5 arsye pse jeni të lodhur gjatë gjithë kohës
Mungesa e gjumit
Njerëzit e moshës 18 dhe 60 vjeç kanë nevojë për 7 ose më shumë orë gjumë çdo ditë, për një shëndet optimal. Përpiquni të mbani një rutinë konstante të gjumit, të evitoni dremitjet e shkurtra, të qëndroni zgjuar në shtrat jo më shumë se 5-10 minuta, të siguroheni që në mbrëmje dritat e dhomës së gjumit të jenë të fikura, si dhe të evitoni konsumin e shpeshtë të kafeve ose pijeve energjike.
Dietë ushqimore jo e mirë
Mënyra më e mirë për të mos u ndjerë i/e lodhur është të bëni ndryshime të shëndetshme në dietën tuaj ushqimore. Është jetike të merrni gjithë lëndët ushqyese që ju nevojiten. Konsumoni sasinë e nevojshme të kalorive ditore, konsumoni perime, fruta, proteina. Hani mëngjes dhe eleminoni sheqernat. Pini ujë!
Stil jetese sedentar
Kur ndiheni të lodhur, ulja në divan dhe çlodhja mund të duken si përgjigjet e vetme, por nga ana tjetër, këto “çlodhje”, mund të jenë pikërisht ato që po ju lodhin më shumë. Të ngriheni dhe të lëvizni është gjëja më e mirë që mund t’i bëni trupit tuaj. Nëse nuk jeni ushtruar për një kohë të gjatë, filloni ngadalë. Mund ta nisni me një shëtitje të shpejtë 10-minutëshe çdo ditë dhe të vazhdoni të bëni ecje të shpejtë ose vrap të lehtë, për 30 minuta, 3-5 ditë në javë. Ecja e shpejtë, gjimnastika, biçikleta, tenisi etj, të gjitha këto mund t’ju ndihmojnë të mos ndiheni më të lodhur.
Stresi i tepërt
Shumë situata mund të shkaktojnë stres. Puna, problemet financiare, marrëdhëniet etj. Një stres i vogël mund të jetë i shëndetshëm dhe në fakt mund të na bëjë më vigjilent dhe të aftë të bëjmë më mirë detyra të caktuara, si për shembull: një intervistë punë, por stresi është pozitiv, vetëm nëse është jetëshkurtër. Stresi i tepërt, i zgjatur mund të shkaktojë lodhje fizike dhe emocionale dhe të çojë në sëmundje. Ai e bën trupin tuaj të lëshojë kimikate që janë krijuar për të përgatitur trupin për emergjenca. Disa gjëra që ju mund t’ju ndihmojnë janë: identifikimi i burimit të stresit, mbajtja e një ditari si dhe komunikimi i shqetësimeve tuaja. Mësoni të thoni jo, mësoni të falni dhe evitoni njerëzit që jua shkaktojnë këtë stres.
Kushtet mjekësore
Nëse keni bërë ndryshime në stilin e jetës në lidhje me aktivitetin tuaj fizik, dietën, nivelet e stresit dhe gjumin, por përsëri ndiheni të lodhur gjatë gjithë kohës, ndoshta keni një problem shëndetësor. Disa prej problemeve që kanë si simptomë lodhjen përfshijnë: aneminë, diabetin, ankthin, mungesa vitaminash etj. Për më shumë, ju mund të konsultoheni me mjekun tuaj.