kundër Shqipërisë që ka ndërmarrë një numër dhespotësh të prapambetur e fanatikë, si dhe qarqe të tjera. Ju takon juve t’i thoni “Ndal!” kësaj fushate, që është një turp për Greqinë e Evropës së Bashkuar! Në themelet e lirisë e të pavarësisë së Greqisë, si dhe në sukseset e mëdha që ajo ka arritur, është dhe kontributi i gjakut dhe djersës që kanë derdhur dhe derdhin qindra mijëra shqiptarë të Greqisë. Mos lejoni që edhe një herë këto t’i shpërblehen popullit shqiptar me helm dhe intriga, vetëm sepse disa klerikë të djallit dhe politikanë anakronikë nuk janë të zotët të kuptojnë një Ballkan mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Thojuni “Ndal!” dhe kujtojuni mësimin e madh të Ungjillit: “Silluni me të tjerët ashtu siç dëshironi të sillen të tjerët me ju!”.

Rezoluta mbyllej me këtë thirrje:

Ortodoksë të Shqipërisë! Ta çojmë më tej valën që është ngritur në të gjitha rrethet për ruajtjen dhe ripërtëritjen e Kishës Autoqefale Shqiptare sipas kanoneve dhe traditave të saj. Të ngremë këshillat e Kishës të pastruara nga fara përçarëse antikombëtare dhe ta nxjerrim Kishën tonë të dlirë e të bukur në diellin e Shqipërisë demokratike! Vëllezër të Kishës Shqiptare në Amerikë! Na u gjendni afër dhe na ndihmoni me përvojën dhe me përkrahjen tuaj!

Vëllezër myslimanë dhe katolikë! Le të lidhim duart me njëri-tjetrin dhe të tregojmë se Shqipëria është, siç ka qenë kurdoherë, e të gjithë shqiptarëve dhe se do t’i dalim zot përjetë. Kur lusim Perëndinë, do të kemi në buzë dhe emrin e Shqipërisë.

Popull shqiptar! Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk do ta lerë veten të bëhet robinë e huaj. E pastër, duke besuar në Perëndinë, e vendosur duke besuar tek Shqipëria, e shenjtë me binomin Perëndi-Shqipëri. Pranë ikonave të saj të Krishtit dhe martirëve të krishterimit ajo do të mbajë edhe fytyrat e Papa Kristo Negovanit, At Stath Melanit dhe martirëve të tjerë të Kishës Shqiptare. Themelet e Kishës Autoqefale Shqiptare të Fan Nolit të madh, At Vasil Markos, kryepeshkopëve Visarion Xhuvani e Kristofor Kisi, janë të patundura përjetë sepse në to është gjaku, loti dhe djersa e të gjithë bijve të saj.

Mbledhja e madhe e besimtarëve ortodoksë të Tiranës, Tiranë, 29 gusht 1992″.

SHKARKO APP