29 vjet PS? Ironia e Godoles: Me llogaritë e mia sikur na del 79 vjeç (8.11.1941). Nuk është turp të plakesh
Pedagogia Jonila Godole ka komentuar “ditëlindjen” e 29-të të Partisë Socialiste, por që sipas llogarive të saj, ajo është 79 vjeçe, që kur u themelua në fillim si Partia Komuniste në 8 nëntor të vitit 1941.
Teksa ironizon këtë ditëlindje, Godole u kujton drejtuesve të PS-së, që nuk është turp të plakesh.
Komenti i plotë i pedagoges Jonila Godole
PS paska ditëlindjen sot dhe mbush 29 vjeç?!
Me llogaritë e mia sikur na del 79 vjeç (8.11.1941)? Apo nuk na pëlqen emri Parti Komuniste se na kujton Miladinin dhe Dushanin?!
Nëse marrim si datë të lindjes 8 nëntorin 1948 kur ia ndërruan llagapin në Parti të Punës i bie të jetë 72 vjeç.
Ndryshimi i emrit më 12 qershor 1991, në Kongresin X, nuk ndryshoi përmbajtjen e saj reale, sa kohë kjo parti nuk u distancua nga krimet e komunizmit dhe nga diktatori Hoxha. Byroja politike kaloi në kryesinë e partisë dhe për të lustruar imazhin e partisë u vendosën nëpër poste të rëndësishme ca intelektualë e shkrimtarë, të cilët u denigruan vit pas viti derisa u larguan vetë, ose u dëbuan nga PS.
Duartrokitjet e 1000 delegatëve më 12 qershor 1991 për vazhdimësinë e PPSH-së në “kostum” të ri, të kujtojnë duartrokitjet e 1500 delegatëve të PS-së në fund të shkurtit 2020, teksa i premtonin 800 mijë vota gjallë-vdekur për mandatin e tretë udhëheqësit, i cili në thelb është i vetmi që ka ndryshuar në këto 29 vite: nga artist dhe radikal i djathtë antikomunist me 1991, në shembës monumentesh dhe uzurpues pushtetesh.
Modernizimi i emrit nuk ta ndryshon vitin e lindjes.
Nuk është turp të plakesh ?