3 pyetje në 60 vjetorin e RTSH -së! Nga interesi politik te interesi publik

Nga Lufti Dervishi –

Më 1960, – 60 vjet më parë RTSH- transmetoi sinjalin e parë televiziv. 60 vjet më pas RTSH nuk është e vetme, janë së paku 60 stacione të tjera televizive në vend.

Transmetuesi publik nga situata monopol është në situatën e një konkurrence të egër dhe me sfida që i sjell koha. Tri pyeje i ndesh shpesh sot në lidhje me RTSH-në.

A/pse na duhet RTSH?

Le të mendojmë një moment se RTSH nuk është. Kemi plot 56 kanale të tjera televizive, 3 kanale të tjera kombëtare, dy platforma televizive dhe afro 200 televione kabllorë. (pa përmendur këtu për brezin e ri, netflix, apple tv, iptv etj etj)

Në kohë krize më shumë se ajo që mungon vlen ajo që të ndihmon.

Le të mendojmë për një moment se nuk do të kishim RTSH- Shkollën – kanalin e dedikuar për arsimin ku mësuesit po kthehen në figura kombëtare jo vetëm për nxënësit.

Le të mendojmë se nuk do të kishim RTSH 3- kanalin e dedikuar për bashkëatdhetarët.

Le të mendojmë se nuk do të kishim RTSH 2- kanalin e dedikuar për minoritetet.

Le të mendojmë se RTSH- Agro kanalin e dedikuar për bujqësinë nuk do të jetë.

Në kohën e krizave vlen ajo që na mungon, por mbi të gjitha ajo që na ndihmon.

Këto kanale të dedikuara nuk i gjen në televizionet komerciale sepse logjika e tregut në këtë fushë nuk shkon 100% me interesin publik.

Po të mungojë RTSH SPORT nuk ka problem se ka platforma të tjera sportive me shumë kanale. Me pagesë, por nuk mungojnë.

Po të mungojë RTSH 24 nuk ka problem se janë 10 kanale të tjera private të dedikuara me informacion 24 orë.

Po të mungojë RTSH fëmijë nuk ka asnjë problem se ka kanale të dedikuara për fëmijë, me pagesë, por ka.

Po të mungojë RTSH Kuvend nuk ka asnjë problem – dhjetëra kanale të tjera televizive janë të gatshme të transmetojnë drejtpërdrejë punën e Kuvendit në komisione, apo në seance plenare.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për RTSH1, RTSH muzikë, RTSH film., RTSH plus, RTSH shqip. Edhe po të mungojë aplikacioni RTSH Tani – më i mirë në treg, programe televizive mund të shohësh përmes aplikacioneve të tjera.

Kjo pyetje nuk do të merrte këtë përgjigje jo më larg se 3- 4 vjet më parë!

Kronika më e parë në kohën e pandemisë

Në kohën e sotme beteja është për vëmendje dhe shpesh vëmendja merret edhe me një kronikë të vetme.

Kronika televizive më e parë dhe e komentuar gjatë pandemisë është prodhim i një televizioni lokal – bën fjalë për aktualitetin dhe masat e marra nga qeveria. Eshtë kronikë që më ka ardhur në ëhatspap, në inbox e facebook-ut, në instagram, në email dhe e kam parë në dhjetëra postime në rrjete sociale.

Një pedagog i gazetarisë nxitoi ta ruajë dhe t’ua japë studentëve- si një leksion se si nuk bëhet një kronikë televizive!

Kjo kronikë mjerisht për nga cilësia, pathosi, dhe gjithçka konkurron edhe Korenë e Veriut. I vetmi ngushëllim mund të jetë fakti se karantina ka ndikuar në të njëjtën masë edhe te gazetari që ka bërë kronikën edhe te “pronari” i gazetarit dhe edhe te “pronari i pronarit!

Habia, lemeria përbuzja, cinizmi, tallja dhe sarkazama janë mëse të merituara dhe stacioni vogël televiziv nëse do të flitet ndonjëherë për të- do të përmendet vetëm për këtë kronikë.

Nëse kjo kronikë do të ishte realizuar në RTSH Korça, RTSH Gjirokastra, RTSH Shkodra apo RTSH Kukësi, megjithë gjendjen e pandemisë më e pakta që mund të prisje ishte një protestë publike.

Te televizionet lokale për shkak të shumë arsyeve ndikimi i “pronarit” është i drejtpërdrejtë burtal dhe pa skrupuj.

Televizonet komerciale janë në treg për të mbijetuar si ato lokale ashtu edhe ato kombëtare. Fakti që ka dhjetëra kanale televizive në një treg të vogël (si popullsi) dhe treg akoma më të vogël të reklamave dëshmon se nuk veprojnë se operojnë jo në përputhje me ligjet e tregut- përndryshe falimentimi do të ishte realitet dhe jo risi. Krahas kontributit tejet të çmuar, që operatorët privatë kanë sjellë në tregun audioviziv, shto edhe faktin se janë kanë në ekranet e tyre, programe më të shikuara dhe njerëz të talentuar- sërish ato nuk janë përgjigje për të gjithë interesat e publikut.

Ka programe që thjesht nuk kanë interes për t’i bërë, ka zona të Shqipërisë që nuk kanë interes ekonomik për t’i mbuluar, madje ka shtresa të shoqërisë që nuk i shohin si “audiencën e tyre.

Nuk është sekret të thuhet se shpesh në mënyrë të vrazhdtë në politikën editoriale paraqesin interesat e “pronarëve” dhe në rastin më të shëmtuar është e pranishme edhe “gjobëvënia”.

Kush e sheh RTSH-në?
Kjo është një pyetje që një kolege gazetare ma ka bërë në studio, por e kam dëgjuar nga ajo edhe në ambiente të tjera.

Pyetja ime: dakord, më trego një program në televizione të tjera që t’i e sheh me kënaqësi?- nuk mori përgjigje. E mirëkuptoj se nuk është përgjigje e lehtë. Shijet janë të ndryshme dhe siç thotë italiani: tutti i gusti sono giusti (shijet nuk gjykohen/të gjitha shijet janë të drejta)

është bërë normë që për transmetuesin publik më shumë flasin ata që nuk e shohin dhe disa që e shohin me shumë vëmendje të kujtojnë proverbin që “shqiptari të fal gjakun, por jo suksesin”.

Sot beteja për audiencë nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë të rifitohet ajo që u humb në dy dekada nga RTSH që lëshoi terren ndaj operatorëve privatë, të cilët me meritë fituan dhe konsoliduan audiencë gjatë këtyre 20 viteve të fundit. “Kthimi në shtëpi” i ngjarjeve të mëdha si festivalet apo sporti apo nisja e lëvrimit të temave që lëvroheshin kudo (gazetari kritike) me përjashtim të RTSH-në, janë një hap i parë. Dhe siç thotë një proverb kinez, çdo maratonë fillon me një hap të vetëm.

Si duhet të jetë RTSH?

Duket se përgjigja është e thjeshtë: në shërbim të publikut, programe cilësore, gazetari sfiduese dhe luftë e përditshme për të kapur edhe audiencën e re.

Zoti President ç’mund të na thoni për vizitën tuaj të suksesshme? Kjo pyetje megjithëse është bërë në Tiranë, në shekullin e kaluar, është një kujtesë se si nuk duhet të jetë gazetari dhe vetë televizioni.

Sot është një kohë tjetër- kohë kur publiku jo vetëm konsumon, por edhe gjykon atë që ke bërë dhe më rreptë gjykon atë që nuk bën!

Sot është një kohë që nuk mjafton vetëm depolitizimi, balanca e përkryer apo mospërdorja si kamzhik ndaj opoztës së radhës. është kohë me plot sfida.

Në mënyrë paradoksale koha e sotme e ndihmon transmetuesin publik. Në kohën kur liderët dhe institucionet bëhen vetë media dhe nuk kanë nevojë për shërbimin e medias, në kohën kur tv private bëjnë çmos me “mjaltë” dhe me “uthull” të afrohen me qeverinë, transmetuesi publik nuk ka interes të afrohet me qeverinë, përkundrazi i duhet distanca e shëndetshme.

Nuk ka dyshim tashmë se në ngjarjet e mëdha (zgjedhjet, tërmeti, pandemia) transmetuesi publik, merr vlerësime si të “arbitrit ndërkombëtar” ashtu edhe të publikut.

Në mjediset gazetareske shpesh thuhet se nuk shihet televizoni, por shihet programi. Programe e mira televizive nuk janë të lehta për t’u realizuar. Një sprovë për transmetuesin publik mbeten programet cilësore edukuese dhe informuese, por testi më i mirë që transmetuesi publik është afër interesave të publikut është gazetaria kritike dhe investigative. Emisionet e para janë në transmetim. Programet e para të natyrës kritike/investigative (Elementi pestë, 31 minuta), mund të mos kenë tronditur autoritetet, por pa dyshim janë hapat e parë të konsolidimit të autoritetit të gazetarit dhe vetë transmetuesit publik.

Sfida për programe cilësore, për t’i qëndruar larg banalitetit dhe autoriteteve dhe për t’i qëndruar më pranë publikut nuk është e lehtë në kushtet kur transmetuesi publik ka shumë armiq dhe vetëm një mik- publikun.

SHKARKO APP