42 kryetarët e Tiranës në një album fotografik dhe biografik

Nga Halil Rama/Pas tetë botimeve tematike për vlerat historike, kulturore dhe njerëzore, kryesisht për metropolin shqiptar, studiuesi dhe analisti i mirënjohur Valter Gjoni sjell për lexuesin 42 kryetarët e Tiranës, në një album fotografik dhe historik.

Pasi jep detaje dhe fakte interesante nga historia administrative e Tiranës, deri në shpalljen e pavarësisë, Gjoni e bën ndalesën e parë tek i pari ligj që rregulloi organizimin dhe funksionimin e qeverisjes lokale, i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës. Është pikërisht Ligji “Qytetet dhe Bashkitë më 25 XII – 1921”,  që mund të konsiderohet si ligji i parë për zgjedhjet e drejtuesve lokalë.

Për gati një shekull Tirana është drejtuar nga 42 kryetarë bashkie. Në fakt, sipas autorit V.Gjoni, ky term përdoret në ditët e sotme, por në periudha e sisteme të ndryshme, qytetari i parë i Tiranës ka pasur emërtime të ndryshme.

Dhe duke iu referuar faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës, Kryetari i Parë ka qenë Zyber Halluli në 1913, që ishte ndërkohë shefi i komunitetit fetar dominues. Pikërisht nga ky personalitet i shquar i kohës, e nis autori renditjen në mënyrë kronologjike të kryetarëve të Tiranës, duke vijuar me Servet Libohovën (1915-1916), Ismail Ndroqin (1917-1922) dhe me z.Ali Begeja i periudhës 1922-1923, i cili u zgjodh kryetar, si këshilltari që mori më shumë vota. Pesë kryetarët e mëvonshëm të periudhës 1923-1928, pikërisht: Ali Derhemi, Beqir Rusi, Xhemal Kondi, Fuat Toptani dhe Izet Dibra e kanë qeverisur Tiranën për një afat kohor një vjeçar, të zgjedhur pothuajse sejcili si këshilltari me më shumë vota. Por gjithsesi meritë e autorit është përshkrimi në pak rreshta i biografisë së tyre lidhur me arsimimin, pasionet, dimensionin e tyre njerëzor dhe se çfarë ata i lanë Tiranës në ato vite. Në këtë mënyrë vijohet edhe me Rexhep Jellën (1930-1933), Abedin Nepravishtën (1933-1935 dhe 1937-1939), me Qemal Butkën (1935-1936) dhe me Qazim Mulletin (1939-1940).

Nivel i lartë në artin e të shkruarit

Jo pa qëllim evidentuam 14 kryetarët e parë, si pjesë të këtij libri të një rëndësie të veçantë për vlerat historike që bart, por sepse publiku i njeh ato përciptazi, për të mos thënë fare pak.

Më pas, duke vijuar me 28 kryetarët e tjerë të Tiranës (1940-2016) autori bëhet i besueshëm, jo vetëm për vërtetësinë e viteve që ata kanë qeverisur kryeqytetin shqiptar, por për mënyrën dhe përshkrimin e anëve të veçanta të biografisë së secilit në 5-6 rreshta. Ndërkohë ilustrimi fotografik është bërë në mënyrë të përkryer.

Parë nga ky këndvështrim ky botim shkencor i Valter Gjonit që do të promovohet të mërkurën më 27 Prill në Hotel “Tirana”, dëshmon për arritjen e një niveli të lartë në artin e të shkruarit. Kjo për faktin se Valteri di të përveçojë me inteligjencë, fakte dhe ngjarje, si pjesë substanciale e karakterit të personazheve, duke e bërë librin e tij me vlera njohëse, edukuese dhe estetike. Ndërkohë që karakteret humanë shfaqen si shëmbëlltyra të përzgjedhura nga dora e një shkrimtari dhe publicisti me përvojë dhe talent, duke të bërë për vete me stilin e të shkruarit. Dhe ajo që e bën të veçantë librin “42 kryetarët e Tiranës”, në raport me krijimtarinë e mëparshme të Valter Gjonit është fakti se ai rrok brenda tij një periudhe të gjatë, gati njëshekullore, duke derdhur dashuri dhe mirënjohje për 42 personazhe dominantë të historisë sonë kombëtare. Duke gërshetuar përvojën e tij administrative, gazetareske dhe artistike jashtë funksioneve zyrtare, autori ka realizuar gjithashtu 20 ekspozita, të mirëpritura nga vizitorë të shumtë, brenda e jashtë vendit. Pikërisht për këto merita Valter Gjoni mban disa tituj nderi, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ku titujt më të lartë janë: “Kalorës i Urdhrit të Meritës” i Republikës Franceze, “Bene Merit”- titull nderi i Republikës së Polonisë, Urdhrin “Naim Frashëri” të Republikës së Shqipërisë dhe titullin bashkiak “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

valter gjoniGjurmë që i përkasin historisë së Tiranës

Këtij botimi ia shton rëndësinë edhe parathënia e kryetarit aktual të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Kjo për faktin se “nëse botimi i vitit 1937 trajtonte me kujdesin e kohës vetëm figurat e 9 kryetarëve të Tiranës, vitet në vijim deri në ditët e sotme kanë njohur vetëm listim emrash dhe periudhash, në shumë raste me gabime dhe mangësi, pa as më të voglin informacion për 33 drejtuesit e tjerë të qytetit, si në botime specifike, ashtu edhe në informacionin e rrjeteve sociale”. Kryebashkiaku Veliaj vlerëson gjurmimet historike që janë bërë në këtë botim për 41 paraardhësit e tij dhe gjurmët e lëna prej tyre, në mbi një shekull që janë tashmë gjurmë që i përkasin historisë së Tiranës dhe përvojës së bashkisë së saj. Sipas kreut aktual të bashkisë së Tiranës “kemi të bëjmë me një botim që na shuan kuriozitetin, por dhe që na sjell informacion të bollshëm, që mund të shërbejë në të ardhmen qoftë si vlerë historike, ashtu dhe si informacion mbi administratën lokale shqiptare qysh prej themelimit të saj deri në ditët e sotme”. Kryebashkiaku Veliaj argumenton gjithashtu më së miri se, këto vlera që i kanë rezistuar kohës dhe rrethanave të ndryshme në të cilën janë zhvilluar, janë mbledhur me kujdes nga autori, ndaj ato e bëjnë këtë botim të larmishëm, si për anën historike, ashtu dhe atë dokumentare. Kësisoj, me botimin e albumit biografiko-historik kushtuar 42 kryetarëve të qytetit të Tiranës, pas 79 vitesh, rivjen një botim i dytë për historinë e qytetit dhe të Bashkisë së Tiranës në një hark kohor prej 103 vitesh.

SHKARKO APP