30.000 elefantë janë vrarë në Afrikë në vitin 2016.

Numri i elefantëve afrikanë, që po vriten për fildishin, është më i lartë se numri i lindjeve, pavarësisht se niveli i gjuetisë ka rënë për vitin e gjashtë rresht. Të dhënat e reja, tregojnë se rreth 60% e vdekjeve të elefantëve shkaktohen nga gjuetarët pa leje, si rrjedhojë popullsia e përgjithshme me shumë gjasa do të bjerë.

“Popullsia e elefantëve afrikanë vazhdon të përballet me një kërcënim të menjëhershëm për mbijetesën e tyre, veçanërisht në Afrikën qendrore dhe perëndimore, ku nivelet e larta të gjuetisë janë ende të dukshme”, tha John Scanlon, sekretar i përgjithshëm i Marrëveshjes për Tregtinë e Specieve të Rrezikuara. Të paktën 30,000 elefantë u vranë për fildish në vitin 2016.

Por Scanlon tha se ka disa shenja inkurajuese, në disa pjesë të Afrikës lindore, të tilla si në Kenia, ku trendi i gjuetisë pa leje ka rënë.”Kjo na tregon të gjithëve atë që është e mundur përmes një përpjekjeje të qëndrueshme dhe kolektive me mbështetje të fortë politike,” tha ai. “Vrulli i krijuar gjatë viteve të fundit është përkthyer në përpjekje më të thella dhe më të forta për të luftuar këto krime në vijën e frontit, aty ku nevojitet më shumë, nga rojet në terren, deri tek policia dhe doganat në portet dhe në tregjet e paligjshme”.

Gjuetia pa leje e elefantëve arriti kulmin në vitin 2011, kur ajo përbënte rreth 75% të të gjitha vdekjeve. Gjuetia pa leje është zvogëluar gradualisht që atëherë, por sërish mbetet shumë më lart niveleve të qëndrueshme. Scanlon tha se nevojiten përpjekje akoma më të mëdha për të ndryshuar plotësisht trendin.

Raporti i ri zbuloi se një tendencë shqetësuesë në rritje e gjuetisë pa leje të elefantëve u vëzhgua në parkun kombëtar të Kruger në Afrikën e Jugut për herë të parë në 2015. Proporcioni i elefantëve të vrarë nga gjuetia u rrit nga 17% në 2014 në 41% në 2015. Rritja e konsiderueshme në një nga vendet më të sigurta për elefantët në Afrikë është një çështje shqetësuese”, tha raporti.

Interpol vlerëson se tregtia e paligjshme e kafshëve të egra ka një vlerë prej 10-20 miliardë dollarë në vit, tregu i zi i katërt më fitimprurës pas drogës, njerëzve dhe trafikimit të armëve dhe shpesh lidhet me krimin e organizuar. OKB thotë se jo vetëm që dëmton kafshët e egra të rrezikuara, por gjithashtu nxit konflikte, ushqen korrupsionin dhe dëmton përpjekjet për zhdukjen e varfërisë.

SHKARKO APP