30-të vite në skenë, “Rrema” vlerësohet nga Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh”

 

Plot 30-të vite në skenë ka aktori i madh i humorit durrsak, Muharrem Hoxha ose siç e quajnë ndryshe Rrema, është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshër i Madh”. Në një ceremoni të zhvilluar në qytetin bregdetar të Durrësit, i cili që ka mbledhur bashkë emra të njohur të artit dhe kulturës në vend, i është kushtuar një ditë personalitetit që ka dhënë jetën e tij për humorin shqiptar. Teleshikuesi shqiptar e njeh me emrin, Rrema, i cili me 80-të rolet e tij ka argëtuar publikun shqiptar dhe jo vetëm, e ku nëpërmjet batutave e të qeshurave pa fund, ka përcjellë mesazhe të forta.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi zotit Muharrem Hoxha Titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në vlerësim të arritjeve të spikatura profesionale në gjininë e teatrit, veçanërisht në atë të humorit skenik, si dhe të interpretimeve të paharrueshme artistike që kanë karakterizuar veprimtarinë e tij të pasur dhjetëra vjeçare, duke ngritur peshë zemrat e artdashësve të shumtë durrsakë dhe spektatorëve të tjerë anembanë Shqipërisë”.
Ka qenë kjo një dhuratë për z.Hoxha sepse ai ka pak kohë që ka dalë në pension, e në fjalën e tij ai ka falënderuar Presidentin për këtë vlerësim dhe në mbyllje të ceremonisë ka përshëndetur publikun në sallë me disa pjesë humoristike.
Titulli “Mjeshtër i madh” – U jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, prodhimit dhe biznesit për punë të shquara dhe kontribut thelbësor në zhvillimin e sektorit.

R.Shtylla

 

SHKARKO APP